Organizatat e dala nga lufta

Opinione

Organizatat e dala nga lufta

Nga: Skender Musliu Më: 7 shtator 2023 Në ora: 15:48
Skender Musliu

Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, pas qershorit të vitit 1999, u themeluan disa organizata të dala nga lufta, të cilat si detyrë fillestare kishin evidentimin e dëshmorëve që ranë heroikisht për çlirimin e vendit, pastaj evidentimin e invalidëve të luftës dhe identifikimin dhe përcaktimin e numrit të vërtetë të veteranëve të luftës. Po ashtu detyrë dhe obligim i këtyre organizatave do të duhej të ishte përkujdesja dhe krijimi i kushteve që të ndihmohen invalidët e luftës për shërimin dhe rehabilitimin e tyre nëpër institucione të specializuara spitalore brenda dhe jashtë vendit, si dhe përkujdesjen e familjeve të tyre të cilat mbeten pa kushte minimale për mbijetesë. Por po ashtu, një obligim shumë i rëndësishëm i këtyre organizatave për gjenerata e reja, ishte kultivimi dhe ruajtja e vlerave të UÇK-ës, si një trrashigimi historike e kësaj gjenerate që mbajti mbi supe dhe realizoi përpjekjet shekullore për çlirim.

Mirëpo shtrohet pyetja se, a e arritën këtë qëllim këto organizata !? Fatkeqësisht, me kalimin e kohës këto organizata hyrën nën kthetrat e partive politike, në veçanti të PDK-ës dhe AAK-ës, dhe u shndërruan në dega të tyre partiake dhe në instrument për zbatimin e agjendave të tyre duke u politizuar skajshmërisht.

Së pari, u abuzua me numrin e vërtetë të veteranëve, fatkeqësisht për shkak të papërgjegjshmërisë dhe lakmisë për interes, numri i veteranëve të luftës u rritë nga 13 mijë, sa ia kishin deklaruar vet komandantët KFOR-it, në mbi 65 mijë, duke e bërë buxhetin e Kosovës të papërballueshëm për pagesat e tyre. Mjerisht anëtarët e komisioneve dhe « komandantët » që nuk e panë luftën me sy, në listät e veteranëve futën persona që asnjëherë nuk ishin pjesë e UÇK-ës, madje as që ishin në Kosovë gjatë luftës, në listat e invalidit të luftës pranuan edhe persona që janë lënduar gjetiu, e jo në luftë. « Komandantët » që uzurpuan, kidnapuan, privatizuan dhe hiperbolizuan rolin e tyre në luftë, e rritën numrin e veteranëve të luftës dhe i shitën çertifikatat e veteranit, pa qenë veteran, nga 1.500 deri në 5 apo 6 mijë euro, duke e shndërruar paturpshëm UÇK-ën në plaçkë lufte.

Me rritjen e numrit të veteranëve të rrejshëm, jo vetëm që i zbehën dhe nënçmuan vlerat e luftës dhe veteranët e vërtetë, jo vetëm që ata u pasuruan me miliona euro, por edhe krijuan një elektorat të kushtëzuar për vota, pa votat e të cilëve, sot ndoshta AAK-ja dhe PDK-ja nuk do t’a kalonin as pragun zgjedhor. Dhe si rrjedhojë e këtyre manipulimeve dhe hajnive të « komandantave » dhe anëtarëve të komisioneve që rritën numrin e veteranëve, sot veteranët e vërtetë marrin aq pak për kompenzimin e veteranit, sepse sikur të ishte numri i vërtetë, ky kompenzim do të ishte dy apo tri herë më i lartë.

Së dyti, fatkeqësisht, veteranët e vërtetë janë anashkaluar dhe kanë mbetur në mëshirën e kohës, sepse ka shumë raste kur këta veteran, për shkak kushteve të vështira të jetesës dhe të mos kujdesit nga institucionet që drejtoheshin nga po ata « komandant » që i sollën në këtë situatë, kanë bërë vetvrasje, një pjesë e tyre kanë dalë jashtë Kosovës, për të cilën luftuan, një pjesë ende jetojnë në varfëri duke mbledhur kanaqe dhe shishe të plastikës nëpër rrugë, kurse ata që nuk ishin nëpër vijat e frontit dhe erdhën në pushtet, « blenë » nga dy-tre qind hektarë tokë dhe u pasuruan duke u bërë milionera përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vet ata që do të duhej t’i ruanin dhe kultivojnë vlerat e luftës, u bënë organizator dhe pjesë e manipulimit të tyre, sepse lidershipi i organizatave të dalë nga lufta dhe « komandatët » e tyre, e dinë shumë mirë se ky numër qëllimshëm është rritur tejmase, madje e dinë se cilët persona janë ata, prandaj këta janë të vetmit që do të duhet t’i pastrojnë këto lista, në veçanti PDK-ja dhe AAK-ja që në mënyrë brutale dhe të egër e rritën këtë numër, e jo Qeveria dhe gjykatat. Madje edhe vet kryeministri Kurti, që nga fillimi i mandatit ka kërkuar, që së pari të pastrohen listat e veteranëve dhe pastaj të rriten kompenzimet.

Muaj më parë opozita, në shenjë proteste kundër Qeverisë Kurti, vendosi t’i bojkotojë dhe bllokojë punimet e institucioneve të Kosovës. Organizatat e dala nga lufta në shenjë solidarizimi me opozitën, u deklaruan se do t’i bashkangjiten opozitës për obstruimin e punimeve të Kuvendit të Kosovës. Këto organizata as që e dinë se, pse do t’a bllokojnë punën e institucioneve, sepse këta veprojnë sipas porosive dhe kërkesave të opozitës, e cila deri sa ishte në pushtet i ka alokuar ekstra financa, për t’i mbajtur nën influencën e tyre, madje edhe nga rezervat e shtetit, që është në kundërshtim me Ligjin.

Prandaj në mënyrë legjitime shtrohet pyetja se, pse nuk i bllokuan institucionet, dhe ku ishin këto organizata, kur u rrezikua Rendi Juridik, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës kur kjo opozitë ishte në pushtet, kur i falën mijëra hektarë tokë Maqedonisë dhe Malit të Zi, kur nënshkruan formimin e « Zajednicës », kur formuan Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, kur shefat e tyre haptazi flisnin për ndarjen e Kosovës, dhe shumë vendime tjera antishtetërore !? Në këto raste, sidomos OVL UÇK-ja, nuk ka qenë e zëshëme, sepse ka qenë në të njejtat linja me partitë e inkriminuara.

Në kontekst të politizimit të kësaj organizate, ditë më parë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-ës, Faton Klinaku, në një status të tij, kishte deklaruar se, « më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova. Këto kërcnime janë të papranueshme dhe të rrezikshme, në veçanti kur kjo deklaratë vjen nga një person që do të duhej t’i ruante, jo vetëm vlerat e luftës, por edhe institucionet e Kosovës. Habitë fakti se, përveç disa reagimeve sporadike, opozita nuk reagoi në mënyrë meritore dhe nuk u distancuan nga këto kërcënime. Kjo deklaratë është në vazhdën e urrejtjes të kryeministrit Kurti, që në vazhdimsi « krahu i luftës » e manifeston, si nëpër institucione ashtu edhe nëpër televizione të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat