Rama shkoi në Beograd i ngazëllyer, por u kthye me dy-tre leksione të Vuçiçit

Opinione

Rama shkoi në Beograd i ngazëllyer, por u kthye me dy-tre leksione të Vuçiçit

Emin Azemi Nga Emin Azemi Më 8 korrik 2023 Në ora: 13:49
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Edi Rama në Beograd ishte një tjetër, nuk ishte ai Edi Rama i batutave e “zajebanciave”. Miku i tij Vuçiçi ia dha një dush të ftohtë në fund të konferencës për shtyp.

“Ne në Serbi kumbarët i zgjedhim vet dhe nuk lejojmë të na i imponojnë të huajt”, ishte kjo replika e Vuçiçit me Ramën, duke ia kundërshtuar këtij të fundit shprehjen “kumbar” që i referohej Scholzit dhe Macronit.

Vuçiçi me këtë rast ia mbajti edhe një leksion të vogël Ramës, duke ia bërë me dije atij se askush tjetër, pos Serbisë, nuk mund të hartoj Draft-statut për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Vuçiçi e nxori keq Ramën, për pak sa nuk e la lakuriq…

Rama në Beograd kësaj radhe nuk shkëlqeu… Shkëlqimi i tij kishte ngelur diku brigjeve të Bjeshkëve të Nemuna….

Llafollogjia dhe batutologjia e tij kësaj radhe doli të kenë kenë barutin e lagur, sepse “mentalni sklopi” i tij përkon me një sindrom që disa politikanë të Tiranës e shfaqin në formë të një kompleksi inferioriteti, të një sjellje me edukatë ekstremisht naive ndaj politikanëve serbë.

Një ditë para se ta takoj Ramën, Vuçiçi bëri të ditur se Serbia kërkon organizimin e një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sepse sipas tij “në Kosovë po kryhet një aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik të serbëve, i cili është mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Ne duam të veprojmë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe në përputhje me normat e së drejtës publike ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se jeta e serbëve në Kosovë po kërcënohet, ne do të kërkojmë një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por fillimisht do të kërkojë një bisedë urgjente me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, për të treguar situatën”, ka thënë Vuçiçi.

Manovrimet e Vuçiçit tashmë janë të njohura. Para se të ndërmerrte ndonjë aksion të çmendur, ai gjithmonë vishet me rrobat e viktimës, duke përdour “vuajtjet” e serbëve në Kosovë si pretekst Vuçiç për të ndaluar të gjitha eksportet e municioneve. “Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj. Po shqyrtojmë mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar” Vuçiçi dhe shtoi se Serbia do ta shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe, për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës organizatë terroriste.

Për dallim nga qëndrimi denigrues i Ramës kundrejt Kurtit, Vuçiçi ka një qëndrim krejt tjetër ndaj Listës Serbe, duke e përdorur këtë të fundit si instrument të politikave të tij hegjemoniste. Idetë e tij acaruese mbi Kosovën, Vuçiçi shumë komod i transmeton përmes Listës Serbe, kurse Rama idetë e Kurtit i deformon, duke i përdorur ato si shantazh në koluare ndërkombëtare, ku, siç po spekulohet, po përgatitet edhe shpallja “non grata” e kryeministrit të Kosovës.

Rama ka kritikuar hapur Kurtin për qëndrimet politike që po mban kundrejt situatës në veri të Kosovës, duke luajtur madje edhe rolin e ndërkombëtarit, një detyrë që askush s’ia kishte dhënë.

Por, pas kësaj përplasje me Vuçiçin në Beograd, ai do të duhej të nxjerrë të paktën dy mësime:

– e para, e kuptoi më në fund nga miku i tij Vuçiç se roli i tij në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, është zero… sepse Vuçiçi tha se askush tjetër, përpos Serbisë, nuk ka të drejtë të merret me Draft statutin e Asociacionit…. Merreni me mend çfarë roli mund të ketë në të ardhmen Rama, nëse guxon të hapë çështjen e diskriminimit të çdoditshëm të shqiptarëve në jug të Serbisë….

– e dyta, kjo qasje vardisëse e Ramës ndaj diplomatëve joparimorë të Perëndimit sa i përket çështjes së Kosovës, nuk gjeti mirëkuptim në Beograd, sepse Vuçiçi ia bëri të ditur atij se “kumbarët i zgjedh vetë”, që i bie se ai nuk pranon imponim kumbarësh, siç e tha edhe vet, apo më troç, Vuçiçi ia bërë me dije Ramës se nuk i pranon diktatet e diplomatëve të huaj sa i përket Kosovës….

Rama vërtetë nuk u prit nga Kurti në Prishtinë, por darka e Beogradit e shtruar nga “pobratimi” i tij pas disa “shqelmave” që i mori nga Vuçiçi, do të duhej t’i shërbejë atij si një apoteozë ku thyhen shtizat parimore e shtetërore, etike e patriotike në mes të Tiranës dhe Beogradit mbi Kosovën.

Darka e Beogradit kësaj radhe pati një shije tjetër. Pati shijen e një kumbarllëku të shpifur, ku rregullat e buzëqeshjes i cakton i zoti i shtëpisë, kurse vajin në buzë e mban peshqesh ai që nuk i njeh mirë serbët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat