Shtetet e dobëta mjedis i përshtatshëm për kriza!

Opinione

Shtetet e dobëta mjedis i përshtatshëm për kriza!

Nga: Nijazi Halili  Më: 17 shtator 2023 Në ora: 08:14
Nijazi Halili 

Krahas sfidave të brendshme, vendet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohen edhe me probleme e bashkëpunimit rajonal. Pavarësisht retorikës politike, e cila gjithnjë e më shumë bëhet në frymën e BE-së dhe të NATO-s, faktikisht gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme ndërmjet tyre.

Një grup problemesh rrjedhin nga trashëgimia, siç janë problemet e shteteve të reja,  të drejtat e pakicave etnike, të pronave në zonat e zhvendosjeve të popullsive historikisht ose për arsye konfliktesh,  administrimi i kufijve,  kontrollimi i trafiqeve, krimi transnacional dhe simptomave të terrorizmit. 

Një grup tjetër problemesh lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe institucioneve sipas standardeve të BE-së dhe NATO-s.

Ky grup problemesh ka të bëjë me integrimin, i cili përmban dy hallka, përafrimi  rajonal, vlerësimi mbi baza individuale, grupi i fundit i problemeve është ai i kuadrit të bashkëpunimit ekonomik, i cili nis me tregtinë e lirë, lëvizjen e mallrave, kapitaleve, shërbimeve, njerëzve dhe vijon me projektet e një revolucioni të vërtetë në ndërtimin e infrastrukturës rajonale në integrim të plotë me atë të Bashkimit Evropian. 

Në këtë mënyrë, tranzicioni i vendeve të Ballkanit Perëndimor synon që të ndërtohet në këtë rajon modeli evropian i shtetit.

Ky model përmban Shtetin e së drejtës, të sundojë ligji, demokracia, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të pakicave, ekonomia  e tregut të lirë, funksionale dhe e hapur ndaj tregut evropian dhe botëror. Për sa kohë vendet e këtij rajoni do të vijojnë të përballen me probleme drejt arritjes së këtyre standardeve, tranzicioni do të vijojë të ndikojë në ekzistencën e shteteve të dobëta.

Shtetet e dobëta në vetvete, sikundër e parashtruam më lart, janë një mjedis i përshtatshëm për kriza të ç'farëdo lloji dhe të ç'farëdo përmase, kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Duke pasur parasysh edhe pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Ballkanit Perëndimor, traditat, lidhjet dhe ndikimet nga Mesdheu e Lindja e Mesme, mund të merret me mend se vjimi i ekzistencës së shteteve të dobëta në këtë rajon përbën një rrezik potencial për destabilitet dhe kriza me ndikime më të gjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat