PD, rekuizitë apo opozitë!

Opinione

PD, rekuizitë apo opozitë!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 25 korrik 2023 Në ora: 07:37
Xhevat Mustafa

mirëkuptoj opinionin, të fortë tek plot demokratë të flaktë dhe të pavarur antiedramistë e të dobët tek shumë të tjerë, të moderuar se "PD është shpresa e vetme për shqiptarët, që kërkojnë ndryshim rrënjësor e rotacion politik", pas rreth 10 vitesh qeverisjeje të papërgjegjshme, korruptive, çnjerëzore, deri në veprime, me doza, herë të fshehta e herë fare të maskuara antikombëtarizmi!Por, dëshiroj t'i bëj një shtesë apo interpretim më të zgjeruar këtij mendimi! Partia Demokratike, natyrisht jo në gjendjen e sotme, por pas riformimit rrënjësor, mbarë strukturor, në filozofinë politike, në mendësi, strategji, aleanca, veprime dhe praktika opozitarizmi, është shpresa e vetme, sot për sot, por jo si opozitë, për jetë e mot! Është shpresa e vetme për shumicën e shqiptarëve të gjallë e jo pas vdekjes së tyre, që qoftë sa më e largët! PD e reformuar dhe unifikuar sinqerisht dhe përfundimisht, si një parti e vërtetë demokratike dhe e qendrës së djathtë, me aleatë me parti të sinqerta të spektrit të saj e jo me miniparti apo fantazmo-parti, vetëm me seli e kryesi e pa anëtarësi dhe elektorat, është shpresa e vetme, nëqoftëse del përpara shumicës së shqiptarëve me strategji, programe, vepra konkrete, konstruktive, transformuese, pa njolla dhe gjurmë të forta apo edramiste korrupsioni...!

Natyrisht, brenda sot-it e jo me fjalë fjalimesh, që i merr po sot era e Milotit...dhe i hedh “të nesërmen” në koshin e plehrave apo në makineritë e inceneratorëve të vërtetë apo në letra, që taksapaguesve shqiptarë u kushtojnë edhe më shumë se prodhuesve të këtyre makinerive dhe impianteve plehra-djegës e përpunues...! PD është shpresa e vetme me lidership të ri DMOKRAT nga shumëçka e jo vetëm nga teserat, pasaportat dhe diplomat; nga faturat dhe ngjyrat e kostumeve, të këpucëve, orëve të dorës; nga flokët e mjekrat; nga markat e veturave, nga katet e vilave dhe të pallateve..., nga gratë e burrat që kanë në krahë e krevate! PD mund të jetë shpresa e vetme edhe nëse shpëton nga lufta brenda lloit për vulë, flamur dhe seli si dhe nga ata drejtues, anëtarë kryesie, deputetë, këshilltarë..., që pranojnë të lidhen me PD, pa qenë anëtar të saj. Apo, edhe kur janë "demokratë shumë të vonuar", në moshë rreth 45- 55 vjeçare, ndërsa i kanë qëndruar, edhe duke e përçmuar apo nënqeshur, për 20- 30 vjet larg..., për të mos u etiketuar si të djathtë, demokratë, berishianë fanatikë, bashistë...!

Në të kundërt, edhe në grupin Berisha, u rifutën dhe kanë mbetur disa "karta të djegura" herët a vonë, me "mëkate", "njolla", përfolje jo thjeshtë si thashetheme të sajuara nga “punishtja komunisto- socialiste, 79 vjeçare e shpifjeve” si dhe nga media “gjenetikisht” antiPD ose gjasëm të pavarura...Po ripërsëris një shprehjen time të hershme, në një shkrim të botuar rreth 20 vjet më parë, po në “Panorama”! Në mënyrë figurative, gjatë "operacionit çezarian", PD “ka lindur me dy dëmtime të rënda në kokë”. Ajo ka “kujtesë të dobët” për të shkuarën e “demokratëve turistë” apo 1-2 mandatorë dhe kujtesë e mirënjohje të pakët për pjesën më gjenetike, sakrifikuese, kontribuese të anëtarësisë dhe elektoratit të saj.

Domethënë, për ata që nuk e kanë braktisur me zemra, mendje, trupa, vota edhe në ditët më të vështira e të rrezikshme!? Pjesa më e madhe e "demokratëve të orëve të fundit" iu ngjitën PD- së me kushtin paraprak:"vij, që të bëhem deputet!" Domethënë, që për 4 vjet të marrin pagë, dieta, bileta, pensione, privilegje të shumta deputeti. Pasi i siguruan këto, tani bëjnë demokratin e moderuar, të emancipuar, liberal, jo fanatik, jo radikal, profesorin, edukatorin... për demokratët e orëve, ditëve, viteve të para...Domethënë, duke pas merakun e shprehur apo të nënkuptueshëm, që të jenë të pëlqyeshëm dhe të pranueshëm edhe nga Rama, pozita, nga Yuri Kim dhe pasardhësi i saj...; nga shoqëria civile, "populli i majtë", "mediat e pavarura"...! Mbi të gjitha, që të mos jenë as shqetësues dhe frikësues për Rama- parti- qeverinë, duke bërë kryesisht sherr- shamata fjalareske apo shou në parlament, sa për kamera dhe ekrane e jo protesta tronditëse për qeveritë si në Paris, Romë, Pragë, Athinë, Colombo, Beograd, Tel- Aviv... Në këtë "listë të gjatë" me kërkesa e kushte për PD- në dhe lidershipin e saj të KTHSËS e të SHPRESËS, për të mos mbetur me vite të tjerë opozitë që bën protesta rrallë e për mallë apo në vartësi të temperaturave të motit e jo të 1001 halleve të robit..., bile në krye të kësaj liste është kërkesa edhe me kërkesa që të mos jenë "kuaj dhe pela Troje, Blloku, Sorosi, Surreli..."!

Të mos kenë dosje e pseudonime; gruan ose burrin në detyra të larta në zyrat e qeverisë Rama dhe përfitues miliona euro prej saj, në formë tenderësh, koncesionesh, PPP- shë, lejesh ndërtimi...! Sepse këta, në vesh apo krevat, në celular, me zë apo sms, mund "t'i këshillojnë": "mos e kritiko shumë Ramën dhe qeverinë, sepse më flak mua nga kjo punë me përfitime të shumta e na e bllokon e thanë këtë lumë përfitimesh...!" Që të mos kenë bërë një thes me "mëkate", gabime dhe autokritika e që të mos kenë një fije floku, nga t'i kapë "syshqiponja" SPAK! Disa, sidomos ata që mund ta kenë mizën nën kësulë apo që janë "tifozë të sëmurë" të tyre, mund të kundërshtojnë individualisht ose në kor të çakorduar, duke thënë: të kërkohen në një parti politike në Shqipëri njerëz që përmbushin këto kërkesa e kritere, është thuajse njësoj sikur të kërkosh femra të virgjëra, që punojnë prej vitesh nëpër shtëpi publike!!! Ruajtjen sa më gjatë të fragmentarizimit, copëzimit, anemizmit apo përgjumjes së thellë të PD- së e dëshiron, investon dhe shfrytëzon me efektivitet të lartë e të dukshëm Rama- parti- qeveria, për mbijetesën në pushtet sa më të gjatë e më të qetë. Për më tepër e më për keq: pa menduar dhe pa shqetësuar fare se mbetja e vendit pa opozitë dhe alternativë të fortë rotacioni politik viktimizon vazhdimisht e më rëndë mbarë vendin dhe shumicën e popullit!

PD, prej më se 2 vjetësh në dy copa, në foltore apo me një dozë humori të hidhur, në “vulë-humbur” dhe në “vulë-zezë”, pas nongratizimit të diskutueshëm e të paargumentuar akoma të Berishës, në mënyrë figurative mund të krahasohet me dy gjysma gjeli apo pule, që duhet të mbushin tavolinat dhe pjatat e rreth gjysmës së shqiptarëve. Berisha, ca nga karakteri si njeri dhe ca nga revoltimi për një padrejtësi, i bindur se non gratën e ka “dhuratë” apo ndëshkim politik prej Rama- Soros- Yuri Kim- McGonigal..., nuk heq dorë e nuk largohet nga drejtimi i pjesës së vet të PD- së. Lulzim Basha, thellësisht inferior ndaj Berishës për kontributet në PD, për mbështetjen masive dhe karizmin individual si lider, nga veprime dhe mosveprime të diskutueshme, deri në të dyshimta, ka pësuar erozion të fortë në reputacion, imazh, mbështetje, besueshmëri.... Ai herë qëndron vetë, më shumë ligjërisht se sa faktikisht, mbi gjysmën e vet e herë ia lë nkelejd Alibeajt dhe Gazmend Bardhit...kryesimin e saj!? Kështu që PD ngjan edhe me dy ushtri, që nuk janë 100 % as aleate dhe as kundërshtare apo armike, me dy shtabe pa lidhje, pa komunikim, pa njëmendësi... dhe pa bashkëveprim...!

Ata kanë përballë një "ushtri", ndaj të cilës nuk kanë të njëjtin qëndrim, kundërvënie, urrejtje, agresivitet...!? Prej kohësh ka ardhur ora që në mes të kryesive të dy PD- ve të bëhen me seriozitet, sinqeritet dhe përgjegjshmëri disa pyetje! Cila i pengon më shumë për riafrim, për ribashkim, për rindërtimin e PD- së? ! "Non grata" e Berishës, një sajesë e paramenduar dhe investuar në Tiranë dhe Uashington, për t'i rënë si bllok tonelatash betoni në kokë PD- së, që t'i marramendë “tru”, vështrim, ekuilibër, qëndrim, orientim..., sa ta bëjë me vite " lesh e li", si në gjendje kome, edhe si të droguar", të padëmshme për Rama- qeverinë? dhe më shqip e më troç: për ta bërë PD- në rekuizitë gjasme pluralizmi, gjasme demokracie, gjasme opozitarizmi...? Apo, pengojnë ose vlejnë më shumë interesat e pas kulisave të disa individëve me funksione partiake dhe mandate deputeti, për të përfituar për gra e burra, për vëllezër e motra, për kunata e kunetër, për "shoqe e shokë", për ortakë... nga Rama- qeveria vende të majme pune në zyra të larta qeveritare e shtetërore si dhe tenderë për rrugë e shërbime, koncesione, leje ndërtimi për pallate dhe saraje...?

Këto pyetje kërkojnë edhe përgjigje po aq serioze, të sinqerta, të përgjegjshme, reflektuese, të besueshme...! Por, duket e kuptohet se ata që i kanë mizat nën kësulë apo "litarët e Rama- qeverisë e të Sorosit" në fyt e "leqet në këmbë”, nuk kanë as kurajë e as dëshirë të japin përgjigje me zemër në dorë! Për të keqen më të madhe dhe turpërimin më të rëndë të vet, as në të mirë të PD- së, të opozitës e të shumicës së shqiptarëve...! Merret me mend se këta as kanë qenë e as janë DMOKRATË, antikomunistë, antiedramistë...,por do të kujtohen thjeshtë si misionarë, mercenarë, tregtarë flamurësh, teserash, votash, vulash, mandatesh, karrigesh...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat