Temat kyçe, për të cilat nuk flitet në Kosovë

Opinione

Temat kyçe, për të cilat nuk flitet në Kosovë

Nga: Rexhep Elezaj Më: 31 gusht 2023 Në ora: 15:57
Rexhep Elezaj

Mungesa e gazetave ditore, revistave javore dhe atyre për fëmijë në kiosqet e Kosovës, është një akt i dëmshëm për emancipimin dhe kulturën shqiptare..!?

Është vlerësim unik në qarqet politike dhe intelektuale në Evropë e më gjerë, se rrjetet sociale, bllogjet, web-faqet dhe portalet në internet, sado që njeriut i ofrojnë kushte më të lehta për lexim dhe informata më të shpejta, gati për çdo gjë, ato në asnjë formë dhe përmbajtje nuk mund ta zëvendësojnë shtypin e botuar ditor, javor dhe mujor. Sepse, përveç ndikimit pozitiv vizual, pamorë dhe mendorë që kanë shtypi dhe gazetat kur ato lexohen në formë të shkruar, janë, pa asnjë mëdyshje, ndër mjetet dhe faktorët më kyç që ndikojnë në emancipimin, përparimin si dhe informimin e drejtë dhe të sakët tek çdo lexues i secilës moshë, pa dallim.

Prandaj, e them me bindje të thellë, se mungesa e shtypit ditorë dhe e revistave të ndryshme javore me përmbajtje edukative, arsimore, kulturore-sportive dhe humor në Kosovë, që ka ndodhur nga përfundimi i luftës e deri më sot, ka qenë dhe vazhdon të jetë gabim trashanik i pronarëve të mediave të shkruara, të cilët e kanë ndërpre botimin e shtypit ditor, mungesa e të cilit po e dëmton rënd inteligjencën, koshiencën, zhvillimin intelektual si dhe shpirtin patriotik-nacional, si kusht themelor për rigjenerim të memories individuale dhe kolektive të shqiptarëve, qoftë si popull me histori të lashtë, qoftë si shoqëri humane, krijuese, historike dhe njerëzore. Nuk duhet harruar as faktin, se një shtresë e madhe e qytetarëve në Kosovë nuk i përdorin rrjetet sociale dhe as nuk kanë mundësi që të kenë pajisje adekuate për ta përdorë internetin, prandaj në mungesë të shtypit ditor ata faktikisht mbesin të painformuar, madje rreth gjërave kryesore që ndodhin në shoqërinë dhe shtetin ku ata jetojnë.

P.sh. në Kosovë në vitit e 80-ta kishte 17 gazeta dhe revista në gjuhen shqipe, më e lexuara ishte revista javore e ilustruar për të rinjtë "Zëri i Rinisë", gazeta ditore "Rilindja", revista për mjekësi, “Shëndeti”, për femra “Kosovarja”, për arsimim teknik “BAT”, për student “Bota e Re”, për humor “Thumbi”, revista letrare “Jeta e Re” si dhe disa të tjera.

Andaj, është shumë i çuditshëm fakti të cilin duhet analizuar deri në detaje, se cilat kanë qenë motivet, shkaqet dhe arsyet që i kanë shtyrë pronarët, sidomos të gazetave ditore në Kosovë, siç është; Koha Ditore, Bota Sot, Zëri Ditor, Kosova Sot, Epoka e Re, etj., pastaj revistat javore; Kosovarja, Shëndeti, ajo për fëmijë etj., që mos t’i botojnë më..!? Pra, pse kanë marrë një vendim të tillë, a kanë qenë të vetëdijshëm se me mos botimin dhe shpërndarjen e tyre nëpër Kosovë, ashtu siç kanë vepruar në kohë shumë më të vështira se tani, kur Kosova është vend i lirë dhe sovran, se po e dëmtojnë lexuesin shqiptar, apo shkak për mos botimin e tyre ka qenë mos leverdia financiare, mungesa e kushteve për ta mbajtur stafin redaktues dhe gazetarët, etj., shpjegim të cilin është dashur t’ia ofrojnë opinionit si dhe lexuesve të tyre të devotshëm.

Pra, nuk duhet harruar faktin, se me mos botimin e gazetave ditore dhe të tjera, lexuesit shqiptar i është marrë e drejta për të qenë i informuar rreth zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore dhe sportive në atdheun e tyre, e jo kjo të bëhet vetëm përmes internetit, madje një obligim ky kushtetues dhe ligjor i pushtetit dhe i qeverisë që qytetarin ta informojë për çdo zhvillim dhe përparim, por dhe ta emancipojë në frymën nacionale-patriotike.

Unë, përveç në Kosovë, nuk kam parë ndonjë shtet fqinj, por as në Evropën perëndimore, që të mos ketë në kiosqet gazeta ditore, javore, etj., ku çdo ditë ato i ofrohen lexuesit dhe qytetarit të tyre, gjë e cila mungesën e shtypit ditor në Kosovë e bën temë numër një për trajtim dhe analizë serioze nga vetë institucionet shtetërore të Kosovës, e jo vetëm ato private, me qëllim që të dilet nga ky terr informativ, si dhe të ndërpritet dëmi që po i shkaktohet lexuesve si dhe vetë procesit të emancipimit bashkëkohor të shoqërisë dhe popullit shqiptar në Kosovë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat