Kufoma politike dhe realiteti shqiptar

Opinione

Kufoma politike dhe realiteti shqiptar

Nga: Ilir Levonja Më: 26 korrik 2023 Në ora: 13:58
Ilir Levonja

Boll u morët me Lulin se na hapët barkun. Mirë Luli vet, me fanellën gjoja të Zelenskit, me takimet me grup seksionet e kopshteve nëpër lagjet e Tironës. Me faktin se ka nisur një foltore kur e nëmi atë që bëri Sali Berisha etj., por edhe ky debat gati kombëtar me një dështak klasik i cili po mban peng një opozitë të tërë, thjesht për një vulë. Ore nuk do ta japi. Nuk dpo ai, nuk do qeveria, nuk do dhe drejtësia e qeverisë. Kaq... Bota po përvëlohet, ju merreni me një të vdekur.

Për më keq Shqipëria, është e gjitha në pikiatë. Javë më javë plas nga një skandal, ose arrestohet nga një peshk i madh, por prapë nuk ndodh asgjë. Madje edhe aty ku shfaqen publikisht vjedhjet e votës, të zgjedhjeve, prapë nuk ndodh asgjë. Madje edhe pse ripërsëriten zgjedhjet, votat dyfishohen po me vjedhje. Dhe prapë nuk ndodh asgjë. Asnjë dorëheqje, asnjë ndjesë publike, as një riformatim qeveritar sikur me një prurje tjetër po nga e majta. Por emri i Edi Ramës i bën rilindasit të shurrosin në brekë, jo më të mendjon rrotacionin.

Nga ana tjetër një opozitë e bastarduar që merret me vulën, përjashtime në grupe spektakolare prej gati 50 mijë vetësh etj., nuk ka se si të shërbëj një qytetari të zhuritur nga zjarret. Nga zjarret qeveritare dhe nga ato të natyrës etj. 50 mijë demokratë të përjashtuar janë gosti faraonësh për Ramën. Aty janë defiçitet e pagave të ulta, pensioneve mizerabël, subvencionimi i bujkut etj. Pasuria e vjedhur me emrin e ish zëvendëskryeministrit nuk është asgjë. Eshtë vetëm porta e minierës. E deficitit gati prej dekadash për ndreqen e çative të shqiptarëve. Ju merreni me një kufomë politike. E para Lulzim Basha nuk është demokrat, nuk ka se si. Mirëpo po e bëni demokrat me këtë vëmendjen e tepruar. Eshtë një kufome politike që mori shumë nga demokratët, jo nga vullneti i tyre, por nga veto e Sali Berishës.

Demokratët kurrë nuk e pranuan Lulzim Bashën, ishte dhe mbeti një mish i huaj. Teknicienët po, qeveria po. Sot edhe ju që i jepni kaq shumë vëmendje. E dyta, kaq e tmerrshme është shkëputja përfundimtare nga ky mish i huaj. U bënë vite tashmë dhe njerëzit kanë nevojë për një front real që mbron ata, jo një front që merret me hallet e veta, front që merret me negativin e Zelenskit etj. Nuk ka parti të demokratëve që e përmbledhin vulat apo stemat me flokë të gjata, me flokë të shkurtra.

Ka marrë fund koncepti bashkim, me dhimbje po ka marrë fund. Nuk kuptoj as rithemelimin që i është ngulur vulës që kanë dy plangprishës dhe kaq. Një riformatim krejt rrënjësor nuk do i mbushte gjoksin vetëm demokratëve, por edhe qytetarëve. Historia është si treni, vagonët ndjekin lokomotivën. Ndaj merruni me hallet e shqiptarëve, jo me kufomat politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat