Edi Rama jep në SPAK gjithë qeverinë, jep jetën e kurrë dorëheqjen!?

Opinione

Edi Rama jep në SPAK gjithë qeverinë, jep jetën e kurrë dorëheqjen!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 15 korrik 2023 Në ora: 08:57
Xhevat Mustafa

Prej kohësh flitet, përflitet, parashikohet, paralajmërohet se pas mbi 9 vjet mbush me skandale e qelitë mbush me ish ministra, ish zv.ministra; ish kryetarë bashkishë; ish drejtorë, ish këshilltare e ish sekretare..., Edi Rama do të bindet më në fund se i ka mbetur vetëm një alternativë e rrugë: dorëheqja individuale si kryeministër dhe ekipore si qeveri! Për saktësi, ai ka të lirë edhe rrugën që të heqë dorë nga përralla se "përgjegjësia është personale" e të bëjë të pabërën e Arben Ahmetajt: të dorëzohet vetë në SPAK ose në Komisariatin më të afërt, duke u mbushur mendjen se është i mirinformuar për gjithçka kanë bërë ish vartësit dhe ish vartëset e tij nëpër qeli.Domethënë, t'i lërë pa mend e gojë policë dhe prokurorë, duke pranuar se është bashkëfajtor me bashkëpunëtorët e tij të prangosur...!?

Jo pak në rrjete sociale kishin shpresë se Edi Rama do ta bënte këtë herezi dhe harakiri ditën e premte, dt.14 korrik, ora 18.30, me një deklarim televiziv!!!??? Ai doli në ekrane, foli siç di apo si qëmoti, si e ëma e Zeqos në majë të thanës! Por, ashtu siç ishte më e mundshme dhe më e pritshme, edhe këtë herë "e harroi" apo e shtyu për në për në kalendat greke mundësinë apo burrërinë e dorëheqjes!

Duke ia njohur mirë kokën dhe mendjen, unë subjektivisht e plot të tjerë, jemi skeptikë, deri në opinionin se kjo është shumë e largët dhe thuajse e pamundur! Në mënyrë figurative, ngjashëm sikur Putini të bëjë nga Ukraina dhe Vuçiçi nga Kosova, plotësisht e përfundimisht tërheqie! Sipas këtij grupimi mosbesues, Edi Rama mund të japë në SPAK gjithë ekipin qeveritar e dorëheqjen kurrë apo aspak! E vetmja mundësi dhe shpresë që të shpëtojnë nga Edi Rama Shqipëria, Kosova dhe kombi është skandali dhe proçesi gjyqsor Charles McGonigal, në të cilin Edi Rama nuk ka qenë e do të jetë thjeshtë spektator...!

Megjithatë: qofshim të gabuar dhe ndodhtë e pamundshmja, që ndonjë mesnatë me hënë e yje apo në një ditë me diell, të lëshojë rrufenë, "të kujtohet", pas gremisjes së pandalshme e të vrullshme nga skandali në skandal se në praktikën botërore shtetërore dhe qeveritare, pra, përfshirë edhe atë shqiptare, ekziston edhe fjala dhe akti "dorëheqie"!!! Fundja, duke u përpjekur për të kuptuar apo hyrë në mendjen dhe logjikën e tij, ai mund të edhe të bëjë këtë llogari.

Përse t’i lumturoj shumicën e shqiptarëve me dorëheqien time në këto kushte apo në këtë majë ku jam ngjitur, pa e menduar as në ëndërr edhe vetë? Si mund të braktis unë vullnetarisht këto poste, pushtete, privilegje, përfitime..., ngjashëm me të një mbreti, perandori, sulltani, sheiku...? Po e bëra këtë marrëzi, me shumë gjasa, nuk do të ma falin as fëmijët e mi, as Linda, as miqtë e shumtë, bosë në Shqipëri, as Xhorxh dhe Alex në Amerikë, as Aleksandar në Serbi...

Ndoshta, edhe nga Vladimir Putini do të përjetohet si befasi dhe “vetëvrasje” në një çast krize nervore...? Pastaj përse të jap dorëheqien kur nuk kam presion të fortë e masiv nga poshtë e nga lart, në parti, qeveri, parlament? Këto vite jam ndjerë e kam vepruar si Zeus. Nuk kam pasur e nuk kam as POPULL, as OPOZITË, as DREJTËSI, as SHOQËRI CIVILE, as MEDIA të lira e të pavarura, që të nxijnë dhe shkurtojnë jetën...? Personalisht kam bindjen se me shumë gjasa do ta presim shumë gjatë e pas shumë gjëmash të tjera dorëheqjen e Edi Ramës! Nuk përjashtohet që kjo të jetë e pamundur si "rilindja" e Enverit dhe Ramizit, e të atit e të s’ëmes...! Apo, si "rinimi" deri në moshën e Alex- it, e të atit, Xhorxh Soros...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat