Një këshillë për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin

Opinione

Një këshillë për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin

Nga: Lirim Gashi Më: 22 korrik 2023 Në ora: 14:01
Lirim Gashi

Nëse ne shqiptarët e duam sinqerisht vendlindjen dhe atdheun tonë dhe të gjitha vlerat e pakrahasueshme dhe të pazëvendësueshme që lidhen me të, atëherë duhet të kuptojmë një gjë:

Askush nga jashtë, madje as superfuqia më e madhe dhe më e fortë në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të na bëjnë individë, kolektivë dhe shtet të fortë, nëse nuk e duam sinqerisht punën cilësore dhe përmes saj nuk i shërbejmë sinqerisht vetvetës, popullit, atdheut dhe shtetit.

Sepse vetëm atëherë kur secili prej nesh do ta do, do ta njeh dhe do ta bën punën e tij siç duhet dhe plotësisht, do të zhvillohen shoqëria dhe shteti ynë.

Nuk është turp nëse secili prej nesh nuk shkëlqen në çdo gjë që bën, sepse natyra nuk na ka vënë të gjithëve të njëjtin potencial fizik dhe mendor në djep, por ne nuk guxojmë të bëhemi kurrë turistë në profesionet që nuk i njohim vetëm pse imagjinojmë se i njohim.

Sepse kështu do të zhvillojmë ambicie dhe lakmi për para dhe prestigj që do të përfundojnë me shkatërrimin e gjithçkaje që do ta prekim me dorë.

A nuk është e turpshme të kemi kaq shumë njerëz të paaftë dhe gjysmë analfabetë në parlamentin tonë vetëm pse kanë prindër të fuqishëm me karakter mafioz që ua blejnë votën votuesve të varfër dhe nëse nuk ua japin më vullnet, i kërcënojnë dhe shantazhojnë ?

Nuk do të përmend emra këtu sepse të gjithë e dini se cilët janë ata.

Duhet të na mjaftojë vetëm ky fakt që të mos u japim respekt dhe besim partive të djeshme që funksiononin si banda mafioze dhe ende funksionojnë.

Ne mund t'i kushtojmë dhe këndojmë ditë e natë vetes himne vetëmohuese patriotike se si e duam vendlindjen, atdheun dhe shtetin tonë, por nëse nuk i mbështesim fjalët tona me vepra, do të zhvillojmë një energji vetëshkatërruese që përfundimisht do ta shkatërrojë shtetin tonë.

Dhe të jemi të sinqertë, çka jemi ne, vendlindja jonë dhe atdheu ynë, pa një shtet të fortë apo pa një çati mbrojtëse nën të cilën mund të ndihemi të sigurt dhe të mbrojtur?

E nderuara Presidente Vjosa Osmani dhe i nderuari Kryeministër Albin Kurti:

Nëse nuk keni kohë për të diskutuar çështje kaq të rëndësishme për shkak të problemeve urgjente flakëruese me veriun, atëherë të paktën krijoni një ekip prej njerëzve më të aftë, më të zellshëm dhe më të guximshëm, që mund ta hedhin një themel të shëndetshëm për përmirësimin e efektivitetit në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike, kulturore dhe shkencore.

Sepse vetëm kështu mund ta krijoni një themel të çeliktë për suksesin e së nesërmes, ashtu siç e krijuan intelektualët hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore me bekimin e Ben Gurionit.

Mos harroni se shteti i Izraelit u krijua në vitin 1946 dhe disa vite më vonë ishte jo vetëm një bastion i papushtueshëm për armiqtë e jashtëm, por edhe një superfuqi rajonale politike, ushtarake dhe ekonomike.

Siç po e shihni, çdo gjë është e mundur nëse vullneti dhe përkushtimi nuk mungojnë.

Sepse çdo gjë mund të arsyetohet, por jo edhe neglizhenca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat