“Bota serbe” fillon me ndarjen e Kosovës!

Opinione

“Bota serbe” fillon me ndarjen e Kosovës!

Prof. Enver Bytyçi Nga Prof. Enver Bytyçi Më 8 korrik 2023 Në ora: 13:43
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Gazeta e madhe gjermane “Frankfurter Allgemaine Zeitung” e datës 05.07.2023 shkruan se “Ndërsa BE kërcënon Kosovën me sanksione, le të paprekur presidentët serbë Dodik dhe Vuçiç”! Në argument të kësaj kritike autori i artikullit, korrespondenti për rajonin e Ballkanit, Michael Martens, shkruan se “Do të ishte naive që zhvillimet në Kosovë dhe në Bosnjë të mos i marrësh në lidhje me njëra-tjetrën. Në veçanti Serbia teston edhe më tej se deri ku mund të shkojë. Beogradi nuk ka heq dorë nga ëndërra e Serbisë së Madhe. Vetëm se kjo ëndërr është formuluar ndryshe me nocionin e krijimit të “botës serbe”. Ky formulim nuk është bërë rastësisht sipas modelit rus, të “botës ruse””, shkruan Martens!

Vetëm 36 orë më vonë, pas botimit të këtij artikulli, kryeministri i Shqipërisë, Rama, shkoi në Beograd dhe e mori në mbrojtje “botën serbe”, duke sulmuar kryeministrin e Kosovës nga pozitat e aleatit të tij, Aleksandër Vuçiç! Vuçiç nuk foli. Madje u kërkoi gazetarëve që të “mos e përmendin Kosovën”! Të mos pyesnin për të. Sepse në bisedimet kokë më kokë këtë mision, misionin e sulmeve kundër Kosovës dhe mbrojtjes së politikave serbe, e kishte marrë përsipër Edi Rama. Madje, siç thotë vazhdimisht Edi, në një mision “të pa kërkuar”!

E ndërsa Michael Martens ve në dukje se Serbia e Madhe po synohet të shtrihet në Kosovë dhe në Bosnjë përmes konceptit e nocionit të “botës serbe”, Edi Rama fajësoi për këtë kryeministrin, qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Ai kërkoi me insistim krijimin e asosacionit sipas oreksit të Vuçiç për krijimin e kësaj Serbie. Kritikoi angazhimin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për ruajtjen e rendit e të sigurisë në komunat e veriut të banuara me shumicë serbe. Tha se “serbëve në Kosovë u mohohet e drejta e besimit”!

Ndërsa në Podgoricë u tall dhe nxori gjuhën kundër patriotit të madh Oso Kuka, i cili kishte dhënë jetën në luftë kundër pushtuesve malazezë. Në shtëpinë e pushtuesit gjeti rastin të përçudnojë viktimën e tij, shqiptarin e madh, Oso Kuka, thjesht për të përçudnuar qëndresën e kryeministrit të Kosovës në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit shtetëror të vendit të tij, e në kundërshtim të vendosur të asaj që Martens e konsideron si rrezik të krijimit të “botës serbe’, ose Serbisë së Madhe.

Ndërkaq konferenca e shtypit e dy liderëve kleptokratë të Ballkanit, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama, përfundoi me një “sherr” të vogël për kumbarinë. Presidenti i Serbisë bëri sovranistin, gjoja duke iu kundëvënë kryeministrit të Shqipërisë për atë se “Serbia i zgjedh vetë kumbarët”, ndërkohë që ky i joni i thoshte se “Gjermania dhe Franca janë kumbarët”! Lojë fjalësh, për t’ia lëshuar vendin ahengut në darkën e shtruar me verë e shlivovica më vonë. Darkë në të cilën do të ishin të pranishëm edhe Aleks Sorosi dhe Christopher Hill.  

Në fakt loja e vërtetë politike luhet në ahengjet e darkave dhe drekave. A nuk e vizatoi Churchilli në darkën me Stalinin dhe Rusveltin ndarjen e botës gjatë Konferencës së Jaltës?! Madje në një paketë cigareje! 50:50 ishte Jugosllavia dhe e menduar si bisht i saj, Shqipëria. 90:10 ishte Bullgaria dhe Greqia, vetëm se e para në favor të Stalinit dhe e dyta në favor të Perendimit, e kështu me radhë. Askush nuk më bind se në darkën e Beogradit nuk kishte diçka të ngjajshme. Diskutimi ka qenë nëse do të marrë “bota serbe” tri apo katër komunat e veriut të Kosovës. Ndoshta Rama, për t’u heq se anon nga shqiptarët, ka propozuar që Serbia të aneksojë tri komuna e Vuçiç ka këmbngulur edhe në të katërtën. Por një gjë është e sigurt: - Sa herë këta të dy ulen në sofër, për ndarjen e Kosovës flasin. Aq më tepër kur aty gjendet “rastësisht” edhe Aleks Soros.

Bota serbe fillon me ndarjen e Kosovës. Prandaj po i bëhet gjithë ky presion Albin Kurtit, presidentes Osmani dhe institucioneve të Kosovës dhe po u kërkohet të heqin dorë nga e drejta për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin shtetëror e territorial në këtë zonë krize të shkaktuar nga serbët dhe nga Serbia. Prandaj Kosova është vënë nën akuzë! Pra që të heqë dorë vetë, vullnetarisht, nga territori i saj në veri të vendit! Prandaj ishte në Beograd dhe në turin ballkanik Edi Rama. Si një nga dy-tre protagonistët e ndarjes së Kosovës dhe jo si misionar i paqes!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat