Kurse trajnimi në boks për deputetët e Kuvendit të Kosovës!

Opinione

Kurse trajnimi në boks për deputetët e Kuvendit të Kosovës!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 15 korrik 2023 Në ora: 11:15
Sherif Ramabaja

Shoqata e Boksit të Kosovës doli me një kërkesë shumë ambicioze. Shkak ishte përballja që u tregua nga seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty u zbuluan disa talent të rinj, që me kurse të ndryshme mund të avancojnë dhe përparojnë shumë më tepër.

Nëse oferta merret parasysh, u propozua që të largohen të gjitha karriget nga salla e Kuvendit në mënyrë që në të ardhmen, të ketë hapësirë të mjaftueshme për manovrim.

Sapo të krijohen kushtet do të caktohen grupet e punës, në klasifikimin e kandidatëve. Siç u vërejt në transmetimin kombëtar dhe ndërkombëtar, shumica do konkurrojnë në fushën e boksit, por do të hulumtohen talent edhe për disiplina të tjera.

Si disiplinë në vete mund të merren edhe ulërimat shtazarake të deputetëve deri në kupë të qiellit. Pse mos të pranohen, si disiplinë në vete psh. sharjet më të pista, që mund t`i përdorin deputetët kundër njëri - tjetrit, apo konkurrenca se cili mund ta hedhë pështymën më së largu. Kërcim së larti. Kërcim së gjati. Goditje nga distanca. Goditje të kombinuara etj.

Por mbi të gjitha, pasi disiplina më e pëlqyeshme për deputetët u tregua boksi, do të angazhohen trajnerët më të mirë nga Kosova dhe Shqipëria. Dorëzat dhe i tërë materiali i nevojshëm për trajnim, do të porositen nga buxheti i shtetit.

Shpresohet që me kurse të rregullta mund të fillohet shumë shpejt, kuptohet sapo të paraqitet kërkesa, do të fillohet edhe me aplikimet e deputetëve.

Seleksionimi do të bëhet në atë mënyrë, duke përfshirë të gjitha partitë parlamentare.

PDK u deklarua se disiplinën e boksit e preferon më së shumti, prandaj në këtë lëmi do t´i ketë shumicën e kandidatëve, kurse për disiplinat e tjera nuk shfaqën interesim.

Tash duhet shikuar po ashtu se LVV, LDK, AAK, PSD, etj. në cilat lëmi do të shfaqin interes. Anojnë kah boksi, apo më tepër i pëlqejnë metodat e karatesë me kombinime të kik- boksit.

Me rëndësi është që në disiplina të tilla duhet të përfshihen edhe pjesëtarët e minoriteteve. Proporcionaliteti duhet respektuar, përndryshe do reagoi EU me tandemin ndërmjetësues, Borrell - Laçak.

Nëse shënohen rezultate të pritshme, atëherë duhet shikuar që këtë veprimtari, e cila po zë fill në Kosovë, ta përhapin edhe në vendet e rajonit, sidomos gjithkund ku banojnë shqiptarët.

Së paku nëse nuk arrijmë të kemi sukses në lëmit tjera profesionale, e intelektuale, të përpiqemi që të dominojmë në fushën e parlamentarizmit, duke i fut në përdorim metodat sportive të dhunës.

 Ndoshta kjo do të ishte një çlodhje nga takimet e pafundme parlamentare, që flitet e flitet e asgjë nuk vendoset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat