Urime demokratë, urime Basha për fitoren! Faleminderit SHBA që jeni gjithmonë në mbështetje të shqiptarëve

Opinione

Urime demokratë, urime Basha për fitoren! Faleminderit SHBA që jeni gjithmonë në mbështetje të shqiptarëve

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 1 gusht 2023 Në ora: 07:10
Skënder Sadri Kapiti

Ju demokratë dhe Juve z. Basha pranoni urimin tim për fitoren.

29 Korriku i vitit 2023, tashmë ka hipotekuar në historikun e Partisë Demokratike një ngjarje të madhe me përmasa të jashtëzakonshme; ngjarje kjo si një triumf i demokratëve, i demokracisë dhe të drejtës e të vërtetës kundër establishmentit të vjetër politik dhe status quosë së korrupsionit.

Ky është triumf dhe fitore e vërtetë jo vetëm për PD-në por edhe për demokracinë, për shqiptarët dhe për integrimin sepse kundër zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike ishin angazhuar në maksimum e gjithë politika e vjetër, korrupsioni, hajdutokracia dhe mercenarizmi intelektual, mediatik e shoqëror të cilët u munduan që ta asgjësojnë Alternativën e Re Politike të Partisë Demokratike.

Falenderim për SHBA-të që u janë gjetur gjithmonë pranë shqiptarëve duke sjellë në kujtesë fjalët e mëdha të Znj.Hillary Clinton deklaruar gjatë vizitës së saj në Shqipëri me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë se :

”Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre”.

Këtë urim për demokratët dhe për Bashën për zgjedhjen e Bashës kryetar të PD-së vendosa ta bëj publik edhe për faktin se këtë gjë unë e dëshiroja por edhe e kam paralajmëruar si të pashmangshme. Për kujtesë po ua dërgoj edhe atë se cfarë kam shkruar me 15 QERSHOR 2022, para një viti në shkrimin me titull:

”Lulzim Basha reformatori demokrat dhe proamerikan i politikës, demokracisë dhe shtetit modern “

“Basha ka si vizion e mision për ta ndarë Shqipërinë nga tranzicioni 30 vjecar, nga korrupsioni,prapambetja, padrejtësia, krimi dhe nga fantazmat e së shkuarës që e kanë kapur dhe mbajnë peng Shqipërinë.

E gjithë përpjekja e reformatorit Basha eshte për demokratizimin e shtetit, shoqërisë dhe për shkëputjen nga e kaluara drejt së ardhmes së lirë,demokratike, euro-amerikane dhe të progresit të shtetit modern e ligjor.

Por kundër Bashës ishin dhe u mobilizuan paraja, krimi dhe korrupsioni i politikës së vjetër ,te medias dhe oligarkëve të cilët nuk duan ndryshimin por duan status quonë e vendosur prej tyre.

Ju demokratë të cilët duhet që t’i merrni në dorë fatet e Shqipërisë edhe tani pas 30 vitesh, duhet që ta mbështesni Bashën dhe Elitën e Re Politike të Partisë Demokratike për të ardhur në pushtet dhe për të sjellë ndryshimin kundër korrupsionit,hajdutërisë, krimit dhe tradhtisë e papërgjegjshmërisë kombëtare të pushtetit të Edi Ramës dhe të tërë elitës politike të vjetër në Shqipëri.

Demokratë mos u mashtroni e as mos u manipuloni nga e shkuara, as nga korrupsioni dhe as nga hijet e fantazmat e së shkuarës, por ndërgjegjësohuni se ka 30 vite që Shqipëria është prangosur nga korrupsioni , padrejtësia , vjedhja dhe papërgjegjshmëria politike.

Demokratë, dëgjoni porositë e këshillat SHBA-ve, që janë në shërbim dhe në të mirë të Shqipërisë,demokracisë, drejtësisë, zhvillimit dhe integrimit . Unë Skënder Kapiti që po iu drejtohem juve, jam demokrat si Ju, po nëse mundeni të gjeni kohë e të duroni, ju lutem lexoni këto që po u sjell në kujtesë, disa porosi të SHBA-ve:

Ambasadorja e sotme amerikane në Tiranë znj.Yuri Kim: “Tani ja ku jemi 31 vite nga fundi i komunizmit, 100 vite që kur u vendosën lidhjet me SHBA. Një vend që e ka ekonominë në lulëzim, kur erdha këtu e ndjeva energjinë dhe është frymëzuese. Ky vend ka aftësi për më tepër, por çfarë e bllokon? Korrupsioni.

Këtu duhet të marrësh e të japësh rryshfet në mënyrë që të tregosh talentin. Ky është thelbi i korrupsionit.

Lufta kundër korrupsionit është një çështje e rëndësishme për këtë vend që shteti të jetë i pavarur e i pasur.

Ne duam që Shqipëria të jetë gjithmonë e më shumë një partner.

Ne flasim për rolin e SHBA-ve dhe dëgjoj që më thonë vetëm ju mund ta bëni këtë. Por unë mund të them se vetëm ju mund ta bëni, SHBA do të jetë me ju në çdo hap, ndonjëherë do ju shtyjmë ne, do jeni të lodhur e nuk do të mund të vazhdoni por ne do të jemi aty. Kemi folur për faktin se në 100 vite ju keni kaluar shumë gjëra, jeni anëtar i NATO-s, jeni në prag të BE-së, keni bërë gjithë punën e nevojshme për të qenë anëtar.

Ambasadorja Kim është shprehur edhe se Shqipëria është në një moment kritik, ku duhet të vendosë nëse do të drejtohet nga krimi i organizuar dhe oligarkët apo njerëzit normalë.

“Jeni në një moment kritik të historisë suaj, duhet të vendosi literalisht se në ç’rrugë do të shkoni, do të ecni përpara apo do të shkoni pas. Kush do e zotërojë vendin, krimi i organizuar dhe vetëm oligarkët, apo njerëzit normalë ata që edhe kanë mundësinë për të zotëruar pronat, për të zhvilluar prona e për t’u bërë të pasur? Ju duhet ta vendosni.

A do të jetë rasti që të gjithë do të luftojmë për të gjetur lidhje të veçanta, në mënyrë që t’ia dilni, apo do të krijoni një sistem ku të gjithë do ja dilni, që fëmijët tuaj të jenë të lirë dhe të kenë mundësi të barabarta. Ne besojmë se ju do të bëni zgjedhjen e duhur, në të njëjtën mënyrë siç e keni bërë në çaste kritike. Presim me kënaqësi të punojmë me ju”, tha ambasadorja Kim.

Pra më saktë dhe më me dashamirësi dhe më me respekt nuk ka ku të shkojë kur dëgjon këtë mesazh të rëndësishëm e jetik të SHBA për shqiptarët. Ajo u thotë dhe pyet shqiptarët se:“në ç’rrugë do të shkoni, do të ecni përpara apo do të shkoni pas. Kush do e zotërojë vendin, krimi i organizuar dhe vetëm oligarkët, apo njerëzit normalë …”.

Kjo do të thotë pra se duhet të largohet ky pushtet i sotëm , duhet ndëshkuar krimi i organizuar dhe oligarkët, por ama duhet që këtë ndryshim ta bëjë e reja politike, Basha dhe elita e re politike, pasi nuk mundet dhe nuk e bëjnë këtë ata të korruptuarit dhe as oligarkët e tjerë , pra nuk duhen ricikluar në pushtet krimi, korrupsioni dhe hajnija dhe as e ata që janë shpallur “non grata” nga SHBA, pra as Berisha me foltorexhinjtë.

Situata sot në Shqipëri në vitin2022 është po ajo apo më keq se sa ajo në vitin 2012, dhjetë vite më parë kur në pushtet ishin Berisha dhe elita e vjetër foltoriste e cila është akoma me të dhe rreth tij. Ja se çfarë porosiste në atë kohë Ishsekretarja e Shtetit Znj. Clinton ne vitin 2012 me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë “…ju nxis të përballeni me problemin që ndikon aq shumë demokraci në botë sot, dhe pikërisht korrupsionin. Kjo është një luftë që çdo vend duhet ta kryejë dhe të fitojë sepse në mbarë botën, korrupsioni është një kancer që gërryen shoqëritë. Shteron burimet, bllokon rritjen ekonomike, është mburojë për udhëheqës të paaftë dhe joetikë dhe ndoshta më e keqja, krijon një kulturë pandëshkueshmërie që iu gërryen njerëzve vullnetin për të përmirësuar jetët dhe komunitetet e tyre.
…Çrrënjosja e korrupsionit kërkon përpjekje të pandalshme dhe një përkushtim të përbashkët. Pavarësisht cilës parti i përkisni, pavarësisht cilat janë mosmarrëveshjet tuaja, nxis të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë të gjejnë vullnetin politik për të punuar sëbashku, për t’u përballur me këtë kërcënim ndaj pavarësisë suaj.

Por në fund, vendosja e interesave vetjake dhe interesave partiake prapa interesave kombëtare është ajo që iu kërkohet udhëheqësve demokratikë.

Dhe ka pyetje që ju, dhe vetëm ju, do duhet të ngrini dhe t’iu përgjigjeni:

A do vazhdojë Shqipëria të ngrejë tullat e qeverisjes së mirë?

A do të vazhdojnë udhëheqësit që të fitojnë besimin e njerëzve dhe të sigurojnë që qeveria të prodhojë rezultate?

A do të lini mënjanë politikën personale dhe politikën partiake për të mirën e vendit?

A do të kryeni reformat që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët?

A do ta luftoni korrupsionin që iu vjen për shtat një pakice në kurriz të shumicës?

A do të vazhdoni të bëni punën e madhe që kërkohet për të hyrë në Bashkimin Europian, duke pranuar që ai ofron një rrugë të paqes dhe përparimit afatgjatë për qytetarët tuaj?

A do të vazhdoni të shërbeni si model për rajonin dhe botën”?

Pra që atëhere këto porosi të Znj. Clinton ishin si një paralajmërim për Veting-un, ishin paralajmërim për ish-Kryeministrin Berisha për t’u larguar nga pushteti e politika dhe për t’ua hapur rrugën të rinjve, ringritjes së Partisë Demokratike si partnere besnike e SHBA-ve.

Në linjë me SHBA 8 vite me përkushtim për demokracinë, për luftën kundër korrupsionit dhe për reformimin e Partisë Demokratike dhe të politikës shqiptare ka punuar Lulzim Basha.

Dhe në këtë këndvështrim duhet parë edhe përjashtimi me meritë që iu bë Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së pas shpalljes së ish-kryeministrit Berisha si person padëshirueshëm dhe “non grata” në SHBA për korrupsion dhe për pengim të demokracisë e të drejtësisë.

Basha po kryente kështu Veting-un ,demokratizimin , ringritjen dhe ndarjen e Partisë Demokratike nga korrupsioni, nga e shkuara dhe nga tranzicioni.

Ky është misioni i tij dhe ajo se çfarë duhet që të bëjnë demokratët e vërtetë, rrugëtim i cili pavarësisht se pengohet ai nuk këputet, sepse demokracia dhe më e mira mund të ndërpriten përkohësisht por kurrë nuk do të mund që të këputen.

Pra, Shqipëria e shqiptarët kanë 30 vite që janë e mbetën në udhëkryq apo gjithmonë mbeten në momente kritike. Po kush janë ata që po e mbajnë Shqipërinë në gjendje kritike, në udhëkryq , në tranzicion , në prapambetje e në mosintegrim?

Dihet tashmë se ajo është politika e vjetër ,është ajo që Basha me të drejtë e ka etiketuar si Trekëndëshi i Bermudës , Rama-Berisha-Meta”. Durrës 15 QERSHOR 2022

Shënim:Prandaj po uroj sot demokratët për fitoren , sepse Ju zgjodhët dhe vepruat atë se cfarë duhet me 29 Korrik 2023, vepruat ashtu sikurse dhe porosisin aleati i madh i shqiptarëve, SHBA-të

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat