Cirkus - shfaqja në parlamentin e Kosovës!

Opinione

Cirkus - shfaqja në parlamentin e Kosovës!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 13 korrik 2023 Në ora: 22:37
Sherif Ramabaja

Vapa e madhe që po mbretëron në Evropë, e ka përfshi edhe Kosovën. Temperaturat kohët e fundit gjithnjë ishin në ngritje. Më të lartat ishin në veriun e Kosovës. Atje nga këto temperatura të larta, pati edhe të alivanosur.

Temperatura zakonisht ngriteshin nga Serbia, të deleguarit e EU, Lajçak e Borell, të deleguarit e SHBA, Escobar dhe Grenell, i deleguari i shtetit amë zoti Rama etj.

Nga Veriu i Kosovës vapa me shpejtësi, duke iu falënderuar opozitës e cila fliste me gjuhën e Lajçakut, Borrellit, Ramës e po ashtu edhe të Vuçiqit, u shpërnda në tërë Kosovën.

Bëheshin kërcënime. Paralajmëroheshin protesta. Kërkohej mocion mosbesimi. Kërkoheshin zgjedhje të reja. Kërkohej të zbatoheshin kërkesat e ndërkombëtarëve. Jepeshin fakte sa do të ketë humbje Kosova nga sanksionet. Bëhej bilanci i dëmtimit të imazhit politik të Kosovës. Vajtohej për prerjen në besë të miqve të Kosovës etj.

Freskia nga kjo vapë nuk shihej në horizont. Temperatura nuk zbriste nga top listat botërore dhe Lista Serbe e gjeti momentin që edhe më shumë t´i rris këto temperatura.

Kjo u lidh edhe me momentin kur SHBA e ngritën vapën në Serbi, duke e sanksionuar një person tepër të rrezikshëm për rajonin.

Në të njëjtën kohë Serbia e alarmuar, aktualizoji planin e saj për ta larguar vëmendjen nga vetja. I ngriti temperaturat në Kosovë. Kësaj radhe jo në veriun e vendit, po pikërisht në Parlamentin e Kosovës.

Temperaturat u bënë përvëluese, kur u paraqitën incizimet e një parlamentareje me një person nga Lista Serbe, i sanksionuar nga SHBA. Opozitës i erdh momenti të cilin e kërkonte me muaj, javë e ditë.

Askush se kishte vlerësuar momentin, se vapa do të jetë përvëluese. Dikush e kishte bërë regjinë, ose sot ose kurrë.

Pritej momenti i shpërthimit të vullkanit. Me në shpërthim të tillë lava do përhapej edhe jashtë ndërtesës së parlamentit. Gjendja mund të del jashtë kontrollit dhe me ngritjen e temperaturave mund të shpërthej edhe revolucioni. Me shpërthimin e revolucionit dikush mund ta merr pushtetin dhe kështu me shpejtësi dhe me një vapë të tillë, e arrin majën e Himalajës.

Mbetet vetëm konsolidimi i pushtetit dhe je në vendin ku merr vendime, me Serbinë, me EU dhe SHBA etj. I firmos marrëveshjet dhe e shpall rezultatin: Kosova fitoi. Nëse të pyet dikush, çka fitoi? I përgjigjesh, së paku Asociacionin, në mos  më shumë.

Prandaj vapa e tillë, në këtë kohë të çrregullimeve dhe çmendurisë klimatike, sjellin edhe befasi. Pra në Parlamentin e Kosovës u hap sezoni i cirkut. Shfaqja ishte vetëm test i provës origjinale.

Shfaqja për publik do të shfaqet së shpejti. Aktorët e njohur premtojnë shumë. Ata vijnë nga kategoritë e ndryshme të shoqërisë. Nga ta ka pjata lëpirës, kumorxhi, tregtarë narkotikësh, seksistë, tregtar tokash, teneqepunues, barinj, farmacistë të barnave të skaduara, biznismen të qenieve njerëzore, arkitekt të ideologjisë islamiste, politikan të të gjitha sistemeve ideologjike, personalitete që ulen në dy e më shumë karrige, personalitete analfabet, personalitete gjysmanalfabet etj.

Shikuesit do të njoftohen me kohë për orarin e shfaqjeve. Urojmë që të argëtoheni sa më mirë.

Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat