Kush po e rikthen diferencimin moralo-politik në Kosovë?

Opinione

Kush po e rikthen diferencimin moralo-politik në Kosovë?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 1 gusht 2023 Në ora: 08:54
Rexhep Elezaj

Ata të cilët kanë jetuar nën regjimin komunist ish jugosllav në vitet e 80-ta, e mbajnë mend se si aparati represiv shtetëror serbo-jugosllav pas demonstratave studentore të vitit 1981, instaloi në Kosovë masën staliniste të diferencimit politik, se, kushdo që i përkrah studentët dhe Lëvizjen e tyre për “Kosovën Republikë”, janë armiq të Jugosllavisë. Dhe, si i tillë, regjimi serbo-jugosllav diferencoi me mijëra shqiptarë si “të papërshtatshëm moralo-politikisht”, i cili studentët shqiptarë të UP-së i shpalli irredentist-nacionalist dhe rrënues të rendit kushtetues të Jugosllavisë, meqë sipas UDB-së serbe, gjoja pas demonstratave të tyre po fshihej qëllimi për bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë..!?

Pra, masat diferencuese dhe të etiketimit të shumicës së shqiptarëve si irredentist dhe separatist, përkatësisht moralo-politikisht si qytetarë të papërshtatshëm për regjimin komunist jugosllav, armiq të shtetit, kanë vazhduar deri në vitin 1989, kur Kosovës me tanke iu mor autonomia nga regjimi fashist i Serbisë, dhe, kur për shkak të këtyre masave represive u burgosën, rrahën, torturuan si dhe u morën në biseda informative mbi 700 mijë shqiptarë.

Dhe, siç na kujtohet, ishte kjo ishte faza përgatitore për ripushtimin e Kosovës nga ana e Serbisë, skenar ky pas të cilit qëndronte plani racist i regjimit të Beogradit për vrasjen dhe dëbimin masiv të 2 milion shqiptarëve nga Kosova, plan i cili siç dihet u realizua gjatë viteve 1989/99 për të kulmuar me vrasjen dhe gjenocidin masiv ndaj shqiptarëve.

Populli shqiptar i Kosovës një diferencimi të tillë fashist i doli përballë ku me rezistencën e tij gjithë-popullore për 10 vite luftë dhe sakrifica, ia doli që ta mposhtë atë regjim barbarë, ngase më nuk mund të jetonte si popull i shtypur dhe i rendit të dytë shoqëror, kur dhuna dhe torturat e regjimit kriminal serb, gati sa nuk e zhbën qenien fizike dhe kombëtare të tyre, duke i thënë mjaft robërisë dhe diskriminimeve më të poshtra njerëzore dhe politike që ka përjetuar një popull në Evropë.

Kështu që, aksioma famëkeqe staliniste-enveriste; “Kush nuk është me neve, është kundër nesh..”, ose “kush nuk e dëgjon partinë dhe shokun Enver”, është spiun jugosllav, është tradhtar dhe armik i popullit, alias i PPSH-së, përveç se një ideologjie e tillë komuniste ruso-sllave ka vdekur njëherë e përgjithmonë me rënien e Murit të Berlinit me 1989, e cila historikisht dihet se më së shumti e ka dëmtuar kombin shqiptar, nuk mund të kthehet kurrë më në trojet shqiptare në Ballkan..!

Prandaj, ata të cilët këto ditë po i fryjnë zjarrit të përçarjes dhe diferencimeve politike, sipas formulës së cekur më lartë sllavo-komuniste, “se ata të cilët nuk janë me shumicën e popullit”, na qenkan mercenarë, argat dhe shërbëtorë të Serbisë, duhet ta dinë fare mirë, se duke linçuar dhe shantazhuar gazetarë, medie, intelektualë dhe politikanë opozitarë për çdo fjalim dhe qëndrim të tyre ndryshe, do hyjnë si korba të zi në historinë e re të Kosovës, populli shqiptar i të cilës qysh në vitin 1989 është përcaktuar qartë dhe bindshëm pro vlerave euro-perëndimore, pro miqësisë së përhershme me SHBA-të, dhe e gjithë kjo si ideal dhe synim i përbashkët nacional dhe shekullor i kombit shqiptar.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e saj është e definuar si shtet demokratik me sistem pluralist-parlamentar, prandaj ata të cilët eventualisht duan ta ndryshojnë këtë rend kushtetues për ta shndërruar Kosovën në shtet monist-një partiak, po ashtu duhet ta dinë mirë, se nuk ka forcë politike në Kosovë e cila mund ta rrënon demokracinë dhe rendin kushtetues të saj, e fituar vetëm para 24 viteve me mund, sakrifica si dhe me jetën e mijëra heronjve dhe dëshmorëve të pavdekshëm të saj !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat