BE ka dështuar me Kosovën

Opinione

BE ka dështuar me Kosovën

Nga: Faton Mehmeti Më: 23 korrik 2023 Në ora: 16:11
Autori Faton Mehmeti

Për më shumë se një dekadë nën menaxhimin e saj, BE s’ka arritur ende të përmbyll çështjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Në vazhdimësi zyrtarët evropianë që po ndërmjetësojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi e kanë potencuar në vazhdimësi se dialogu është rruga nëpër të cilën dy shtetet fqinje duhet të kalojnë për t’u bërë shtete anëtare.

Pavarësisht dështimeve në vazhdimësi, BE s’ka pasur kurajën për të pranuar të vërtetën e dështimeve, gjithnjë duke hedhur fajin më shumë te Kosova e në pak raste tek Serbia. Aktualisht me BE udhëheq Spanja, me shtetin spanjoll, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të problemeve të brendshme që ka. Pavarësisht se zyrtarët e saj në vazhdimësi ka deklaruar se është përkrahëse e rezultatit që del nga dialogu Kosovë-Serbi i udhëhequr nga BE, gjithsesi BE s’ka arritur të jetë mbi problematikat të pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, me ç’ rast kjo ka shkaktuar kriza të vazhdueshme.

Ironikisht, kryediplomati aktual i BE-së Josep Borrell, ka qenë ministër i jashtëm i Spanjës, ashtu si edhe Lajçak që vjen nga një shtet tjetër që nuk e njeh Kosovën. Në gjykimin tim s’ka pasur interesim të madh për t’i dhënë fund marrëveshjes Kosovë-Serbi, me BE që përveç pa aftësisë nuk ka pasur edhe shumë dëshirë. Kjo edhe për të justifikuar në vazhdimësi angazhimin e saj për "paqe në rajon".

Mungesa e vullnetit nga ana e BE dhe rrjedhimisht skepticizmi nga ana e qytetarëve të Kosovës në mungesë të SHBA, ka prodhuar dëshpërim, kriza dhe acarim të gjendjes. Andaj, BE s’duhet të ndjehet e ofenduar kur kritikohet me të drejtë, por të ushtrojë ndikimin e saj në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon, gjithnjë duke mos e favorizuar palën serbe mbi atë shqiptare.

Nëse vazhdon me ritmin e njëjtë, BE vetëm sa do e humbas kredibilitetin. Deri tani në Kosovë ka dështuar, me shpresën se gjërat do të ndryshojnë si për BE ashtu edhe për rajonin, në veçanti Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat