Çfarë ka bërë Turqia për ne dhe çfarë kemi bërë ne për Turqinë?

Opinione

Çfarë ka bërë Turqia për ne dhe çfarë kemi bërë ne për Turqinë?

Nga: Lirim Gashi Më: 18 shtator 2023 Në ora: 13:46
Lirim Gashi

Nuk kam asgjë kundër turqve, fesë së tyre, vullnetit të tyre politik, mënyrës së tyre të jetesës, kulturës së tyre dhe fshatrave dhe qyteteve të tyre të bukura.

Madje nuk kam asgjë as kundër shtetit turk dhe rendit të tij politik, shoqëror dhe qeveritar, sepse çdo komb ka të drejtë të ndërtojë në mënyrë të pavarur mënyrën më të mirë dhe më të përshtatshme të jetesës.

Dhe këtu turqit janë të paarritshëm për ne në çdo aspekt, ndaj meritojnë respekt dhe nder të veçantë për këtë.

Por në fund të fundit, është puna e tyre.

Për mua është e rëndësishme që shqiptarët që jetojnë atje të bëjnë një jetë dinjitoze.

Por nëse dikush duhet të jetë mirënjohës për gjithçka që ka bërë pala tjetër, atëherë duhet të jenë  turqit shumë më tepër se ne shqiptarët.

Dhe shteti turk tregoi në shikim të parë respekt për ne shqiptarët kur e njohu Kosovën.

Por fatkeqësisht ne e paguam shumë shtrenjtë këtë shërbim më vonë.

Gjithçka që pasoi ishte një përpjekje e vazhdueshme e Erdoganit për ta kthyer Kosovën në një vilajet feudal turk.

Pra raporti i tij me shqiptarët karakterizohej nga përpjekja e tij e vazhdueshme për të fshirë kujtesën e tyre kolektive historike "se kush ishte paraardhësi i shtetit laik turk, kush e krijoi këtë shtet dhe rendin e tij shoqëror e qeveritar, kush e krijoi madje kombin turk dhe kush i konvertoi hieroglifet dhe shkrimet osmane që as djalli nuk mund t'i deshifronte në shkronja dhe shkrime latine"?!

Shteti dhe kombi modern turk u krijua nga Ataturku shqiptar dhe jo vetëm alfabeti aktual turk, por edhe gjuha moderne turke u krijua nga një shqiptar tjetër, pra nga Sami Frashëri.

A ka shërbim më të madh se ky ndaj një ish-pushtuesi gjakatar që na ka shkelur si kërmijtë dhe na ka ndaluar ndër të tjera shkronjat, gjuhën, alfabetin, kulturën, identitetin dhe dinjitetin për pesëqind vjet me radhë?

Çfarë ka bërë Turqia për ne shqiptarët dhe Kosovën tonë dhe çfarë ka bërë për serbët dhe Serbinë e tyre?

Në vendin tonë kompanitë turke kanë ndërtuar një infrastrukturë dyfish më të shtrenjtë, sepse zvarranikët tanë të pashkolluar, të pangopur, hajdutë dhe tradhtarë në krye të shtetit, që zëvendësuan uniformat e tyre ushtarake me gardëroba politike, ishin gati të gjunjëzoheshin para Erdoganit si skllevërit e jargavitur dhe të zvarriteshin si kermijtë deri te bytha e tij për ta puthur dhe lëpirë për para.

Prandaj, e lejuan atë që ta kthejë Kosovën jo vetëm në një koloni klasike turke, por edhe në një vilajet më primitiv fetar, radikal e fashist se çdo vilajet tjetër në Turqi.

A mund ta imagjinoni se çfarë shërbimi i kanë bërë zvarranikët tanë të pashkolluar, të pangopur, tradhtarë dhe hajdutë  Erdoganit, mikut më të ngushtë të Vuçiqit, Putinit dhe Dodikut, i cili ndërtoi mbi 1000 xhami në Kosovë dhe e vuri në pikëpyetje  besueshmërinë e aleatëve tanë më të rëndësishëm perëndimorë dhe transatlantikë ndaj nesh që themeluan shtetin tonë, sepse ata sot nuk janë më të sigurt se çfarë duan realisht shqiptarët.

Duan të anëtarësohen në Ligën Arabe apo në Bashkimin Evropian?

Erdogani është shumë i zgjuar, fleksibël, i ëmbël dhe djallëzor.

Ai hip në aeroplanin e tij për t'u sjellë miliarda euro investime serbëve në Beograd dhe teksa fluturon mbi Prishtinë, ua hedh shqiptarëve nga ajri tre karamela, katër çokollata dhe pesë pelena, ndërsa ata shkrihen nga lumturia si akulloret në gusht dhe e quajnë atë babai i kombit.

Çfarë bëjnë serbët?

Ata e pranojnë ndihmën e tij gjakftohtë, me rezervë, me dinjitet, me krenari dhe pa zhurmë e mirënjohje të panevojshme.

Në të njëjtën kohë, ata nuk i japin atij as një shans imagjinar të ëndërrojë ndryshimin e identitetit të tyre etnik dhe fetar, e aq më pak të ndërmarrë veprime konkrete kundër tyre.

Ne shqiptarët jo vetëm që e lejojmë të bëjë çfarë të dojë me ne, por nga dashuria për të jemi të gatshëm të ndryshojmë historinë, fenë, identitetin dhe madje edhe ADN-në tonë.

Më tej, ne për hir të tij, jemi gati ta shpallim babanë e kombit, Gjergj Kastriotin, tradhtar të kombit, ndërkaq pushtuesin e poshtër dhe gjakatar, Sulltan Muratin, çlirimtar dhe hero të kombit.

A ka tradhtarë më të mëdhenj të kombit dhe shtetit të tyre në botë se sa ne shqiptarët?

As zvarranikët nuk kanë kaq pak krenari, dinjitet dhe respekt për veten.

Ne shesim gjithçka për para, ndaj nuk duhet të çuditemi aspak pse gjendemi në këtë situatë dhe aq më pak kemi të drejtë të fajësojmë dikë tjetër përveç vetes.

Sepse ne jemi armiqtë më të rrezikshëm të njëri-tjetrit, të kombit dhe të shtetit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat