Dënimi dhe lirimi në të njëjtën ditë!

Opinione

Dënimi dhe lirimi në të njëjtën ditë!

Nga: Florim Zeqa Më: 4 gusht 2023 Në ora: 08:27
Florim Zeqa

Njerëzit në qeverisjen e vendit duhet vlerësuar në bazë të veprimeve e jo deklarimeve gojore apo fjalëve. Të dinjitetshëm në qeverisje janë ata që i mbajnë fjalët dhe premtimet e dhëna para elektoratit e jo ata që mashtrojnë në vijimësi pa fije turpi qytetarët e vendit.

Lirimi i dy sulmuesve serb dhe ngujimi paradoksal i kryetarit

Dënimi dhe lirimi në të njëjtën ditë i dy serbëve që sulmuan pjestarët e KFOR-it dhe gazetarët, i ngjanë dënimeve me kusht të kriminelëve për krime të rënda të cilët dënohen më kusht. E dënimi me “kusht” i dy serbëve, përkatësisht me nga 6 muaj burg të konvertuar me nga 7 mijë euro është lirim përfundimtar i tyre, ngase ata pas dëbimit të tyre në Serbi nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie juridike ndaj shtetit të Kosovës.

Kjo po i bie që më i rëndë është ngujimi 70 ditor i Lulzim Hetemit në Komunën e Leposaviqit sesa i dy serbëve të që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët!

Siq dihet Lulzim Hetemi u ndihmua nga njësia speciale e Policisë së Kosovës që të futej në zyrën e tij në mëngjesin e hershëm të 29 majit, dhe që nga ajo ditë nuk është raportuar të ketë dalë nga objekti komunal. Pra aty, Lulzim Hetemi ha, rri, punon, pastrohet dhe fle si një i burgosur i ndërgjegjes!

Ky nuk është ushtrim i detyrës zyrtare por një burgim i pazakontë dhe i padëgjuar deri më tani në historinë e qeverisjeve komunale në botë!

Hyrja e Lulzim Hetemit në objektin komunal u prit me protesta nga banorë vendës serbë dhe nga grupe të ndryshme të dhunshme, që sulmuan forcat e rendit dhe gazetarët e mbledhur, dy prej të cilëve u liruan dje nga “drejtësia” kosovare.

Ngujimi i mëtutjeshëm i Hetemit pakuptimtë

Pse, si po qëndron dhe çfarë po punon Lulzim Hetemi në objektin e Komunës, aty ku nuk hyn asnjë qytetarë për të marrë shërbime esenciale nga kryetari, këtë përgjigje duhet ta japin qeveritarët, ata që po e mbajnë të ngujuar për llogari të tyre personale.

Tashmë kur pushteti është deklaruar për mbajtje të zgjedhjeve të reja, të cilat vështirë të definohen, se a janë të parakohshme apo të jashtëzakonshme, të lira apo të detyrueshme nga bashkësia ndërkombëtare, e cila po përdorë kritere të dyfishta kur janë në pyetje zgjedhjet në pjesën veriore.

Jo vetëm familja Hetemi, por të gjithë shqiptarët e pjesës veriore ndjehen të shqetësuar për mungesën e funksionimit të rendit dhe të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Diçka nuk është në rregull pushtetarët në Prishtinë të cilët krejt hallakamen në veri e krijuan kinse në mbrojtje të rendit dhe ligjit, porqë keq-bërësit po dënon dhe liron brenda një dite të vetme. Nuk është në rregull as me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila njëherë e deklaroi njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, tani me ngulm po e kërkon largimin e kryetarëve shqiptar pa legjitimitet qytetar.

Pas dorëzimit të ‘Qeverisë Kurti’ nga presioni ndërkombëtar, më nuk ka asnjë arsye të mbahet Lulzim Hetemi peng i ngujar në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Leposaviq, por duhet t’i kthehet familjes së tij ashtu siq u kthyen dy serbët e “dënuar”!

Për lirimin e Hetemit nga ngujimi duhet të angazhohet bashkësia ndërkombëtare për hirë të shqetësimeve të familjarëve të tij, si akt human dhe civilizues. Për shkak se në botën e civilizuar dhe demokratike nuk ndodhin raste të tilla të vetëngujimit në ndërtesat komunale.

Për pengmbajtjen e Lulzim Hetemit përgjegjëse është partia në pushtet e cila po krenohet me “heroin” e tyre, siq po e quajnë ndryshe edhe si “Oso Kuka” i ditëve të sotme! Se cilat do të jenë pasojat psikologjike të kryetarit të ngujuar mbetet të shihet pas daljes së tij nga objekti komunal në Leposaviq!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat