Dullë, “bjeri kokës” që u bëre “kurban” i Hashimit e Isës, jo tavolinës

Opinione

Dullë, “bjeri kokës” që u bëre “kurban” i Hashimit e Isës, jo tavolinës

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 7 shtator 2023 Në ora: 15:52
Avdullah Hoti

Mungesa e pushteti nuk e transformon njeriun, në fakt shfaq fytyrën e vërtetë të njeriut, ashtu siç shfaqet karakteri i vërtetë i njeriut në humbje. Të gjithë e mbajmë në mendje Avdullah Hotin, njeriun e konsideruar të urtë, të ditur e të mençur. Përkrahësit e Dullës kanë piketuar këto karakteristika me përligjen e njeriut të duhur për të qenë kryeministër.

Avdullah Hoti, tani vetëm deputet i LDK, mbrëmë rrahu tavolinën në një studio televizive e duke kërkuar veprime radikale në Kuvend kundër Albin Kurtit. Për të mbajtur vetën në ekuilibër, Dulla tha se është kundër metodave jo-demokratike si gazi lotsjellës dhe dhuna në Kuvend, por thotë se opozita duhet t’ia pamundësojë këtij ekzekutivi që ta qeverisë me vendin.

Një kërkesë e njeriut të mbajtur si institucionalist nuk është asgjë më tepër pos kërkesë kundër rendit demokratik të vendit dhe thirrje për tensionim. Edhe më e papranueshme është kërkesa e tij që të pengohet puna e Kuvendit, duke mos u votuar më as marrëveshje ndërkombëtare, e tmerrshme të thuhet një gjë e tillë nga cilido deputet i kuvendit të Kosovës.

Kur dihet se shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare janë amerikane, një kërkesë e tillë është anti Kosovë. Tani po bie maska e atyre që në emër të amerikanizmit erdhën në pushtet dhe po me të njëjtin refren akuzojnë qeverinë. Në pamundësi për të goditur qeverinë për afera korruptive, Dulla paska zgjedhur mënyrën më anti demokratike për të bërë opozitarizmin.

Nuk rrëzohet qeveria duke rrahur tavolinat në studio televizive as duke bërë thirrje për bojkot, së pari duhet reflektim për gabimet e veta, pastaj ndërtimin e opozitarizmit gjithnjë brenda normave demokratike dhe mbi të gjitha pa cenuar kurrë interesin e vendit. U bë kurban interesave të Hashimit dhe Isës, bjeri kokës jo tavolinës, o Dullë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat