Aleksandër Vuçiç nuk mund të bëhet aleat i SHBA-së dhe BE-së!

Opinione

Aleksandër Vuçiç nuk mund të bëhet aleat i SHBA-së dhe BE-së!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 25 korrik 2023 Në ora: 16:58
Aleksander Vuçiq

Danika Drashkoviç është gruaja e ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe shkrimtarit, Vuk Drashkoviç. Ajo ka dhënë një lajm shumë kompremetues për Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç. Sipas saj, komandanti i Berretave të Kuqe, ish-kolonel i shërbimit sekret serbo-rus, Legija Viçiqit, i dënuar katër herë me nga 40 vite burg për krime të rënda kundër njerëzimit, është liruar nga burgu. Ndër krimet e Legija përmenden pjesëmarrja e tij në masakrën e Familjes Jashari në mars 1998, vrasja e 6 të rinjve serbë në kafenë “Panda” të Pejës, vrasja e ish-presidentit të Serbisë, Stamboliç dhe ish-kryeministrit Gjinxhiq, vrasjet të tjera e përdhunimet masive në Kosovë, vrasja e vëllezërve Bytyçi etj.

Megjithatë koloneli Viçiq kohët e fundit është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Lartë të Serbisë, gjykatë kjo e kontrolluar nga presidenti i vendit, Aleksandër Vuçiç. Këtë vendim të kësaj gjykate Danika Drashkoviç e quan një rikthim të Serbisë në kohën e Milosheviçit dhe rehabilitim të Beretave të Kuqe, si dhe UDB-së famëkeqe edhe për faktin se këta kishin vrarë vëllanë e saj, Veselin Boshkoviq. Ndërkaq Legija akuzohet si një kriminel aktiv në masakrat dhe krimet e “Tigrave të Arkanit” etj.

E gjitha ajo çfarë zonja Dashkoviç thotë shkon në drejtimin e saktë dhe në përcaktimin e drejtë të faktit se presidenti i Serbisë nuk mund të shkëputet nga aleanca dhe lidhjet e tij me Rusinë, presidentin Putin e madje as me shërbimet sekrete të Moskës. Lirimi nga burgu i një krimineli të përmasave të paimagjinueshme e të dënuar nga gjykatat më të ulëta me 160 vite burg, së paku në katër raste me 40 vite burg për secilin rast, është vepër politike dhe akt i imponuar nga shërbimi sekret i Rusisë. Kjo edhe për faktin se koloneli Legija kishte bashkëpunuar në krimet e tij pikërisht me shërbimet sekrete të Kremlinit.

Pas gjithë kësaj çfarë ndodh duhen kërkuar disa sqarime rreth qëndrimit të faktorit perëndimor ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Vuçiç:

- A mundet që një vend, i cili liron nga burgu një terrorist të përmasave ndërkombëtare, të jetë ose të bëhet gjithashtu vend demokratik?! Nëse jo, atëherë a mundet që Serbia si e tillë të jetë ose të bëhet vend anëtar i BE-së dhe NATO-s?! Kush është ai naiv që beson se shteti serb është i gatshëm të ndryshojë strategjinë dhe aleancat e veta, kur njëkohshëm i nënshtrohet presioneve të Moskës për të liruar nga burgu kriminelët e dënuar me dhjetëra e qindra vite heqje lirie?!

- Sipas zonjës Drashkoviç, koloneli i Berretave të Kuqe dhe Tigrave të Arkanit, vrasësi serial dhe gjakftohtë, Vuçiq, është çdo ditë e çdo natë pjesë e emisioneve të televizioneve shtetërore si dhe tabloideve të shumta pro-ruse në Serbi. Lind sërishmi pyetja tjetër: - Një president si Aleksandër Vuçiç, i cili promovon kriminelë të shumë dimensioneve, a mundet të jetë garanci për qendrat perëndimore të vendosjes sa i përket angazhimit të tij për paqe e stabilitet në rajon?!

- Por jo vetëm kaq. Në Serbi shteti po rindërton politikat kriminale të Milosheviçit. Legija dhe bashkëpunëtorët e tij të UDB-së janë aktivë. Madje thuhet se ai prej dy vitesh ka qenë i lirë pa asnjë vendim gjykate. Këta kriminelë të dëshmuar e të dënuar, më pas të liruar nga burgjet serbe me urdhër politikë e të shërbimeve rusë, ngjallin çdo ditë frikë dhe panik te qytetarët. Kjo dëshmon se sundimi i krimit dhe mafies është qëllimi kryesor i presidentit të Serbisë gjë që e bashkon atë me kryeministrin e Shqipërisë. Pyetja që shtrohet është e qartë: - A mundet që një president i tillë, një qeveri si ajo e Serbisë, e cila bashkëpunon me kriminelë lufte për të zgjatur sundimin e tyre në pushtet, të jenë njëkohësisht aleatë të Perëndimit?!

- A është e mundur që shteti serb të bashkëjetojë njëkohësisht me ata që kanë vrarë vëllezërit Bytyçi, tre shtetas amerikanë për të cilët kërkohet prej 25 vitesh drejtësi e, nga ana tjetër të jetë aleat i Uashingtonit? A është legjitime që Alekdsandër Vuçiç të jetë i besuari i Borrell, Lajçak, Escobar, Hill dhe diplomatëve të tjerë euro-amerikanë e njëkohësisht të aktivizojë bandën më të sofistikuar të krimit dhe terrorit serb për destabilzimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor?!

Shërbimet sekrete të SHBA-ve dhe vendeve perëndimore besoj se e njohin shumë mirë situatën në terrenin serb të politikës, diplomacisë dhe atij shtetëror. Burimet që ato kanë nuk mund të thonë të kundërtën e asaj që thotë zonja Danika Drashkoviç, ose Sonja Beserko dhe shumë diplomatë, avokatë dhe personalitete të tjera në Serbi. Megjithatë politika dhe diplomacia perëndimore vazhdon t’i besojë mashtrimeve të presidentit Aleksandër Vuçiç. Vazhdon të besojë se ai do ta revizionojë politikën e Serbisë. E ndërkohë Vuçiç vazhdon veprimtarinë e tij pro-ruse në gjurmët e ish-shefit të tij, Sllobodan Milosheviç!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat