Shën Stalini i Putinit dhe simbioza e stalinizmit me ortodoksinë ruse

Opinione

Shën Stalini i Putinit dhe simbioza e stalinizmit me ortodoksinë ruse

Nga: Shaban Murati Më: 24 gusht 2023 Në ora: 10:15
Shaban Murati

Nostalgjia për diktatorët e vdekur është një sëmundje e shtresave të prapambetura në shoqëritë ish-komuniste dhe kryesisht e atyre “kuadrova nga malet”, që diktatorët u dhanë favoret e pasurive të pamerituara, sepse ishin pjesë e nomeklaturave shtypëse dhe vrasëse të diktaturës.

Por fenomeni më i  habitshëm i ditëve të sotme është procesi i ri i shenjtërimit të diktatorëve dhe krijimit të një simbioze të ideologjisë represive komuniste me kishën ortodokse. Kjo po ndodh aktualisht në atdheun e komunizmit Rusi, me figurën e diktatorit të tmerrshëm rus Stalin, që po merr kultin e një shenjti të kishës ortodokse ruse.

Në 15 gusht në qytetin Velikije Luki u përurua monumenti i ri i madh 8 metra i lartë i Stalinit me një ceremoni pompoze politiko-fetare.

Në fakt statuja të Stalinit janë ngritur në dekadën e fundit në dhjetra qytete dhe fshatra të Rusisë. Por e reja e monumenti të ri të Stalinit, që u përurua në 15 gusht, është se për herë të parë në ceremoninë e përurimit moren pjesë priftërinjtë e kishës ortodokse ruse, të cilët publikisht i dhanë Stalinit profilin e një shenjti të ri të Rusisë dhe të kishës ortodokse ruse.

Monumentin e shenjtëroi rektori i tempulit ortodoks të Velikije Lukis, at Antonije, i cili kreu ritin e shenjtërimit të statujës së Stalinit. Fjalën e rastit dhe bekimin fetar të monumentit e mbajti prifti Anatolij Tatarincev i kishës ortodokse ruse, i cili tha se “kisha ka shumë gëzim që kemi tani një monument të tillë madhështor dhe këtu do të ketë gjithmonë lule”.

Aq e madhe ishte euforia e njeriut të kishës ortodokse në fjalimin e tij sa që lëshoi edhe idiotizma të tilla se Stalini bëri mirë që vrau dhe mundoi aq shumë njerëz, sepse “nga lutjet e tyre sot po ringjallet Rusia”.

Artistja Maria Shukshina, e caktuar për të folur në atë ceremoni tha se “Nderimi i Stalinit ka hyrë në mësimet e kishës ortodokse ruse” dhe u kujtoi të pranishmëve se patriarkët e kishës ortodokse ruse Sergej, Aleksej dhe shenjtori Luka e quanin Stalinin “udhëheqës i bekuar i Rusisë”.

Organizatorët e kishin zgjedhur jo rastësisht artisten në fjalë, që t’i thurte lavde Stalinit, sepse ajo i përket shtresës së të persekutuarve të kohës së Stalinit, kur i kanë vrarë edhe gyshin. Ajo në ceremoni deklaroi me pathos fetar se “megjithëse Stalini më ka vrarë gjyshin, unë nuk mund ta urrej njeriun, që ka ruajtur kombin dhe kishën”.

Kjo dëshmon plagën mjerane të regjimeve postkomuniste në vendet ish-komuniste, kur një pjesë e shtresës së të persekutuarve vazhdoi shërbimin ndaj diktatorëve dhe ideologjisë vrastare, që i bëri të vuajnë aq shumë.

Simbioza e re ruse e shkrirjes së figurës së diktatorit Stalin me doktrinën ortodokse dhe paraqitja e tij si një shenjtor i kishës ortodokse ruse është një fonomen i ri tepër interesant, sepse çfaqet edhe si tallje ndaj të vërtetës historike ruse.

Stalini dhe ideologjia e tij komuniste ishin armiq të egër të fesë dhe të kishës. Represionet dhe vrasjet masive barbare të epokës staliniste, ku u vranë më shumë rusë se sa në Luftën e Dytë Botërore, nuk lanë pa gjakosur edhe klerikët e kishës ortodokse ruse. Në kohën e Stalinit u arrestuan 175.800 priftërinj, nga të cilët 110.700 u pushkatuan dhe pjesa tjetër vdiqën nëpër burgjet e llahtarshme ruse.

Tani është e natyrshme që qeverisja e Putinit si Stalin i ri i harron ata, por çudia është që nën presionin e Kremlinit po i harron edhe vetë kisha ortodokse ruse, e cila po e paraqet tani Stalinin si shenjt të ri të ortodoksizmit.

Madje edhe kryetari i Partisë Komuniste të Rusisë, Sergej Malin, e përshëndeti në 18 gusht statujën e re të Stalinit dhe bekimin fetar të saj, duke deklaruar se “Stalini në shpirtin e popullit rus i përket shenjtorëve”.

Kemi fenomenin e ri të shkrirjes së stalinizmit komunist me doktrinën e kishës ortodokse ruse dhe krijimin e shenjtit të ri komunisto-ortodoks Stalin. Shpjegimi, që i jepet këtij fenomeni të ri bazohet në faktin që ai doli në skenë menjëherë pas agresionit të ri ushtarak rus të ndërmarrë nga Putini kundër Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

Është e qartë se simbioza e re e stalinizmit me kishën ortodokse ruse çfaqet si ideologji politike dhe morale e putinizmit imperial rus sot.

Në 21 gusht gazeta e njohur ruse “Novaja gazeta”, duke analizuar këtë ceremoni, nën titullin  “Stalin Pagëzori. Si lindi “stalinizmi fetar”, shkruante se “në këtë kuadër bashkohen figurat e Stalinit dhe të Putinit dhe karizma e Stalinit justifikon vendimet e ashpra të sotme të presidentit të Federatës Ruse”.

Në këtë linjë interesi të ri qeveritar në tekstin e ri zyrtar të historisë së Rusisë, botuar në gusht 2023, Stalini paraqitet si udhëheqës i lavdishëm i Rusisë, dhe drejtori i Shoqatës Historike-Ushtarake të Rusisë, Mihail Mjagkov, deklaroi se “Stalini është paraqitur si drejtues dhe udhëheqës i fitores së madhe dhe ai mbrojti interesat e politikës së jashtëme ruse”.

Programin e hartimit dhe të botimit të këtij teksti të historisë së Rusisë e udhëhoqi Vladimir Medinskij, këshilltar i presidentit Putin, çka tregon urdhërin e Kremlinit për vlerësimin e ri historik të Stalinit.

Presidenti Putin ka nevojë politike dhe ideologjike për mjetet dhe e mënyrat e sundimit të Stalinit dhe për zbukurimin dhe ringjalljen e periudhës staliniste si dhe për bekimin dhe implikimin e kishës ortodokse ruse në strategjinë e tij imperiale. Kisha ortodokse ruse është ndër istrumentat kryesore të sundimit putinian dhe nje përkrahëse e zjarrtë dhe bekuese e agresionit kriminal rus në Ukrainë. Pikërisht për ketë bashkëfajësi të kishës ortodokse ruse me agresionin rus, BE në 2022 e ka shpallur non grata patriarkun Kirill të kishës ortodokse ruse.

Putini po përpiqet të shkrijë lavdinë patriotike të Stalinit me doktrinën fetare të kishës ortodokse për qëllimet e tij të sotme imperiale.

Së pari, Stalini si fitimtar i luftës së madhe patriotike ruse mbi nazizmin i duhet Putinit që ta paraqesë veten njësoj si Stalini, që gjoja po përsërit sot në Ukrainë luftën e madhe antifashiste të asaj kohe. Jo rastësisht ai zgjodhi si justifikim të agresionit të tanishëm rus tezën se Rusia po ndërhyn për të rrëzuar nazizmin në Ukrainë.

Pavarësisht se kjo tingëllon si tezë idiote në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, sepse Ukrana nuk e ka sulmuar dhe pushtuar Rusinë, siç bëri Hitleri në 1941, dhe as mund të imagjinohet sot një regjim nazist në Europë. Por Putinit i duhet për konsum të brendshëm dhe ndaj po luan kaq fort me kartën e patriotizimit të luftës së madhe patriotike, që e udhëhoqi Stalini.

Së dyti, simbioza e taishme e stalinizmit me ortodoksinë dhe kishën i duhet Putinit për të jistifikuar ambicjet e tij të mëdha imperiale dhe për të ringritur nostalgjinë staliniste për përdorimin e mendësisë komuniste sovjetike, që krijoi Stalini. Putini ëndërron që të fitojë vend në historinë e Rusisë krahas Pjetrit të Madh dhe Stalinit, që krijuan “Rusinë e Madhe” dhe ai po marshon  në këtë rrugë me një agresion kundër Gjeorgjisë dhe me dy agresione kundër Ukrainës, duke aneksuar territore të huaja, pavarësisht kostos së gjakut të popullit rus dhe shkatërrimit financiar të vendit.

Së treti, me doktrinën e ri stalinisto-fetare Putin kërkon të përligjë ambicjet e tij pushtuese dhe aneksuese ndaj vendeve ish-komuniste, që sundoi dikur perandoria sovjetike e Stalinit. Jo rastësisht Putini po përdor kaq fort edhe kartën e “Rusisë dhe të Stalinit si çlirues të vendeve të Europës Lindore nga nazizmi” për të legalizuar sot të drejtën e Rusisë së Stalinit, e cila pas luftës së dytë botërore pushtoi gjitha shtetet, që i “çliroi” nga nazizmi.

Në korrik presidenti Putin deklaroi se Polonia duhet t’i jetë mirënjohëse dhe t’i falenderojë Rusinë dhe Stalinin, që i ruajtën asaj sovranitetin pas luftës së dytë botërore. Kjo deklaratë u hodh poshtë menjëherë në 22 korrik nga kryeministri Mateush Moravecki, i cili deklaroi se “Stalini ka qenë një kriminel lufte” dhe udhëzoi ministrinë e jashtme polake të thërriste ambasadorin rus dhe t’i paraqiste një protestë të ashpër.

Presidenti Putin shtrembëron në mënyrë skandaloze historinë dhe bën sikur harron që Stalini me marrëveshjen e fshehtë Ribentrop-Molotov të 23 gushit 1939 e ndau përgjysëm me Hitlerin Poloninë dhe njëkohësisht me Hitlerin e zbatuan atë marrëveshje kriminale në vitin 1939, kur njëkohësisht Gjermania në 1 shtator dhe Rusia në 17 shtator pushtuan të dyja Poloninë dhe të dy fuqitë naziste dhe komuniste nisën Luftën e Dytë Botërore. Pas luftës Rusia e futi me dhunë Poloninë në zonën e sundimit rus deri në shembjen e komunizmit.

Me kultin e ri fetaro-politik të Stalinit Putini synon të paraqesë Rusinë në arenën ndërkombëtare me një rol të ri mesianik botëror, që ka të drejtën të ndërhyjë në të gjitha çeshtjet e botës dhe në punët e brendëshme të shteteve të tjera.

Në zbatim të kësaj ëndrre mesianiko-imperialiste ai po ndërhyn në Europën Lindore dhe në Ballkan, po ndërhyn në Venezuelë e Nikaragua, dhe në kontinentin afrikan, ku njësitë diversioniste të shërbimit sekret ushtarak rus kanë organizuar grushte shteti në Burkina Faso e Mali dhe ditët e fundit në Niger.

Doktrina imperiale e presidentit rus Putin ka vënë në shërbim të saj stalinizmin dhe ortodoksizmin rus në funksion të programit të tij të një Rusie të pafund sovjetike, si dikur Stalini.

Shkrirja e stalinizmit me doktrinën ortodokse ruse dhe paraqitja e tij si shenjt i  ortodoksizmit rus, ka strategjinë e largët të imponimit të ndikimit dhe penetrimit të saj në të gjitha vendet ortodokse dhe veçanërisht në Ballkan, ku kisha ruse ka peshë dominante në kishat ortodokse vendase. Varësia e kishave ortodokse të Ballkanit nga patriarkane ruse është jashtëzakonisht e fuqishme dhe nëpërmjet kishës ortodokse ruse dhe shenjtit të ri komunisto-ortodoks Stalin, Kremlini po punon që të bashkojë rreth interesave të Rusisë të gjitha forcat e vjetra dhe të reja nostalgjike të komunizmit dhe të ortodoksizmit në Ballkan, që të avancojnë strategjinë e politikës ruse.

Brenda kësaj ambicje të Rusisë përfshihet edhe Shqipëria, e cila karakterizohet nga një nostalgji agresive dhe në rritje e apologjetëve të diktaturës enveriste dhe nga një ndikim i fuqishëm i kishës ortodokse ruse mbi kishën ortodokse të Shqipërisë. Kjo e fundit nën diktatin e patriarkanës ruse nuk njeh as kishën autoqefale të Ukrainës, së cilës i ka dhënë autoqefalinë Patriarkana Botërore e Stambollit, as kishën ortodokse të Malit të Zi dhe as kishën  ortodokse të Maqedonisë së Veriut, në një kohë që interesi kombëtar dhe fetar i kombit shqiptar kërkon që të njihen kishat ortodokse kombëtare të popujve të Ballkanit.

Fenomeni i rrezikshëm i Rusisë së sotme për shkrirjen e stalinizmit me ortodoksinë ruse, përbën një instrument të kërcënimit global paneuropian dhe panbotëror rus, i cili pret reagimin adeguat të NATO-s dhe të BE për marrjen e masave preventive ndaj rrymave të nëndheshme dhe të mbidheshme të imperializmit rus, si formë e re rreziku për aleatët atlantikë dhe europianë.

Tingëllon realist paralajmërimi i gazetares ruse Alla Ponomarjova, e cila shkruante në 18 gusht në “Svoboda.org”, se “reabilitimi i stalinizmit mund të çojë vetëm në përsëritjen e stalinizmit”. Është lehtë të imagjinohet se çfarë mund të ndodhë në Ballkan, në Europë dhe botë, nëse përsëriten stalinizmi, hitlerizmi, çausheskizmi, enverizmi, polpotizmi, etj./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat