Besimi nuk arrihet me predikime!

Opinione

Besimi nuk arrihet me predikime!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 22 shtator 2023 Në ora: 08:01
Escobar- Lajcak- Kurti

Ditët e fundit diplomatët evropianë dhe ata amerikanë kanë lëshuar një këshillë për dialogun Kosovë-Serbi. Disa prej tyre vunë në dukje se “mungon besimi midis palëve”! Bënë më pas thirrje që pala kosovare dhe pala serbe të kenë më shumë besim te njëra-tjetra. Duket se me këtë lloj predikimi “për besim” midis palëve ata më së shumti i drejtohen kryeministrit Kurti, sesa presidentit Vuçiç. Gjykoj se kanë perceptimin, sipas të cilit, me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet filloi periudha e mosbesimit midis dy bashkëbiseduesve nga Prishtina dhe nga Beogradi. Dhe në fakt këtu ata kanë një alibi: - Derisa Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa ngjitën, shtrënguan duart, u përqafuan, llafosën, vendosën, firmosën me Ivica Daçiç dhe Aleksandër Vuçiç, kjo do të thotë se ata krijuan besim te njëri-tjetri!

Por çfarë lloj “besimi” pati te paraardhësit e Albin Kurtit?! Fillimisht ta krijonin një Republikë Srpska në Kosovë! Pastaj ta ndanin territorin e Kosovës! Në këto kondita besimi është aty. Nëse Albin Kurti bie dakord ta krijojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas modelit të marrëveshjes së nënshkruar nga Hashimi dhe Isa, atëherë diplomatët perëndimorë nuk kishin nevojë të flisnin e të kërkonin “besim midis palëve”! Pra, nëse Kosova i pranon kushtet serbe dhe i jep Serbisë territoret më të pasura të saj, atëherë do të plasin lëvdatat “për besim” midis delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Madje mund të shkonte kjo lëvdatë deri në Akademinë Suedeze të Shkencave për të dhënë Çmimin Nobel për Paqen!

Ky lloj besimi ka ndodhur edhe në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. P.sh në vitin 1912 Mbreti i Serbisë, Karagjergjoviç, në një promemorie u thoshte shqiptarëve se “lufta që po përgatitet së bashku me Greqinë, Bullgarinë e Malin e Zi nuk drejtohet kundër shqiptarëve, por kundër pushtimit osman dhe turqve në Ballkan! Shqiptarët “besuan”. Çliruan Shkupin dhe i lëshuan armët (gusht 1912). Pak javë më vonë, në fillim të tetorit të atij viti ushtria serbe pushtoi Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë e Veriut. Vrau e masakroi në pak javë pasuese, sipas Aleksandër Leo Freundlich, më shumë se 25 mijë shqiptarë. Ata u masakruan me urdhër të Mbretit të Serbisë, i cili “kishte dhënë garanci” për fatin e shqiptarëve.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore (janar-prill 1944) forcat partizane jugosllave (kupto serbe) thirrën për mobilizim kundër pushtuesve gjermanë mijëra të rinj nga Kosova. I mblodhën në Prizren dhe u thanë se do të shkojnë nga Mali i Zi në Bosnjë për të ndjekur ushtarët nazistë. Por nuk u dhanë armë. Gjatë rrugës Prizren – Kukës – Shkodër - Tivar i pushkatuan të gjithë. Jo pak, por 4200 djem nënash! Nëse dikush dëshiron prova dhe fakte të tjera mund të jap me dhjetëra dhe me qindra! Edhe atëherë fituesit e Luftës së Dytë Botërore na predikuan “besimin” midis serbëve dhe shqiptarëve! Madje pas këtyre masakrave dhe disa të tjerave në Drenicë, Ferizaj e gjetkë, ku humbën jetën më shumë se 30 mijë shqiptarë, Serbia e Titos hodhi parullën e “Bashkim-Vëllazërimit”! Këtë parullë e përkrahu dhe imponoi në Kosovë udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha. Madje me dhunë!

Sot na thonë serishme “Besim”! Edhe atëherë evropianet u magjepsën nga “vëllazërim-bashkimi shqiptaro-serb”! Duan sërishmi të magjepsen me këtë formulë. Me “besimin” që pala shqiptare e Kosovës duhet të dëshmojë në dialog! Ndërkohë nuk duan ta pranojnë se pala agresore, ajo që shkaktoi 15-16 mijë viktima të pafajshme në dy vitet 1998-1999 në Kosovë, do të duhej të jepte prova besueshmërie. Nuk ia kërkojnë këtë ministrit të Milosheviçit që justifikoi dhe manipuloi popullin serb e komunitetin ndërkombëtar për të fshehur gjenocidin kundër shqiptarëve të atyre dy viteve. Kreu më shumë se 130 masakra! Vrau edhe 1480 fëmijë! Dëboi nga vatrat e tyre një milionë shqiptarë! La pa varr 3600 shqiptarë, prej të cilëve gjysma ende nuk dihen! Dogji gjithë Kosovën, edhe trashëgiminë historike e kulturore të saj! Nuk kërkoi kurrë ndjesë për këto! Dhe diplomatët gjakftohtë për mizoritë serbe në Kosovë bëjnë thirrje për “besim”!

Por ka akoma: - Sot Aleksandër Vuçiç çdo ditë i tregon dhëmbët e çakallit Kosovës martire! Çdo ditë e kërcënon atë e madje ve në vazhdimësi në veprim forca të dhunshme kundër saj. E kërcënon në Beograd, por edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara! Kudo ku gjendet! Ndërkaq është i vetmi evropian që nuk dënon agresionin rus në Ukrainë. Dhe sërishmi na thuhet ti besojmë këtij gjarpri me zile!

Besimi nuk është gjë që imponohet. Besimi fitohet! Fitohet jo me llafe e premtime! Fitohet me veprime pozitive dhe miqësore! Nëse SHBA e BE i besojnë Aleksandër Vuçiç, shqiptarët kudo janë kanë një milion arsye historike e aktuale që të mos i besojnë Serbisë. Të Serbisë së Vuçiç e as të një Serbie tjetër që nuk pendohet për ato që u kanë bërë shqiptarëve! Duhet pendesë, duhet ndjesë, duhet garanci se asgjë çka ka ndodhur më parë nuk përsëritet më! Edhe në këtë rast besimi do të ishte pak i tepërt!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat