Edhe kur ne flejmë natën, edhe kur ne festojmë të dehur nga padituria jonë, shteti amerikan është duke u kujdesur për shtetin tonë!

Opinione

Edhe kur ne flejmë natën, edhe kur ne festojmë të dehur nga padituria jonë, shteti amerikan është duke u kujdesur për shtetin tonë!

Nga: Nijazi Halili  Më: 6 shtator 2023 Në ora: 11:43
Nijazi Halili 

Historia jonë është ndërlidhur në formë të pashkëputur tashmë me amerikanët. Me popullin dhe administratën amerikane. Asnjëherë nuk është dhe nuk do të jetë e tepërt të konfirmojmë këtë të vërtetë.

Asnjëherë, dhe sidomos tash, nuk është e gabuar të qëndrojmë të palëkundur në miqësinë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së SHBA-ve. Sidomos tash, kur Kosova, rajoni ballkanik dhe bota po përballet me kërcënime globale.

Me sfida që nuk mund të tejkalohen individualisht. As shtetet më të fuqishme nuk e kanë atë mundësi. E lëre më ne dhe rajoni ynë. Shtetet dhe popujt e vegjël, sikurse ky yni, rrallë në historinë e tyre ndërtojnë miqësi të këtilla. Nuk përsëriten çdo vjet e çdo muaj mundësitë e tilla historike.

Nuk duhet në asnjë moment të sillemi ndryshe. Të përceptojmë situata ndryshe! Vendimmarrja strategjike në bazë të perceptimeve të gabuara ka çuar shtetet në izolim dhe shkatërrim. Këtë duhet ta kemi gjithnjë në mendje. Kosova jonë nuk është e vetme. Do ta kishin lakmi shumë shtete dhe popuj në rajon, por edhe rajone tjera të botës, mbështetjen që SHBA-të po japin në vazhdimësi për ne.

Ne, populli i Kosovës, nuk mund të arrinim suksesin historik pa mbështetjen e amerikanëve. Nuk do të mund të arrinim ruajtjen e ekzistencës sonë kombëtare pa përkushtimin amerikan.

Para 239 vjetësh, më 4 korrik 1776, krijuan shtetin e tyre demokratik populli amerikan të udhëhequr nga etërit themelues.

Shteti amerikan është pakrahaueshëm miku më i madh i Kosovës. Ata që na qëndruan afër dhe ishin vendimtar në të paktën këto katër faza:

Së pari, mundësuan shpëtimin dhe çlirimin tonë. Jo shumë vite larg, ne përballeshim me ekzistencën, me hegjemoninë dhe gjenocidin nga regjimi i Millosheviqit.

Së dyti, mundësuan fillimin e demokracisë tek ne.  Një fazë e cila, fatkeqësisht, po zgjat edhe më tutje, kryesisht për shkak të dështimeve tona të brendshme dhe për shkak të vazhdimësisë së logjikave joinstitucionale dhe autoritare.

Së treti, mundësuan pavarësimin tonë dhe njohjet për shtetin e Kosovës. Thjesht, na përkrahën pa lëkundje për të ndërtuar shtetin e Kosovës, në rrethana gjeo-politike mjaft të sfidueshme. 

Pse të mos theksojmë se Qeveria Amerikane ka shpenzuar shumëfish më shumë se ne në lobimin për njohjen e Republikës së Kosovës.
Ta theksojmë, sepse fatkeqësisht po “harrojmë”!

Së katërti, na mundësuan dhe po na mundësojnë sigurinë nacionale dhe qëndrimin në rrugën perëndimore. Këtë që e kemi. me sfida të vazhdueshme, porse të qëndrueshëm në aspektin e mbrojtjes.

Edhe kur ne flejmë natën, ushtarët amerikanë janë këtu. Edhe kur ne festojmë të dehur nga padituria jonë, shteti amerikan është duke u kujdesur për shtetin tonë.

Edhe kur përballeni me Serbinë apo Rusinë, sikurse ishte përballja juridike në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti amerikan ishte aty.

Institucionet, politika dhe shoqëria jonë duhet promovuar miqësinë! Jo vetëm deklarativisht me Amerikën. Duhet të kemi rolin tonë në këtë miqësi.

Jo duke i fshehur gabimet tona prapa Amerikës. Jo duke i ‘treguar’ sa të fuqishëm jemi. Jo duke përkrahur kërcënuesit e Amerikës, që realisht janë kërcënuesit tanë..

Duhet kapërcyer në fazë tjetër. Atë të mbështetjes sonë për Amerikën. Institucionalisht. Për sigurinë e përbashkët dhe për përhapjen e demokracisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat