U bëmë ‘hor’ para botës dhe para njerëzve të këtij vendi!

Opinione

U bëmë ‘hor’ para botës dhe para njerëzve të këtij vendi!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 13 korrik 2023 Në ora: 18:59
Ismail Muqiqi

Nuk ka mbet asnjë vlerë minimale apo ndonjë imazh në skenën politike të këtij vendi. Storjet që i pamë sot në Parlamentin e Kosovës janë produkt i pseudo patriotizmit të gjeneratave të pas luftës. Ky profil i deputetëve të pa denjë, pa integritet dhe të pa kulturë është produkt i shkollimit nëpër objektet e podrumeve private dhe në ambientet kaotike të cilat kaluan këto gjenerata pa u arsimuar, pa u edukuar të cilat tani kanë depërtuar thellë në institucionet e Shtetit të Kosovës.

Nuk mund të pritet më mirë nga shumica e këtyre deputetëve të cilët përmes rrugëve më të ndryshme korruptive, përmes partive dhe liderëve të përfolur kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës. Nuk mund të pritet më shumë nga këta individ me emrin deputetë të cilët gjatë jetës së tyre nuk kanë lexuar edhe një libër. Më thotë mendja se 80% të këtyre deputetëve nuk meritojnë të jenë pjesë e institucioneve të shtetit të Kosovës. Qërimi i hesapeve fizike para qytetareve dhe opinionit të gjerë është pasqyrë e primitivizmit, analfabetizmit krahinorë i cili vite me radhë po manifestohet në mënyra më të ndryshme në Parlamentin e Kosovës.

Këtë kaos në emër të demokracisë po e krijojnë pseudopatriotët folklorist të cilët thirren në emër të UÇK -së dhe të vlerave të luftës. Këta të cilët e kanë humbur pushtetin me votën e popullit, këta të cilët përmes formave më të ndryshme morën tituj universitarë u bënë magjistra dhe doktor shkencash, duke u rreshtuar në krahët e politikës dhe krye liderëve të saj. Prandaj Kosova po përjeton ditë të vështira nga grupet e interesit të veshura me petkun politikë. Këta janë larg realitetit të kohës në të cilën po jetojmë.

Politika serbe dhe shërbimet inteligjente përmes njerëzve të caktuar po arrijnë të krijojnë situata të përqarjes të skenës politike në Kosovë deri tek qërimi i hesapeve përmes sulmeve fizike. Ky është mentaliteti i klasës politike e cila po manipulon me fatin e popullit dhe me Shtetin e Kosovës. As në vendet me diktatoriale (moniste) në botë nuk ka ndodhur që kryeministri i vendit të nxirret (të shpëtohet) nga truprojet e afërt nga deputetët e një vendi që quhet demokraci parlamentare.

Andaj të gjitha këto që i pamë sot në Parlamentin e Kosovës dhe zhvillime tjera të filialeve të ashtuquajtura parti politike pa elektorat janë lajme dhe skena të papranueshme të cilat nuk dëshiron ti shoh askush. Në fund po theksojmë se koha e "bajraktarëve" dhe e kaubojve ka përfunduar që nga qlirimi i Kosovës. Është momenti që qytetarët të zgjohen nga gjumi i rëndë, dhe të aktivizohen për fatin e këtij vendi, duke i larguar nga skena politike përmes votës së lirë këta individ dhe këto rryma të cilat po mundohen ta kthejnë rrotën e historisë mbrapa.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat