Akoma Serbia, e luan rrolin e bishës gjakpirëse!

Opinione

Akoma Serbia, e luan rrolin e bishës gjakpirëse!

Nga: Dedë Preqi Më: 19 shtator 2023 Në ora: 11:25
Autori Dedë Preqi

Pse kjo racë njerëzore e luan rrolin e bishave të egra gjakpirëse, të cilat dalin përherë në skenë sikur çakaj të çartur dhe i ndërdyhen natyrave njerëzore në hapësirën e lirisë së tij, për të mos e lënë në qetësinë e vet, dhe si pjesëmarrës i lirisë dhe demokracisë njerëzore.

Me këtë koncept ne nuk mendojmë se duhet të bëhen dallime në mes racave njerëzore, por secila shoqëri e kësaj qenie është një strukturë hyjnore dhe logjike, e cila do të dallonte nga qeniet e egra primitive dhe të dhunshme, me format jetësore, me emocionet e tij dhe përvojat etike e racionale, duke fituar mundësi optimizmi dhe harmonizimi sipas të cilave krijohet kultura e bashkësive njerëzore.

Thotë një fjalë e urtë, kur ndërgjegjja e njeriut nuk merr mbi vete përgjegjësinë e fuqisë së vet që i takon, atë e pushtojnë djajtë, të cilin e udhëheqin vetëm për të shkatërruar të mirat që ai i krijon, duke e sulmuar dhe kafshuar edhe vetë qenien e vet, përmes logjikës egoiste dhe të etur për dhunë.

Po të marrim në konsideratë pa paragjykime racionale dhe natyraliste, ndodhitë e luftës së fundit në Kosovë, që shkaktoi regjimi serb i Millosheviqit, duhet të gjykojmë qartë sjelljet dhe veprimet e krimeve serbe të kësaj lufte fashiste ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, dhe e njëjta periudhë lakmohet dhe priret të përsëritet edhe sot nga pasardhësit e këtij regjimi, në vend të kërkim faljes.

Viti 1999, ishte një datë që shkruan historinë e vetë, të cilën asgjë nuk mund ta fshijë dhe ta zhduki nga faqja e historisë së këtij populli, kur NATO, e largoi ushtrinë dhe paramilitarët kriminel të Serbisë, nga Kosova, të cilët e kishin planifikuar ta asgjësojnë një popull të tërë nga trualli i vet shekullor.

Dhe 17 shkurti i vitit 2008, ishte dita e fitores historike, Pavarësia e Kosovës, kjo ngjarje historike i ka dhënë shpjegim gjithë botës demokratike dhe civilizuese, miqve dhe armiqve, se një padrejtësi e shqiptarëve nuk do të përsëritet më, sepse shqiptarët ishin me shekuj populli më i ndëshkuar dhe i copëtuar pa të drejtë në rajon dhe në botë.

Me qëndresën e kalitur dhe rezistencën e këtij populli luftarak për mbrojtjen e të drejtave të veta, por edhe paqësor, i cili asnjëherë nuk ka qenë pushtues e as dhunues i asnjë etniteti edhe pse ka qenë shumicë gjithherë në Kosovë, si dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të dhe aleatët e saj, ky vend radhitet me shtetet e kombeve të lira të botës demokratike.

Mirëpo, e veçanta e gjithë kësaj, Mitrovica veriore sot, si pjesë përbërëse shtetit dhe territorit të Kosovës, që mbas luftës së okupatorit serb, ka mbetur nën hije dhe i përket pyetjes, se pse kjo tokë e e lashtë e Dardanisë, kërkohet që të ketë një domethënie të diskutueshme, i cili vend është në qendër të vëmendjes dhe të diplomatëve ndërkombëtarë, sepse trazirat dhe tensionet e rrezikshme që organizohen nga bandat serbe, që i derigjon Serbia me urdhrat e Vuçiqit, janë skena që iniciojnë dhe shkaktojnë jo vetëm trazira por edhe skena të tjera të ndonjë lufte të përsëritshme ndëretnike.

Bandat e organizuara nga serbët e veriut, janë banda kriminale dhe radikale, nuk janë vetëm njerëz të thjeshtë, por janë njerëz të trajnuar dhe të organizuar mirë nga qarqet dhe qendrat e shtetit serb, të udhëhequra nga qeveria e Vuçiqit, për të vepruar kundra shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj, po ashtu këto banda kriminale nuk kursejnë as ushtarët paqeruajtës të KFOR-it, policët e Kosovës dhe as mediat e këtij vendi, duke i sulmuar dhe revanshuar në forma më brutale.

Prandaj, trazirat në veriun e Mitrovicës, mund të përsëriten nga kriminelët serb të dirigjuar nga Beogradi, të cilët Vuçiqi dhe Serbia, i mbrojnë dhe i këshillojnë në forma të tilla për ta destabilizuar Kosovën, me ç’rast ka njerëz me përvoja të ndryshme, njerëz edhe të burgjeve, njerëz edhe me përvoja të luftës, si dhe duke angazhuar mercenar të paguar nga Beogradi, vetëm e vetëm për ta shdërruar Kosovën, në një rajon destabiliteti.

Serbia dhe regjimi i saj, duke parë se shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, pothuaj se do të ishte i pamundur, ngase mund të ketë pasoja edhe më të mëdha që mund të paramendohet, përveq asaj që është kundërshtuar nga qarqet e rëndësishme ndërkombëtare, tani Serbia, orvatët të përdor mekanizma të tjerë përmes ndarjes së pjesës veriore të Kosovës, apo formës më speciale, me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që e qojnë Kosovën në krizë të thellë, për të mos mundur me udhëheqë shtetin dhe kontrolluar gjendjen në territorin e vet.

Bashkësisë Ndërkombëtare për fat të keq shumë pak i ka pasur nën kontroll misionet e veta në Kosovë, sikur UNMIK-un, po ashtu edhe EULEX-in, të cilët me përvojat e tyre e kanë gjymtuar rrolin politik dhe udhëheqës në këtë vend, duke vepruar edhe kundër Rezultues 1244, ku haptas, pothuaj tërë administratën e vet UNMIK-u, ia kushtoi përkrahjes së Serbisë.

Po ashtu, edhe EULEX-i, një Mision Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ishte vetëm kopje e UNMIK-ut, dhe Bashkësia Ndërkombëtare nga këto dy misione merr informata indifirente, të cilat janë e nuk janë të vërteta dhe të sajuara, sepse është dëshmuar se këto dy Organizata të Bashkësisë Ndërkombëtare, janë dëshmuar me veprimet e tyre shumë pasive ndaj Kosovës, të cilat në një mënyrë kanë mundur ta udhëzojnë Kosovën, më mirë dhe më korrektësi në lidhje më atë që ju ka takuar, në bazë të ligjeve ndërkombëtare.

Ndërsa, veprimet e KFOR-it, janë të organizuara sipas komandës së NATO-s, dhe Brukselit, duke mbrojtur popullatën dhe duke ruajtë paqen dhe sigurinë në territorin e këtij vendi, edhe pse KFOR-i, francez ka treguar një luhatje me animin dhe dyshimin ndaj përgjegjësive që i takojnë.

Kosova dhe populli i saj shqiptar si shumicë absolute në këtë vend, gjatë gjithë historisë së vet është papjekur në mbrojtje të lirisë dhe mbrojtje të territoreve të veta, e cila e ka paguar qindra herë me gjak dhe sakrifica, andaj sot, po dëshmon se ky vend po ballafaqohet ende për të krijuar mundësi dhe marrëdhënie paqësore në mes këtyre dy vendeve dhe dy popujve, dhe e ardhmja e gjeneratave të reja të frymojë e lirë dhe e pa ndikuar nga e kaluara tragjike dhe historike.

Zgjedhja e këtij problemi gjendet edhe në duart e Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila i ka një palë qelsa të veçantë në dorën e saj, për të parandaluar një krizë edhe më të thellë në mes dy popujve, por edhe tërë rajonit, që të mos përsëriten gabimet e mëhershme ndaj Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat