Nuk mund të gjykojmë drejtë, pa e njohur dhe pranuar të vërtetën

Opinione

Nuk mund të gjykojmë drejtë, pa e njohur dhe pranuar të vërtetën

Nga: Lirim Gashi Më: 13 shtator 2023 Në ora: 13:16
Lirim Gashi

Motrat dhe vëllezërit tanë, të cilët në një situatë në dukje të pashpresë ku bëhej fjalë për jetë a vdekje, vendosën të sakrifikojnë jetën e tyre, duke drejtuar pushkën në drejtim të armikut shumë herë më të fuqishëm serb, sepse ajo thënia e famshme e pleqve tanë të urtë "ata ose ne" ishte bërë realitet, për fat të keq nuk e morën respektin dhe dashurinë më të madhe prej popullit të tyre pas luftës, sepse qëllimet e tyre të sinqerta dhe fisnike, si dhe guximin dhe meritat e tyre të pafundme u keqpërdorën nga disa shokë të tyre të luftës, që e quajtën veten komandantë.

Sepse pikërisht ata të vetëquajtur komandantë që më së paku e rrezikuan jetën e tyre duke qëndruar larg vijave të frontit, e shpallen veten heronj të gjallë dhe ia përcollën ndjenjën popullit se e gjithë bota dhe historia e saj sillej në atë kohë rreth tyre.

Por e vërteta ishte krejtësisht ndryshe:

Këta ishin njerëz që edhe gjatë luftës treguan karakterin e tyre jashtëzakonisht të lig, egoist dhe të pamëshirshëm, duke i keqpërdorur paratë e fituara me mund të mërgimtarëve tanë, të cilat i grumbulluan dhe sponsorizuan, për të armatosur Ushtrinë Tonë Të Shenjtë Çlirimtare, për të blerë tokë, ose për t'u pasuruar.

Imagjinoni, kishte njerëz që mendonin për privilegje të tilla të mallkuara materiale në mes të një lufte në të cilën ishte e rrezikuar jeta dhe ekzistenca e një populli të tërë.

Dhe unë do të jem i sinqertë me ju.

Kushdo që mendon për gjëra të tilla të mallkuara materiale në mes të luftës dhe zjarrit, ku fëmijët, gratë, të rinjtë dhe të moshuarit theren si kafshë me bajoneta pasi që dhunohen mizorisht, është në gjendje t'i vrasë me gjakftohtësi të paparë dhe tinëzisht edhe shokët e tij më besnikë gjatë rrugës.

Dhe pikërisht njerëzit që u sollën në këtë mënyrë të paskrupullt në luftë, vazhduan sjelljen e tyre djallëzore në paqe, duke i shkaktuar dëme të pamatshme jo vetëm popullit dhe shtetit të tyre por edhe ushtrisë sonë të shenjtë çlirimtare.

Dhe logjikisht, fatkeqësia dhe padrejtësia e pagjykuar drejtë që ndodhi në luftë e solli fatkeqësinë dhe padrejtësinë në paqe, sepse atëherë populli i zgjodhi në pushtet ata që nuk kishin asnjë lidhje me luftën, përkundrazi, që u munduan në mënyrë paqësore dhe utopike t'i përmbushin premtimet e tyre joreale.

Mirëpo, mes vrasësve të shokëve të tyre besnikë, banditëve dhe përfituesve të luftës dhe atyre që tentuan me metoda utopike dhe paqësore t'i realizojnë qëllimet e shenjta të kombit tonë, madje duke e sabotuar pjesërisht luftën, populli vendosi për këta të fundit.

Nëse duam të jemi të pastër me veten dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, ne duhet ta dimë dhe pranojmë të vërtetën, në mënyrë që një herë e mirë të jemi gati të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të ecim përpara, e jo gjithmonë të kthehemi mbrapa.

Sepse vetëm ata që e dinë dhe pranojnë të vërtetën, mund të gjykojnë drejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat