Dëgjesa për Sigurinë dhe Stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në Kongresin Amerikan

Opinione

Dëgjesa për Sigurinë dhe Stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në Kongresin Amerikan

Shaqir Salihu - Capitol Hill Nga Shaqir Salihu - Capitol Hill Më 24 korrik 2023 Në ora: 07:18
Eliot Engel

Desha të shkruaj disa rreshta për miqtë e mi në Facebook rreth një dëgjese për Sigurinë dhe Stabilitetin në Ballkanin Perëndimor që u zhvillua të martën e kaluar në Kongresin Amerikan.

U gëzova shumë kur mora vesh se Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Punë të Jashtme do të mbante një dëgjesë për Sigurinë dhe Stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se në bankën e zezë do të ulej i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. U gëzova sepse kjo është hera e dytë brenda dy muajsh që Escobar ftohet në Kongres për të shpjeguar gjendjen në këtë pjesë të Evropës dhe për rolin që Shtetet e Bashkuara po luajnë për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin atje. U gëzova sepse siç duket, Kongresi është shumë i shqetësuar për tensionet në pjesën veriore të Kosovës dhe siç duket kongresistët nuk janë të kënaqur me politikën e “Administratës Biden” në Ballkan e kjo është për të ardhur keq sepse neve këtu dhe tërë Kosova kemi pritur shumë më mirë e më shumë nga Presidenti Biden.

Kjo dëshmi e Escobar u thirr për gjendjen në mbarë Ballkanin Perëndimor, por 75 përqind e diskutimeve u përqendruan rreth pjesës veriore të Kosovës.

Hyra në dhomën numër 210 në kështjellen e demokracisë, aty ku përpilohet politika botërore dhe u habita kur pashë që salla ishte mbushur me iranianë veshur me xhaketa të verdha. Ishin shumë, më tepër se shqiptarë, dhe ky mosangazhim i shqiptarëve të Amerikës për gjendjen mjaft kritike në Kosovë nuk po më pëlqen fare. Unë po ua them troç miqve të mi në Facebook se ishte Amerika dhe diaspora shqiptare katalizatori kryesor që e krijoi një shtet të ri shqiptar në Ballkan, por për fat të keq, ky katalizator nuk ekziston më. Iranianët kishin ardhur aty për të dëgjuar për gjendjen e refugjatëve iranianë në Shqipëri. Por për këtë çështje nuk u fol asnjë fjalë. Siç thashë më sipër, numri i shqiptarëve në këtë seancë ishte i pakët. Erdhën krerët e Vatrës nga New York-u.

Erdhi edhe ish-ambasadori i Kosovës në Konsullatën in e Kosovës në New York, Frymëzim Isufaj dhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Washington DC, Floreta Luli-Faber dhe Ilir Dugolli. U përshëndeta më të dy këta diplomatë dhe me ambasdoren e Shqipërisë u përshëndeta për herë të fundit, sepse ajo po largohet nga Washingtoni pas tetë vitesh shërbim. Siç tha edhe vetë, “duhet t’u lë vendin të tjerëve”. Unë i urova asaj gjithë të mirat në karrierën e saj diplomatike.

Zëri i Amerikës nuk kishte dërguar njeri për të mbuluar këtë dëshmi.

Qëllimi im me këtë shënim nuk është që të shkruaj në hollësi për atë se çfarë u diskutua në këtë sesion shumë të rëndësishëm të Komisionit të Dhomës për Punë të Jashtme. Kjo sepse çdo gjë që u tha aty, është transmetuar në internet dhe në rrjetet televizive vendore në Kosovë, madje mjaft mirë. Por dua të shpreh mendimin tim personal, që me siguri nuk është mendim i mirë, për mënyrën se si Washingtoni po e trajton çështjen e Kosovës.

Është një politikë krejt ndryshe nga politika e viteve në fund të shekullit të kaluar. Tani po udhëhiqet një politikë e butë e tepër nënshtruese karshi Serbisë e jo si politika e vitit 1999 kur Shtetet e Bashkuara morën rolin drejtues se si duhet vepruar karshi Serbisë dhe korri sukses. Vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta zgjidhin çështjen e madhe të Kosovës e jo BE me dy përfaqësues të tij nga dy vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Madje njeri prej kongresistëve kritikoi Escobarin se përse Shtetet e Bashkuara nuk po vihen në krye të problemit të Kosovës, pse roli i ShBA është jo parësor e është ai i violinës së dytë...

Duket qartë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka kuptuar fare mirë se BE nuk është as serioze e as e aftë për zgjidhjen e çështjës së veriut të Kosovës dhe se Lajçak dhe Borell po luajnë lojën e Vuçiqit. Vuçiqi ndez zjarrin në veri me bandat e tij kriminale dhe krijon konflikte e pastaj bëhet si zjarrfikës dhe njeri i paqes. Duhesh të jesh idiot nëse nuk i kupton veprimet dhe qëllimet e Vuçiqit. Ai ndoshta dëshiron ta mbajë veriun si zonë tampon ose si tokë e askujt, në mënyrë që 11 laboratorët e tij të opiumeve mund të tregtojnë pa pengesa...

Escobar me krenari tha të martën e kaluar në Kongres se ishte siguruar nga Vuçiqi se ai nuk do të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. Kjo nuk është më pak se çmenduri. Merre me mend sikur Amerika të pyeste Meksikën nese ajo do të pengojë ose jo mbajtjën e zgjedhjeve vendore në Arizona apo në ndonje shtet tjeter amerikan që kufizohet me Meksikën...

Kjo miq të dashur është shumë neveritëse dhe politikë e shëmtuar e Washingtonit. Përse Kosova duhet ta paguajë me territor çmimin në mënyrë që Serbia të largohet nga orbita ruse. Nëse perëndimi do që ta shpërblejë Serbinë me territor, le t’i japë Republikën Srpska në Bosnje që tashmë është republikë serbe, e jo veriun e Kosovës.

Në këtë seancë, kongresistët ishin majft të rreptë dhe shfaqën pakënaqësinë e tyre me mënyrën se si DASH-i po përkëdhel ministrin e propagandës të ish-diktatorit Sllobodan Millosheviq të cilin e bombardoi 24 vjet më parë. Ndër më të mirët ishte kongresisti Republikan nga shteti Texas Keith Self, i cili mes të tjerash tha se “Çështja e Kosovës” është shumë më e rrezikshme për NATO-n se sa Ukraina.

“Serbia, aleatja e Rusisë, është e rrethuar me vendet anëtare të NATO-s. Mos lejoni që këmba e ushtarit serb të shkelë në NATO. Unë habitem pse nuk kemi vënë sanksione kundër Serbisë.” Kongresisti Self ka shërbyer në ushtrinë amerikane nga 1975 deri në vitin 1999. Ai ka qenë anëtar i forcave të posaçme në ushtri dhe ka shërbyer në Katar, Egjipt, Gjermani, Afganistan dhe Belgjikë.

Escobar u pyet edhe rreth pesë vendeve të Evropës të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai tha se "jemi vazhdimisht në kontakt me ta dhe se njohja nga këto vende do të bëhet atëherë kur të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi". Sipas mendimit tim, kjo nuk do të ndodhë kurrë, sepse Beogradi e ka bërë të qartë se pavarësinë e Kosovës nuk do ta njohë kurrë.

Atëherë parashtrohet pyetja: çfarë kuptimi ka krijimi i asociacionit në qoftë se ky asociacion nuk do të rezultojë me njohje reciproke? Escobar përpiqej t'i minimizonte kompetencat e asociacionit të komunave me shumicë serbe duke thënë se ky asociacion do të ketë kompetenca të kufizuara si për shembull do të vendosë për çështje te arsimit, shëndetit, kulturës e gjuhës dhe gjithnjë në përputhje me Kushtetuten e Kosovës. Por nga ana tjetër kërkonte krijimin e një asociacioni sipas marrëveshjës së vitit 2013, që neve të gjithë e dijmë se në bazë të asaj marrëveshjeje asociacioni gëzon kompetenca ekzekutive.

Escobar lavdëroi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për kontributin e tij në zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi.

Dihet se Edi Rama ka propozuar mbajtjen e një konference ndërkombëtare si ajo e Daytonit midis Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjes kur udhëheqësin boshnjak, Alija Izetbegoviqin e mbështetën për muri dhe e detyruan të pranonte të ashtuquajturen Republika Srpska. Kjo konferencë u zhvillua nga 1 deri më 21 nëntor 1995 dhe Bosnje-Hercegovinën e bëri shtet jo funksional. Edhe Kosova do të bëhet shtet jo funksional nëse krijohet asociacioni pa njohje reciproke.

Unë u bëj thirrje udhëheqësve të Kosovës, kushdo që të jetë në pushtet, që nëse bëhet thirrje për një konferencë të llojit "Dayton", mos të marrë pjesë në të sepse e di mirë se Kosova do të pësojë fatin e Bosnjes. Le të mbetet konflikt i ngrirë. Kosova edhe me asociacion do të mbetët konflikt i ngrirë sepse Escobar e bëri të qartë se pesë vendet e BE që nuk po e njohin pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta njohin deri sa Serbia nuk e bën një gjë të tillë.

Politikën e jashtme të Blinken dhe zyrtarëve të tij në Ballkan e ka kritikuar këto ditë shumë rreptë edhe ish-kryetari i këtij komisioni, Elliot Engel. Artikullin e tij e botoi revista “Foreign Policy”.

Një shkrim i shkëlqyer nga Eliot Engel që na kujton se sa shumë humbëm me largimin e tij nga Kongresi Amerikan.

Artikullin e Engel e ka botuar në gazetari Ruben Avxhiu në gazetën Illyria dhe lexon si më poshtë: "SHBA duhet të jetë në anën e Kosovës"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat