Shtatë hapat e reformës pensionale, mund të quhen 7 gënjeshtrat e LVV-së!

Opinione

Shtatë hapat e reformës pensionale, mund të quhen 7 gënjeshtrat e LVV-së!

Nga: Hisen Berisha Më: 27 korrik 2023 Në ora: 22:52
Hisen Berisha

Nga reforma që prezanton ky Projektligj, rezulton se reforma pensionale dhe sociale mbetet premtim i harruar i Kurtit dhe LVV.

Sot, ju si qeveri, keni sjellë për votim një projektligj që është detyrim nga Gjykata Kushtetuese, nuk është vullnet i juaj, dhe nuk ka qenë në programin tuaj legjislativ as elektoral.

Sot, në emër të qytetarëve, dua të bëj pytje publike për kryeministrin Kurti:

1. Kur do të fillojnë të implementohen "7 hapat konkret" për reformimin e sistemit pensional, të propozuar nga VETËVENDOSJE gjatë fushatës zgjedhore?

2. Kur do ta sjellni në Kuvend Ligjin për Sigurime Pensionale dhe Invalidore, të cilin e keni premtuar që kur ishit në opozitë?

Nëse ju i keni harruar, atëherë në emër të qytetarëve po ua rikujtojmë premtimin tuaj për reformën pensionale me "7 hapa konkret", nga të cilët asnjë nuk është filluar.

Reformimi i sistemit pensional i propozuar nga VETËVENDOSJE përfshin 7 hapa konkret, që do të duheshin trajtuar me Ligjin për Sigurime Pensionale dhe Invalidore:

1. Caktimi i kontributit shtesë - në tregun e punës nga 5%+5% në 8%+8%, ku diferenca prej 3%+3% (ose 80 mln euro në baza vjetore) do të transferohej në shtyllën e parë për të financuar pensionistët ekzistues. Në këtë mënyrë do të ulej barrë buxhetore drejt zeros në një periudhë prej 5 deri 8 vjetësh, varësisht nga hovi i zhvillimit ekonomik të vendit. Ky kontribut shtesë do t'ia mundësonte qeverisë të paguajë pensione që arrijnë 60% të pagës mesatare.

2. Themelimi i Fondit Pensional - Ky fond do të vendoset në Shtyllën e parë dhe do të kishte për synim të lehtësonte barrën fiskale të pensioneve në buxhet dhe njëkohësisht të rritej nivelin e pensioneve.

3. Hapja e tregut pensional obligativ - lejimi i kontrolluar i konkurrencës në shtyllën e dytë do të siguronte një efikasitet të shtuar si në menaxhimin e kursimeve pensionale, por edhe në rritjen e shumës së grumbulluar. Ky hap do të siguronte drejtën e qytetarëve për të zgjedhur fondin ku duan të kursen për pensione, ardhjen e investitorëve të huaj, ngritjen e kapaciteteve për grumbullimin e kontributeve pensionale, diversifikimin e riskut të asociuar me mbajtjen e gjitha kursimeve pensionale në një fond pensional dhe në fund edhe aftësinë e të njëjtave për të menaxhuar kursimet pensionale.

4. Investimi obligativ i një përqindje të fondit në Kosovë - një përqindje e fondeve që do të mblidhen nga Fondet Pensionale do të duhej të investoheshin në Kosovë. Një përqindje e fondit mund të investohet në asete strategjike kombëtare si Trepça, KEK, apo PTK.

5. Caktimi i një kthimi minimal në investim - 3% duhet të jetë kthimi i garantuar për kursimet e qytetarëve nga fondet pensionale që operojnë në shtyllën e dytë, pra atë obligative. Nëse ky kthim nuk arrihet, i njëjti duhet të rithemelohet nga kapitali i kompanisë.

6. Pastrimi i Listës së Pensionistëve - Listat e pensionistëve aktualë duhet të pastrohen. Ato duhet të përfshijnë vetëm ata individ që duhet të marrin pensione nga shtylla bazë pensionale e Kosovës.

7. Llogaritja e përshkallëzuar e pensionit bazë - në bazë të përvojës së punës për secilin pensionist në mënyrë të shkallëzuar, në bazë të kritereve të përcaktuara me sindikatat e pensionistëve.

Këta 7 hapa të reformimit pensional, mund të quhen 7 genjeshtrat e LVV-s! Sot do të duhej të kërkoni falje dhe jo të krekoseshit këtu.

Keni sjellë një Projektligj që parasheh:

1. Pension parcial dhe jo sipas obligimeve që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

2. Ky Projektligj demton puntorët e larguar nga puna në vitet '90, sepse ua njeh vetëm stazhin, por jo edhe kontributet, siç ështe rasti me puntorët e arsimit të viteve '90 që ua njeh stazhin, por jo edhe kontributet.

3. Kriteri "banor rezident" i domton qytetarët tanë në emigracion. Me këtë Projektligj, parashikohet që ata të kenë minimumi 187 ditë qëndrim rezident në Republikën e Kosovës, ndryshe u ndërprehet pensioni.

4. Do të ulen pensionet për dy vitet e ardhshme.

Kjo, lërini që nuk është skemë e re pensionale, por është një mashtrim i radhës, duke pretenduar se përfitojnë rreth 70 mijë persona. Edhe kjo është genjeshtrë për arsye të thjeshtë, sepse shtrohet pyetja, a kanë qenë 70 mijë të punësuar atë botë, pra vitet ’90 e tutje?! Pra, nuk kanë qenë të punësuar 70 mijë qytetarë shqiptar në institucione në vitet ’90.

Pensionistët dhe qytetarët kanë nevojë për mbështetje reale, ata nuk mund të mbijetojnë me propagandën tuaj, sepse ushqimet dhe barnat blihen me para dhe jo me mekanizmin e genjeshtrës tuaj propagandistike të tipit Gebelsian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat