Feminizmi i çoroditur ndaj zonjës Gërvalla!

Opinione

Feminizmi i çoroditur ndaj zonjës Gërvalla!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 24 korrik 2023 Në ora: 21:16
Donika Gërvalla Shwarz

Zonja Donika Gërvalla ende vazhdon të kritikohet për akuzën e saj ndaj EU, të cilën e quajti, tigër prej letre, sidomos nga spektri politik femëror i Kosovës. Gërvalla njihet si këmbëngulëse kur është në pyetje, çështja e atdheut. Këtë e kishte dëshmuar edhe në Kuvendin e njohur të LDK , e cila luftonte për ta demaskuar Isa Mustafën, veprimet e të cilit për Asociacionin edhe sot po i vuan Kosova.

 Zonja Gërvalla edhe kësaj here dëshmoi lidership duke e përdor autoritetin e saj për t´i demaskuar disa nga ndërmjetësuesit e EU, sidomos zotin Lajcak për njëanshmëri dhe paaftësi, në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë - Serbi.

 Me këtë rast ajo kërkoi zëvendësimin e ndërmjetësuesve me personalitete të reja, duke bërë me dije se duhen vepruar me konsekuencë, ngase me oportunizëm nuk zgjidhen problemet me Serbinë.

 Nga ky moment, por edhe sot, sulmet ndaj zonjës Gërvalla u intensifikuar nga opozita, por më së shumti çuditë një fenomen, sepse këto sulme të shumtën po drejtohen nga bota femërore e spektrit politik të Kosovës.

Në të shumtën femrat solidarizohen mes vete, pa marr parasysh dallimet që mund të kenë, por ky rast në botën femërore shqiptare, duket sikur të shfaqet me arrogancë, i pazakontë dhe pa respekt.

 Zonja Gërvalla me siguri që i njeh sjelljet diplomatike, më shumë se kritikueset dhe kritikuesit e saj, por ajo deshi ta thoshte një të vërtetë, që ndoshta edhe më herët duhej të thuhej, troç ashtu siç ishte. Dhe bëri mirë që e tha.

Përpos reagimeve pikëlluese nga femrat politikane të Kosovës, patëm edhe një reagim edhe nga  eksperti i Evropës Juglindore zoti Janusz Bugajski, i njohur për publikun shqiptar. Ai e përgëzoi zonjën Gërvalla për guximin e saj, që e tha një të vërtetë tashmë të njohur.

Pra një përkrahje qoftë e vetme e një personaliteti siç është janusz Bugajski, i shquar edhe në arenën ndërkombëtare, mjafton për t´i hedhur në plehra të gjitha kritikat që u drejtuan dhe po drejtohen ndaj diplomates të dëshmuar,  zonjës Donika Gërvalla.

Zonja Gërvalla po ashtu nuk heshti dhe pat reaguar edhe ndaj kryeministrit Rama, për draft- statutin e tij që e paraqiti në emër të Dardanisë, por dhe anulimin e papërgjegjshëm të takimit që e bëri mes dy qeverive.

Kritika e saj ndaj EU ishte një apel për të kërkuar mundësi të reja për bisedime dhe zgjidhje, për t´i ikur bllokimit 20 vjeçar, që po shkaktohet nga Serbia dhe disa nga ndërmjetësuesit e papërgjegjshëm ndërkombëtar.

Në një pozitë sado pak të ngjashme ishin edhe ballafaqimet e zonjës Vlora Çitakut në Asamblenë e OKB ndaj Daçiqit. Paraqitjet e zonjës Çitaku ndiqeshin me interesim dhe përkraheshin nga shumica e popullit të Dardanisë, pa marr parasysh rolin e saj partiak.

 Kritikat e mundshme ndaj saj nuk do të kishin efekt, sepse ajo paraqitej me fakte të cilat ishin të njohura, por në kohën e saj kritikat ndaj ndërkombëtarëve nuk mund të paramendoheshin. Ishte krejtësisht një pozicion i pritjes, në të cilën ndodhej Dardania.

Sot të ushtrohen kritika ndaj diplomates Gërvalla është e lehtë, po shtrohet pyetja, se çfarë efekti me kritika të tilla arrihet. Kurrfarë, vetëm komprometim i vetë - vetes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat