Samiti i Bledit dhe realiteti i trishtë në Ballkanin Perëndimor!

Opinione

Samiti i Bledit dhe realiteti i trishtë në Ballkanin Perëndimor!

Prof.Dr.Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Asoc. Enver Bytyçi Më 27 gusht 2023 Në ora: 15:28
Flamujt - Foto ilustrim

Sot në mbrëmje mblidhet në Slloveni ai që quhet Forumi Strategjik i Bledit. Ky Forum u krijua më 6 Tetor 2021 në Brdo të Sllovenisë me pjesmarrjen e vendeve anëtare të BE-së, si dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor, përkatësisht Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Serbia. Sipas dokumentit themelues, qëllimi i këtij Forumi është zotimi për perspektivën e qartë europiane të Ballkanit Perendimor, forcimi i bashkëpunimit europian e ballkanik në çeshtjet politike e të sigurisë, zhvillimin digjital etj.

Në deklaratën e gati para dy viteve në Brdo thuhej se BE do të investojë në gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor gjithsej 30 miliard dollarë me qëllim ngritjen e ekonomisë, zbatimin e projekteve të infrastrukturës, për agjendën e inovacionit dhe krijimin e rrjetit të përbashkët rrugor. Sipas deklaratës së 6 tetorit 2021, gjithçka do të bazohej në përgjegjësinë e përbashkët të vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perendimor për ndërtimin e shtetit të së drejtës, reformat ekonomike e sociale dhe respektimin e vlerave, rregullave dhe standardeve europiane.

Kanë kaluar prej asaj kohe gati dy vite dhe ne nuk e dimë nëse sot e nesër Forumi Strategjik i Bledit do të bëjë një bilanc ose jo. Prej asaj kohe Europa ka ndryshuar, sepse Rusia nisi agresionin e saj në Ukrainë. Megjithatë nuk e dimë nëse përfaqësuesit e BE-së dhe kryesuesit e delegacioneve nga vendet e rajonit do të kërkojnë llogari p.sh për qëndrimin e Serbisë ndaj agresorit rus në Ukrainë. Pse Beogradi nuk i përmbahet politikave strategjike të sigurisë dhe bashkëpunimit europian për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës. Pse Serbia vazhdon bashkëpunimin përmes marrëveshjeve Beograd-Moskë në marrëdhëniet ndërkombëtare?! Si është e mundur që presidenti i Serbisë nuk largon nga territori i vendit të tij qendrat logjistike dhe ushtarake të stacionuara nga ana e Rusisë në këtë vend?!

Ne nuk e dimë, nëse vërtet është i sinqertë projekti i Forumit në fjalë për vlerat europiane dhe nëse do të diskutohet për treguesit e ushtrimit të demokracisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, sidomos në Shqipëri e në Serbi?! Pra, a do të ketë një analizë dhe konkluzion rreth asaj që konsiderohet vlera themelore europiane, demokracia, shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar?! Besoj se asnjëra nga këto nuk do të ndodhë. Sepse do të thartoheshin auto e kleptokratët që hiqen si bashkëpunues të rajonit tonë!

Se kujt i duhen Forume të tilla, në të cilat merren vendime për përgjegjësi të përbashkët, ndërkohë që thellohet hendeku i përbashkësisë në funksion të aleancave anti-europiane, këtë mund ta kuptojë vetëm Charles Michel, i cili në tetorin e vitit 2021 parashtroi drejtimet dhe objektivat e këtij Forumi. Ai do të jetë pjesmarrës sot në këtë Forum. Por as që i shkon në mendje të bëjë një bilanc real e të përgjegjshëm. Prandaj dhe vendet e Ballkanit Perendimor rrëshqasin në autoritarizëm dhe bëjnë sikur përpiqen për integrime europiane. Ndërsa vendet e BE-së deklarojnë fonde marramendëse, pa dhënë përgjegjësi për realizimin e tyre. Ato bëjnë sikur po merren me integrimin e vendeve të rajonit tonë.

Të bësh sikur është një gjë dhe të bësh atë që duhet është diçka tjetër. Sot e nesër në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni do të shihni se si autokratët do të bëhen bashkë kundër demokratëve e ndërkohë do të hiqen si demokratë para europianëve. Këta kleptokratë të korruptuar dhe inkriminuar si Vuçiç dhe Rama do të bëjnë moralin, duke ua heq këtë të drejtë demokratëve realë të rajonit tonë. Në kët Forum do të shohim se si përfaqësuesit e Brukselit do të lëvdojnë veprimet dhe qëndrimet anti-europiane në vlera të Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramës dhe do të kritikojnë p.sh Albin Kurtin, pse nuk pranon asosacionin e ndarjes së Kosovës. Do të shohim se si do të bëhen përgjegjës autoritetet e Kosovës për ngjarjet në veri të Mitrovicës dhe jo aleanca serbo-ruso-shqiptare midis Vuçiç- Putin dhe Edi Ramës në prapaskenë.

Edhe në Forumin e sotëm pjesmarrja e Kosovës shoqërohet me futnotë. Eshtë përgjegjësi dhe detyrim i Albin Kurtit që tu thotë kolegëve të tij se koha e futnotës ka kaluar. Vlerat europiane nuk pranojnë diskriminime të tilla. Nëse do të zbatohen këto vlera fitnota duhet të hiqet. Futnota është përçmim, nënçmim, përbuzje dhe injorim i faktit se Kosova është dhe do të jetë shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur, madje në raport me Serbinë e Shqipërinë akoma më demokratike se ato.

Kosova duhet të përfaqësohet sot e nesër në Forumin e Bledit me krenari për sfidat që përballon dhe kapërcen. Të demonstrojë këmbngulje dhe vendosmëri për të respektuar çdo të drejtë kushtetuese për çdo qytetar të saj e njëkohësisht për të mbrojtur me çdo mjet integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror. Sot e nesër Brukseli, Beogradi, por edhe kryeqytetet e tjera të vendeve të BP duhet të marrin mesazhin e prerë se Kosova e institucionet e saj nuk bëjnë kompromis me demokracinë, shtetin e së drejtës, lirinë, pavarësinë dhe integritetin territorial. Sa më shumë të theksohen këto, aq më tepër do të tërhiqen faktorët destruktivë që veprojnë kundër shtetit të Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat