Kongresi i Partisë (Enveriste) Socialiste do të mbahet këto ditë!

Opinione

Kongresi i Partisë (Enveriste) Socialiste do të mbahet këto ditë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 26 korrik 2023 Në ora: 15:03
Sherif Ramabaja

Me himnin e madhërishëm „ Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni“  këto ditë pritet të filloi Kongresi i Socialistëve.

 Në Kongres si dokument kryesor pritet të aprovohet plani pesëvjeçar. Do të analizohet puna e deritashme e Rilindjes, si dhe do caktohen detyrat që dalin nga plani i ardhshëm pesëvjeçar i partisë.

Në Kongres janë ftuar delegacione nga mbarë bota: Serbia, Afganistani, Palestina, Turkmenistani, Azarbajxhani, Rusia, Korea Veriore, Kuba, Venezuela, Nikaragua, Ekuadori, Bellorusia, shtetet afrikane, Vendet e Painkuadruara, vendet arabe dhe nga e gjithë bota proletare, por si mysafir special është ftuar sivjet, Kolumbia.

Si sukses i pa përshkruar i Partisë do të merret lideri i saj legjendar zoti Rama, i cili qe tre mandate po i fiton zgjedhjet. Me te po fiton populli edhe partia e jonë.

 Opozitën e kemi deklasuar dhe shtrirë përtokë. Me meritën tonë Berisha është shpallur person non grata. Me meritën tonë PD sot emërohet me vulë, e pa vulë. Me meritën tonë sot Luli bredh rrugëve.

 Patronazhistët dhe inceneratorët janë sukseset më të mëdha të cilat i kemi arritur gjatë këtyre tre mandateve. Turizmi ynë është bërë atraktiv dhe numri i turistëve, prej kur e kemi pushtetin është trefishuar. Reklamën më të mirë turizmit ia bënë shefi ynë Rama, përmes rrjeteve sociale.

 Jemi shteti i parë në Ballkan që e legalizuam kanabisin. Bujqit tanë tash e tutje nuk kanë nevojë të mbjellin grurë, speca, domate, kastraveca, shalqi, hudhra, qepë e purri, kur kanë mundësi ta kultivojnë kanabisin. Me këtë bimë industriale dhe shëruese do t´i pushtojmë edhe tregjet ndërkombëtare. Do ta rrisim eksportin dhe do ta zhvillojmë ekonominë. Këto janë pra synimet zhvillimore të Rilindjes dhe Partisë sonë.

Kohët e fundit na kanë përcjellë disa vështirësi, po bashkërisht do t´i tejkalojmë. Disa krye bashkiak na dolën se kanë pasur histori të delikteve, po këtë nuk e dinim. Safet Gjici, krye bashkiaku i Kukësit u kap me një video incizim duke dihatur nga sikleti, po as këtë nuk e dinim. Po ashtu edhe zëvendëskryeministri A. Ahmetaj po akuzohet gjoja për korrupsion, po gjykata ende s´ka vërtetuar asgjë.

 Ish ministri i Punëve të Brendshme S. Tahiri u lirua nga burgu më në fund si i pafajshëm etj. Mal pa ujq, kanë thënë se s´ka. Ne nuk i fshehim gjërat. Kur rastet i cekim dhe distancohemi prej tyre, populli ka mirëkuptim për ne.

Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare shefi ynë Rama arriti ta shkrinte akullin sa i përket marrëdhënieve me Serbinë. Pas 70 vitesh për herë të parë një kryeministër shqiptar e vizitoi këtë shtet, me të cilin ndodheshim në armiqësi të përhershme shkaku i Kosovës.

 Këtë e dokumentoi edhe kryeministrja serbe Bërnabiç – ka. Pastaj shefi ynë Rama së bashku me Serbinë e propozuan Ballkanin e Hapur. Shefi ynë Rama e formoi draft – statutin për Kosovën, të cilin ia dërgoi edhe kancelarive më të njohura botërore. Shefi ynë i përjetshëm e anuloi edhe mbledhjen revizioniste të qeverisë së Kosovës, ku Kurti përpiqej haptas t´i kundërvihej Serbisë duke e sulmuar Veriun e Kosovës, të banuar me popullatë serbe.

Shefi ynë Rama po ashtu çelësin e Tiranës ua dha edhe disa personaliteteve serbë për kontributin mes dy popujve tanë. Falë shefit tonë bregdeti shqiptar është mbushur plot turist serbë, të cilët po ankohen për çmime të larta.

Pra këto janë vetëm disa nga sukseset e politikës së jashtme të Shqipërisë me në krye PS dhe shefin tonë Rama. Suksese të cilat s´do i kishin arritur as Esad Pasha, as Enver Hoxha, as Zogu, as Fadil Hoxha, as Ali Shukriu, as Sinan Hasani, as Azem Vllasi, as Rrahman Morina etj. të cilët përpiqeshin për vëllazërimin e popujve tanë.

Nga puna e bërë me shekuj e decenie, kjo i shkoi ndoresh, kujt tjetër përpos: prijësit, strategut, largpamësit, arkitektit, autorit, gazetarit, shkrimtarit, poetit, kritikut letrar, basketbollistit, shallvaristit, atletistit, ateistit, ortodoksistit, myslimanistit zotit Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat