Një serbi fashiste, sikur dje e njëjta edhe sot

Opinione

Një serbi fashiste, sikur dje e njëjta edhe sot

Nga: Dedë Preqi Më: 3 tetor 2023 Në ora: 12:08
Autori Dedë Preqi

Sulmi terrorist serb më 24 shtator të këtij viti, Serbinë e nxori edhe njëherë para botës “lakuriq”, me bandat e veta kriminale dhe terroriste, sikur ishte rasti i fundit në Banjskë të Zveqanit, në veri të Kosovës, secilës i printe krimineli Milovan Radoiçiq, të organizuar për të vepruar kundër shtetit dhe policisë së këtij vendi, duke vra në krye të detyrës oficerin policor Afrim Bunjaku dhe plagosën disa të tjerë, me qëllim për të realizuar planin e tyre të aneksimit të pjesës veriore të këtij vendi.

Është pa mundur që ky plan nuk është i koordinuar dhe rehabilituar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe klubin e tij në bashkëpunim edhe me Kishë Ortodokse serbe, sepse ndër të gjitha, ushtria dhe forcat ushtarake me arsenalin e tyre të armatimit nuk do të lëviznin dhe marshonin drejt kufirit me Kosovën, gjë që tregon hapur se ky organizim i terroristëve serbë në veri të Kosovës, e kishte një miratim të përgjithshëm edhe me armatën e Serbisë.

Bëhen 24 vite mbas luftës së fundit në Kosovë, e cila humbi mbi 15 mijë jetë njerëzish në mesin e të cilëve kishte pleq e fëmijë të pa fajshëm, ku janë mbetur edhe afër 1650 kufoma të pa gjetura të kësaj lufte, që dyshohet se mund të janë djegur dhe shkrirë edhe në furra të hekurit për t’i humbur gjurmët e krimit, apo sikur kjo urrejtje patologjike serbe edhe sot e kësaj dite akoma jeton në mitet e saja të ndyta dhe të çoroditura dhe nuk është ç’ fryrë ndaj këtij populli.

Dhe ky rrezik mund të rritet për secilin popull rreth e përqark Serbisë, nëse bashkësia ndërkombëtare ende nuk i jep një vërejtje serioze palës agresore serbe edhe pse NATO-ja, ia tregoi vendin e saj të merituar, mirëpo definicionin e qartë në veçanti BE-ja, do duhej të ia jepte Beogradit, se gjenocidet, që i shkaktoi ndaj popujve të pa fajshëm, duhet ti pranojë dhe të kërkojë falje dhe të dënohet ndërkombëtarisht, po ashtu duke e detyruar t’i zbulojë edhe kufomat e pa gjetura.

Ashtu edhe në luftën e Bosnjës, sidomos në Srebrenicë para UNO-s, forcat serbe në krye me Karaxhiqin dhe Mlladiçin, vranë dhe masakruan me qindra njerëz, dhe nuk e ka pranuar se ka bërë gjenocid dhe as që ka kërkuar falje publike ndonjëherë, dhe për gjitha këto lufta të pa drejta me masakra e dëbime të njerëzve nga trojet e veta, po thuaj se, Serbija nuk është denuar nga bashkësija ndërkombëtare, por në një mënyrë është përgëdhelur dhe lastuar...

Beogradi vazhdon përditë dhe sot e kësaj dite menagjimin e krimineleve serb në Mitrovicën veriore të Kosovës, në sabotimin e politikës dhe Kushtetutës së Kosovës, duke krijuar struktura serbe paralele serbe, që po organizohen dhe dirigjohen nga Beogradi, përmes Listës serbe në Kosovë, dhe rebeleve kriminel serb, jo vetëm nga veriu i Mitrovicës, por edhe nga viset tjera të Serbisë dhe të Rusisë, që angazhohen si mercenar të cilët i paguan dhe menaxhon Beogradi.

Kjo lojë e serbëve të rebeluar në veri të Kosovës, është lojë e rrezikshme si për serbët, po ashtu edhe për shqiptarët, dhe kriminelët e tillë si Radojçiqi me shumë të tjerë në bashkëpunim me Listën serbe, i kanë ditët e numëruara, sepse Kosova, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve më të avancuara bashkëkohore, nuk lejon të bëhet një vend dhe rajon i bandave dhe terroristëve, por në këtë vend është e mundur të jetohet në paqe e harmoni të gjitha komunitetet pa dallim me të drejtat e tyre të barabarta.

Po shihet qartë se Kosova, e ka të vështirë të përfundoj një marrëveshje paqësore me Serbinë, sepse përveç tjerash, ka përballë edhe njerëz të krimeve të luftës dhe njerëz të cilët nga pikëpamja fizike dhe politike duken të zgjuar, por nga veprimet dhe mendja e tyre reflektojnë të sëmurë nga mitet serbe, sikur që kemi të bëjmë me presidentin e këtij vendi, Aleksandër Vuçiq, i cili në prani të bashkësisë ndërkombëtare paraqitet si viktimë, ndërsa Kosovën e paraqet si agresor të saj.

Siç thotë një psikolog, mendja e shëndoshë e njeriut është si një rreth i argjendtë, por mendja do sëmurët nga urrejtja, e cila e nxitë në dhunë dhe luftë, ku njeriu në këtë pikëpamje do të dallonte nga qenjet tjera të planetit, që të mbetët qenie e vërtetë me tipare dhe ndjenja të mirëfillta njerëzore, të cilat ia trashëgon brezit të ri, apo shoqërisë ku jeton.

Ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999, mbi popullatën shqiptare të Kosovës, janë dëshmi të vërteta të mos respektimit të jetës njerëzore dhe të drejtave të tij, të cilat ngjarje mund të krahasohen me kohën e persekutimeve të çifuteve në kohën e Luftës së dytë Botërore, që herë kurdoherë dikush duhet të merr përgjegjësinë e veprimeve gjenocidiale dhe kundërnjerëzore.

Populli shqiptar i Kosovës, përjetoi të gjitha nënçmimet njerëzore, përmes maltretimeve, vrasjeve, dhunimeve, mandej edhe në praninë e anëtarëve të familjes, një gjë që ka rezultuar në vrasjen psikike të anëtarit tjetër që ka mbetur gjallë, duke mbetur në kujtesë të përhershme te fëmijët, nëse fëmija e ka parë vrasjen e vëllait, motrës, nënës apo babait, apo anasjelltas prindi e ka parë vrasjen e fëmijëve të vet nga kriminelët serb, çka do të thotë, se shumica e popullit shqiptarë është i vrarë edhe psiqikisht nga kjo barbari dhe mizori e çmendur serbe.

Shpesh është shkruar në mediat serbe, se populli shqiptar dhe ai serb së bashku me popujt tjerë kanë jetuar në harmoni në mes vete, sidomos në kohën e ish-Jugosllavisë së Titos, por realiteti kurrë nuk ka arritë që ta kuptojmë dhe të na jep dëshmi reale, sepse ngjarjet për shqiptarët janë përjetuar ndryshe dhe më keq, apo siç thotë një poet gjerman; ”Çka ke përjetuar, asnjë fuqi në botë nuk mund ta grabis”(“Ëas tu erlebst, kann keine macht der ëelt dir rauben”).

Prandaj, përjetimet e popullit shqiptarë nga një shtypje djallëzore e pushtuesit serb, sikur i ka dhënë vuajtje të vështira jetës njerëzore dhe këtij populli, por ky popull i regjur dhe i sforcuar nga stuhitë e ndryshme të kohës barbare e ka mbajtur guximin dhe shpresën të gjallë se një ditë do të triumfojë dhe fitojë pas shumë sakrificave dhe përpjekjeve për të mbijetuar.

Prandaj si çdo popull tjetër, i urryer apo i pa urryer, si populli serb dhe ai shqiptarë nuk mund ta arrijë fundin e urrejtjeve në forma negative dhe jo njerëzore, sepse nuk ka ekzistencë të përkohshme të jetës, edhe pse urrejtja do ta kalonte shkallën më të lartë të mohimit njerëzor, prapë se prapë logjika e shëndoshë njerëzore do ta mund logjikën e sëmurë, duke llogaritur pasardhësit e vet.

Krimet historike të Serbisë, ndaj popujve tjerë dhe formave të ndryshme të shtypjeve të tyre të definuara në një definicion që quhet gjenocid njerëzor, duhet të evitohet nga shoqëria e sotme e njerëzimit, sepse këto ishin format ma të mundshme të shkatërrimit njerëzor dhe kurrë nuk e kanë arritur qëllimin e vet, por kanë përfunduar edhe vet me shkatërrimin e tyre dhe degjenerim të asaj apo kësaj shoqërie njerëzore, kur një trashëgimi e tillë nuk është e shëndoshë për asnjërin popull në botë, dhe as për Serbinë, në këto forma fashiste, sikur ishte dje, e njëjta edhe sot e pa ndryshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat