Një Projektligj i mirë, mbase po aq diskriminues!

Opinione

Një Projektligj i mirë, mbase po aq diskriminues!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 8 gusht 2023 Në ora: 13:05
Rexhep Elezaj

Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili u miratua në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, përveç disa ndryshimeve pozitive, përmban edhe një Nen diskriminues për pensionistët të cilët mund të përfitojnë në pranimin e stazhit pensional të fituar nga puna para vitit 1999, ku në Nenin 2 shkruan:

Plotësohet neni 3 i Ligjit Bazik, ashtu që pas

nën-paragrafit 13 të paragrafit 1, shtohet nën paragrafi 14 me tekstin si në vijim:

1.14. Rezident – nënkupton praninë fizike

në Republikën e Kosovës mbi njëqind e

tetëdhjetë e tre (183) ditë në çdo periudhë

kohore dymbëdhjetë (12) mujore.

Pra, kështu i bie se pa qëndruar në Kosovë gjashtë muaj brenda një viti, qytetarët të cilët janë larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta, nuk do të mund të përfitojnë pensionin si kontribut-pagues, dhe se ata që do goditën nga ky Ligj janë bashkatdhetarët të cilët me vite jetojnë jashtë Kosovës. Pra, sipas këtij ligji, pagesa e pensioneve i ndërpritet nëse pensionisti nuk është rezident në Kosovë 6 muaj brenda vitit.

Dhe, kjo klauzolë sipas njohësve të Kushtetutës e bën këtë ligj diskriminues për disa kategori të pensionistëve, meqë kjo sipas tyre, lexo: ligjdhënësve, se gjoja edhe ligjet e shteteve të tjera nuk lejojnë që qytetarët e tyre të qëndrojnë jashtë shtetit më shumë se gjashtë muaj, gjë që ky konstatim i tyre është krejtësisht “fake news”, sepse p.sh. në Gjermani pensionistët nuk janë fare të obliguar që të lajmërohen për çdo 6 muaj tek organet komunale, ngase me mijëra pensionist gjermanë jetojnë deri në vdekje jashtë shtetit të tyre dhe askush nga organet e shtetit nuk pyet se ku gjenden ata, brenda apo jashtë shtetit.

Prandaj, ajo që patjetër duhet thënë, është fakti i pamohueshëm, se të drejtën e përfitimit nga skemat pensionale me këtë Projektligj, i miratuar në Kuvendin e Kosovës me 28.07.2023, 70 mijë pensionistë, nuk ka organ ligjor dhe shtetëror që mund t’ua mohojë këtë të drejtë, qëndruan disa apo nuk qëndruan në Kosovë për 6 muaj në vit, sepse ata me djersën e tyre të ballit dhe në rrethana tejet të rënda okupuese si dhe shumë të rrezikshme për jetën, rregullisht i kanë paguar kontributet pensionale nga të ardhurat e tyre mujore, prandaj kushtëzimi për marrjen e pensionit me qëndrim rezident 6 mujor në Kosovë, është diskriminim i llojit më të pa presedent në botë, të cilin kusht duhet hequr menjëherë dhe pa hezitim.

Qeveria e Kosovës, me aprovimin në Kuvend të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale, pa dyshim, se ka bërë një akt human dhe patriotik ndaj qytetarëve të saj, të cilët regjimi kriminal i Serbisë i suspendoi nga puna, duke mos iu paguar kurrë asnjë lloj pensioni, ndaj kushtëzimi që disa shqiptarë që kanë punuar deri në vitin 1990, për ta marrë pensionin në mënyrë retroaktive duhet të qëndrojnë 6 muaj në Kosovë, është një akt i rënd diskriminues, kur dihet fakti publik, se p.sh. serbët në Kosovë marrin pensione si dhe të ardhura personale nga dyja shtetet, nga Serbia dhe nga Kosova, prandaj ky kushtëzim për pensionistet shqiptarë nënkupton se shteti i Kosovës nuk e dëshiron mirëqenien e tyre sociale, qoftë edhe nëse marrin të ardhura shtesë në vendet ku ata jetojnë përkohësisht, ngase është shteti ai i cili duhet të bën çdo gjë që qytetari i Kosovës të ketë një jetë sa më të sigurt dhe sa më të begatshme.

Përndryshe, një shtet i cili i kufizon të drejtat e qytetarit të tij me qëndrim (jo)rezident në Kosovë si dhe me forma tjera anti-sociale, nuk mund të quhet demokratik, veçse shtet despotik dhe feudal..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat