“Njeri i madh”, si shaka

Opinione

“Njeri i madh”, si shaka

Nga: Ndue Dedaj Më: 8 shtator 2023 Në ora: 15:21
Ndue Dedaj

Aleksandri i Madh. Pjetri i Madh. Katerina e Madhe... Nuk janë më (vetëm) ata. Jemi dhe ne. Në provincë, ku të gjithë janë të mëdhenj, secili më i madh se tjetri dhe vetëm njerëz të vegjël nuk ka, gjatë një show entuziast të një shoqërie biznesi, të gjithë të ftuarit që përformuan, u sajdisën nga prezantuesja kryeqytetase me epitetin “i madh”: “Vjen tani në skenë i madhi…”, “Ta përcjellim me duartrokitje të madhen…”, “Mikrofoni tani për të madhin…” O Zot! Do thuash ti, i intereson reklama e shitblerjes, prandaj. Jo, e hasim këtë dukuri gjithandej, që nga takimet elektorale me daulle katundeve, mbrëmjet festive me qofte e birra në pedonalet e Tiranës, Shkodrës etj., koncertet falenderuese me emigrantët bamirës, gjer te titulli presidencial “Mjeshtër i Madh”, me të cilin përgjithësisht janë nderuar mjeshtrat e vegjël, mbasi, siç është thënë me të qeshur, të mëdhenjtë e vërtetë nuk kanë nevojë për tituj zyrtarë. A thua se “VIP”-at e fryrë publikë dhe artistikë, njerëzit nuk i kanë përditë në sy dhe nuk i peshojnë sa të mëdhenj janë. Ëh, në këtë situatë groteske kishte me u frigue dhe muri i madh kinez, pasi tash çdo “mur” mund të ishte i madh sa ai!?...

Kur dëgjon superlativa të tilla ekzaltuese befas kujtohesh se fjalët “je i madh” i përdorim shpesh në të folurën e përdishme, mes miqsh nëpër tavolina, kur thuhet ndonjë batudë për të qeshur, por pa e pasur seriozisht, kinse ai që etiketohet ashtu është sak i madh. Kur ngrihemi nga aty e kemi harruar “titullin” që sapo i kemi dhënë atij tjetrit me shaka. Mirëpo ndryshon puna, kur kjo shaka e zakonshme mes miqsh synon të kthehet në hierarki e marketing vlerash krijuese dhe tashmë me fjalën i madh duam të veçojmë një person që nuk është si gjithë të tjetrët, por i madh, edhe pse të gjithë e dimë se ai është mesatar në zejen e vet studimore, artistike, sportive etj., pavarësisht pozave që merr dhe ngrefosjes që i bëjnë miqtë në rrjetet siciale duke e quajtur me rastin e ditëlindjes “emblemë”, “bilbil”, “ikonë” etj. dhe ky ua kthen nderën në ditëlindjet e tyre!? (Një hollësi e vogël, shumë nga komentet e ketyre që dekorojnë miqtë e tyre me këtë epitetin i madh, janë plot me gabime ortografike.) Dhe kështu rrjetet sociale dallgëzojnë dita-ditës nga një lyzhdër e tillë “madhështore”. Këtu nuk kemi të bëjmë asesi me njerëz të mëdhenj, por me një mendjemadhësi “kolektive”.

Një e përditshme kishte sjellë këto ditë një poezi të poetit nga Kosova Jakup Ceraja, kushtruar Nënë Terezës në vitin ‘84. Aty gjejmë shprehjet e figurshme: “Nënë me germa të mëdha”, “këngë të madhe”, “një fjalë e madhe” që në vargjet e para, pasi poeti është i eklipsuar si e gjithë bota nga madhështia e “Nënës tonë të madhe me dafinë në dorë”… Nuk mund të gjendet një fjalë tjetër për cilësimin e saj, përpos se “e madhe”, çka, nga ana tjetër, do të thotë, o jo që shkruani, flisni në mediume, prezantoni, jepni dekorata, matuni shtatë herë përpara se me këtë epitet t’i drejtoheni tjetërkujt! I madh nuk është domosdoshmërisht as kreu i shtetit, që ka tagrin të japë titullin “Mjeshtër i Madh” të mëdhenjve, ai është drejtuesi i institucionit më i lartë i shtetit. Sa me vend e përdorin të mëdhenjtë epitetin e madh në shkrimet e tyre. “Eskli, ky humbës i madh” shkruan Ismail Kadare, pasi një tragjedian si ai si mund të ishte një humbës i vogël? I njëjti autor e titullon romanin e tij “Dimri i vetmisë së madhe”, pasi asnjë epitet tjetër nuk do t’i shkonte më shumë përmbajtjes së veprës. “E madhe është gjëma e mëkatit” e titullon njërën nga novelat e tij më të përmendura Mitrush Kuteli. At Zef Pllumi i quan vëllezërit e tij të zhgunit, “Françeskanët e Mëdhaj”, pasi veç një epitet i tillë i lartëson ata, për veprën e shquar të papërsëritshme që krijuan. Si mund të quhen ndryshe autorët e veprave të mëdha: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Lahuta e Malsisë”, “Visaret e Kombit” e gjer “Rrno veç për me tregue”?

E dimë se marria që na ka kapluar është aq e madhe, sa zor që të ndikojnë shkrime të tilla fejtonike, por sidoqoftë ne bëjmë tonën. Me dallkaukllëk nuk shkohet në Europë, e askund. Ne kemi pasë një fjalë të urtë të rrallë, “Nuk i bie fjala në tokë”, që ia vlen të jetë palca e filozofisë, auditorit, gazetarisë, komunikimit, mediave, kumtimeve të ndryshme. Zor se mund të ketë një formulim më preçiz të mençurisë së fjalës. Dmth çdo fjalë shkon aty ku duhet. E kundërta e saj është “E lëshon fjalën si lopa bajgën”. Kjo është tipike e kësaj kohe. Rrjetet sociale e kanë lëshuar fjalën për tokë. Ndaj duhet të lutemi përditë për shpirtin e Umberto Ekos, që na paralajmëroi se çfarë po ndodhte me teknologjinë, që muhabetet e kafeneve i bëri biseda të krejt botës... Thënë ndryshe tallavaja përfshiu dhe fjalën, ajo pësoi një inflacion të paparë. Supërlativat skandaloze “i madh”, “i shquar”, “i famshëm”, “i paparë”, “supërkëngëtar” etj. janë për të qarë e për të qeshur. Duhet quajtur fat që deri tani kanë shpëtuar pa u shpërdoruar epitetet “Madhëri” dhe “Naltmadhni”...

Mirëpo kjo është e gjitha një tollovi dhe hipokrizi sociale. Ata që janë të guximshëm, të zotët, ne i zëmë me “gurë”, duke i etiketuar: rebelë, kryeneçë, të pabindur, plangprishës etj. Doni emra? Ka sa të duash! Sot e gjithmonë. Petro Marko. Musine Kokalari. Adem Demaçi. Kasem Trebeshina. Sabiha Kasimati. Dom Shtjefën Kurti. Kujtim Spahivogli. Ukshin Hoti. Fehmi Agani. Maks Velo etj. Janë vetëm disa nga emrat e elitës së djeshme. Edhe sot intelektualë të mirënjohur, si akademik Artan Fuga, nuk dinë t’ia bëjnë “amin” qeverisë për reformat e ndryshme në arsimin e lartë, Akademinë e Shkencave etj. Portalet shkruanin këto ditë se është pushuar nga detyra mjeku anestezist i Spitalt të Traumës në Tiranë Apostol Vaso se kishte zero kredite nga Qendra e Edukimit në Vazhdim dhe kësisoj nuk mund të pajiset me liçensë nga Urdhri i Mjekut. Teksa ky mjek pa titull i ka botuar studimet e tij në revista shkencore prestigjoze ndërkombëtare, duke pasur shumë referime dhe citime, që nuk janë like kalimthi, si dhe është ftuar për të folur në kongrese botërore të shkencës së Agologjisë etj.

Përndryshe, këta tipa shoqërisë sonë, institucioneve akademike u bëjnë hije! Këta flasin, nuk e mbajnë gojën mbyllur, e si mund të jenë të mëdhenj këta? Apo nuk ka pasur disa zëra kritikë ndaj qeverisë nga doktorë, ekonomistë, publicistë të mirënjohur? Të mëdhenj jemi ne që kemi marrë përsipër ta mbushim botëzën tonë me llomotitje boshe, kur të vjetrit vetëm perëndisë ia njihnin epitetin i madh: “I madhi Zot të qofshim falë!”...

Daullexhinjtë e farsave të “madhërishme” nuk kanë asgjë të përbashkët me daullerënësit profesionistë të koncerteve të muzikës popullore, që janë në zanatin e tyre. Me kopukët e politikës, publikes, artistikes po! Ndërkohë të mëdhenjtë e kohërave nuk shtiren, ata janë atje ku nuk shihen, në histori. Po shihnim këto ditë një film artistik me “minierë” të vitit 1969, ku luanin aktorët e famshëm Naim Frashëri, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Ndrekë Luca, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja etj. Ku t’i gjesh sot artistë të tillë klasi në kushtet e lirisë së kinemasë apo kinemasë së lirë. Me lojën tyre aktoriale të papërsëritshme, ata arritën të bënin art, edhe në kuadrin e një shoqërie të ideologjizuar. Kjo plejadë rrezikon të mos njihet nga breznitë e reja, për shkak se filmat e asaj periudhe ishin jo pak propandistikë, por aktrimi i tyre arriti të mishëronte figura artistike, si të mjekut, mësuesit, aviatorit etj. Arti i skenës, ekranit, kinemasë nuk mund të zëvendësohet me disa gaztorë të kryeqytetit që ua thotë mendja se publiku pëlqen improvizimet, gallatën dhe qyfyret e tyre të rëndomta në ekran...

“Njeri i madh” nuk është një shaka, rëndomësi, vanitet. Sa herë të keni tundimin për të qenë vetë, apo për t’i thirrur dikujt “i madh”, kujtohuni për elitat e këtij kombi, ndaloni për një çast dhe hidhini një sy Kongresit të Manastirit (1908), Komisisë Letrare (1916), Institutit të Studimeve Shqiptare (1940), apo institucione të tjera arsimore, shkencore, kulturore, ku bënin pjesë: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Ndre Mjeda, Asdreni, Sotir Peci, Maksimilan Lamberc, Terenc Toçi, Hil Mosi, Migjeni, Ernest Koliqi, Eqerem Çabej, Ndue Paluca, Aleksandër Xhuvani etj.

I madh nuk është vetëm ai që ka grada e tituj, por cilido që bën punë të mira për vendin e tij, pa pritur shpërblim. Ky nuk është një moralizim, por kredo e çdo qytetërimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat