Deklarata e Gërvallës: - Pse Lajçaku i Evropës ofron pasiguri në Kosovë e në rajon?!

Opinione

Deklarata e Gërvallës: - Pse Lajçaku i Evropës ofron pasiguri në Kosovë e në rajon?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 10 korrik 2023 Në ora: 21:16
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, bëri një deklaratë në samitin rajonal të Dubrovnikut. Tha se BE pa SHBA dhe NATO-n nuk ofron siguri në Ballkan dhe e krahasoi në këtë pikëpamje atë si një „Tigër prej letre“! Pjesa e deklaratës me „Tigër prej letre“ u interpretua si gafë e saj dhe të gjithë kundërshtarët e qeverisë së Kosovës e akuzuan fort zonjën Gërvalla me terma dhe epitete të çuditshme! Përdorën për këtë si argument faktin se këtë term e kishin përmendur diktatorë si Mao Ce Dun-i dhe Enver Hoxha në kohët e tmerrshme në të cilat ata sunduan popujt e tyre.

Meqë e kanë përdorur një term si ky dy diktatorët, kritikët e Donikës morën zjarr edhe për ta paraqit veten si kundërshtarë të diktaturave. Pra, si njerëz të një rendi demokratik. Dhe gjithçka e sajuan në formën që „duke shfrytëzuar rastin të flasin për demokraci, të përpiqen njëkohësisht të „harrohet“ korrupsioni, grabitja e vjedhja e pasurive të Kosovës, arroganca e arbitrariteti, si dhe marrëveshjet poshtëruese me Serbinë të nënshkruara në kohën e tyre. Këta njerëz, përfshirë dhe politikanët sot në parlamentin e Kosovës, e shfrytëzuan shansin që të mohojnë faktin se ishin këta kritikë ata që shpallën komuna serbe me një ose dy fshatra. Ishin këta që nënshkruan marrëveshjen e asociacionit edhe me kompetenca në çështjet e sigurisë e drejtësisë. Ishin këta që falën 8250 hektarë tokë për Malin e Zi dhe 2500 hektarë të tjerë për Maqedoninë e Veriut. Ishin këta që u angazhuan për t’i falur gjithashtu Serbisë rreth 2000 km2 tokë të Kosovës! Ishin këta që votuan Gjykatën Speciale dhe për pasojë i dërguan komandantët e UÇK-së në Hagë!

Të gjitha veprat e turpshme të Kosovës i sollën aty dhe tani mezi presin një lapsus për t’u heq si mesia! Por çështja nuk është si e shprehu zonja Gërvalla një të vërtetë! Pyetja që shtrohet ka të bëjë me faktin, se vërteta është ajo që Bashkimi Europian nuk është garantuesi i paqes dhe sigurisë në Ballkan! Kjo, sepse BE përveç një plaku në krye të çështjes së sigurisë dhe politikës së jashtme, nuk ka asnjë instrument për këtë qëllim. Edhe me rezolutën 1244 çështjet e sigurisë në Kosovë e deri diku në rajon i garanton NATO. Ndërkohë SHBA-të janë udhëheqësit de jure dhe de facto të NATO-s. BE me atë rezolutë pati vetëm një rol, rindërtimin e Kosovës së djegur e të shkatërruar dhe ky rol ishte I jashtëzakonshëm. Atëherë pse duhet qortuar Donika Gërvalla? Se tha një të vërtetë?

Ndërkohë ky konstatim i është adresuar të ngarkuarit të BE-së për dialog midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak. A mos ndoshta kritikët e zonjës Gërvalla besojnë se Lajçak është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajonin tonë?! A mund ta besojë dikush këtë fabul, kur Mirosllavi ka studiuar në Rusi, ka shërbyer si diplomat në Moskë, ka përgatitur takime shumë të rëndësishme në Bratislavë të presidentit rus dhe atij amerikan, ka shërbyer si diplomat në Serbi e sa e sa të tjera që ne nuk I dimë?! Vërtet duhet të besojmë se Lajçak bashkë me Borrellin nuk janë në atë post për interesat e Rusisë dhe të Serbisë?!

Pse them edhe të Rusisë? Së pari se Serbia e Madhe është interes rus dhe Borrell e Lajçak po bëjnë çmos ta bashkojnë botën serbe. E dyta, sepse kur këta u caktuan në këto poste e detyra, atëherë Europa shpresonte te një Rusi nga e cila mund të furnizohej me gaz dhe me të cilën të kishte marrëdhënie të mira, së paku ekonomike e në investime. Pra caktimi i dy diplomatëve nga dy vende që nuk e njohin Kosovën ishte qokë për Moskën dhe Beogradin! Ndërkohë Lajçak i ka të gjitha cilësitë e formimit ruso-sllav.

Në këto kushte opozita e Kosovës dhe gjithkush duhet të kuptojë se replika e Donika Gërvallës ishte reagim ndaj qëllimeve ogurzeza të Miroslav Lajçak, i cili është në atë detyrë për shkak të oportunizmit europian. Mirëpo kritikët e zonjës Gërvalla nuk mbushin nga kjo anë. Janë tapais ose me i shërbye Vuçiqit, Ramës, Lajçakut e Borrellit, ose “rashë e vdiqa”! Dhe një shprehje të ministres me kuptim të plotë e me saktësi të së vërtetës e shndërruan në kasus manipulimi e propagande kundër saj. Në fakt edhe kundër Kosovës. Jo se Donika është Kosova. Por se ajo së paku deshi të dëshmonte kundërshtitë e saj kundër veprimtarisë kriminale të Lajçak për ndarjen e Kosovës!

Dhe për në fund: Politikanët, analistët dhe gjithkush që shan e bërtet kundër rasteve të tilla, si ky me deklaratën e zonjës Gërvalla, duhet të bëhet i qartë: - Me kë është? Me cilin opsion? Me ndarjen e Kosovës, apo mbrojtjen e territorit të saj? Me asociacionin që në një kohë tjetër çon në ndarje, apo me unitarizmin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës? Duhet ta thonë hapur! Jo me goditje nën brez kundër Kosovës dhe atyre që e mbrojnë atë! Jo me shërbime ndaj Serbisë, duke i rënë rrugës së Laçakut në Bruksel! Nëse janë për ndarje, duhet të jenë të guximshëm si Baton Haxhiu e Dardan Molliqaj e ta thonë hapur! Të thonë atë që thoshte Hashimi: “Shkojmë Albin një ditë në Bruksel a Uashington dhe heqim qafe Serbinë, pra, firmosim marrëveshjen për ndarjen e territorit të Kosovës”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat