Kush ka më shumë meritë për golin e Nedim Bajramit...?

Opinione

Kush ka më shumë meritë për golin e Nedim Bajramit...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 9 shtator 2023 Në ora: 10:52
Xhevat Mustafa

Nga një "burim i mirinformuar" ka dalë informacioni se Nedim Bajramit, ashtu si edhe lojtarëve të tjerë, "i ishte futur" para ndeshjes në trup një çip! Nëpërmjet çipave ata ishin të lidhur" gjatë 90 minutave me njerin nga dy satelitët e Edi Ramës, që bredhin gjatë 24 orëve nëpër hapësirë, herë më larg e herë më afër Tiranës dhe hanës...! Në çastin e golit, Nedim Bajrami "është këshilluar, instruktuar", "urdhëruar"..., nga "dora vetë Edi Rama", me fantazi apo në mënyrë figurative, ngjashëm sikur me qenë dora e ZOTIT, për manovrimin para gjuajtjes dhe më vonë, për çlirimin nga kundërshtari e për formën dhe këndin e gjuajtjes, me e lënë portjerin sy, gojë e krahëhapur!? Pra, për këtë gol fantastik merita, ndryshe nga përgjegjësia politike, qeverisëse, korrupsioniste..., nuk është personale, por edhe ca..."surreliane e globale"! Ndërsa për rastin e humbur, pak minuta më vonë, kur 3 sulmues tanët ishin me një mbrojtës çek, "fajin e ka, fajtori për të gjitha fajet në këta mbi 78 vjet", Sali Berisha"!

Nga informacionet që kanë "shërbime të specializuara shqiptare e çeke", Saliu, befasisht dhe pabesisht, "ndërpreu lidhjen" e 3 sulmuesve të ekipit të Shqipërisë në Pragë me satelitin e Ramës, që "e përmbyt për ditë e natë me informacione sekrete, me të dhëna personale, me "vota fitorjesh historike", me naftë Shpiragu"..., rilindje- qeverinë në Tiranë!? Shumëkush mund të mendojë dhe pyesë: vërtetë paskemi kaq shumë “përfitime dhe të mira” nga satelitët e Edi Ramës?! Përgjigja mund të ishte afërsisht kjo: Si mund të mos nxjerrë ai "kryevepra" edhe në këtë "art"? Thuhet gojë më gojë e vesh më vesh, “duke u ruajtur sekreti” nga njerëz të afërt me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën si dhe nga Frrok Çupi, Dritan Hila e shokë të tyre për soj e kokë, se nga një grup "tifozësh të çmendur rilindas" është menduar të përgatitet një denoncim për Sali Berishën e "po mblidhen" me shumicë e shpejtësi firma. Denoncimi "do të dërgohet" në DASH e në SPAK! Berisha mund të akuzohet për një "akt të pastër sabotazhi" të interesit ekipor dhe kombëtar, të rezultatit të ndeshjes dhe për rritjen e imazhit shqiptar, në botën mbarë, sidomos këtë vit, me një "bum turistik të paparë..."!? Ndërsa për golin e Nedim Bajramit, po nga këta "tifozë të tërbuar" rilindas "është menduar" që t"i propozohet Edi Ramës ta dekorojë veten me "Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike"!? Nëqoftëse Edi Rama nuk e bën këtë për modesti, propozimi mund t'i dërgohet Presidentit Begaj, për t'i dhënë një dekoratë të lartë në kompetencë të tij...Lum kush të rrojë, që si dekorimin e Edi Ramës, ashtu dhe dënimin e Sali Berishës, t'i shikojë e përjetojë!

P.S: Kjo ishte "përralla e gjyshit për sot fëmijë të dashur"! Ju bëftë mirë mëngjesi, kafeja e parë dhe kalofshi një fundjavë të këndshme! Mbi të gjitha, me gëzimin e madh të fitores të djelën në darkë me Poloninë e Lewandovskit...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat