Edi Rama, Baton Hxhiu, Hashim Thaçi, Berat Buzhala e shumë të tjerë si ata, duhet të turpërohen nga Nikola Sanduloviç

Opinione

Edi Rama, Baton Hxhiu, Hashim Thaçi, Berat Buzhala e shumë të tjerë si ata, duhet të turpërohen nga Nikola Sanduloviç

Nga: Lirim Gashi Më: 4 tetor 2023 Në ora: 10:37
Autori Lirim Gashi

Nikola Sanduloviç është një njeri madhështor në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Tiparet e lindura të karakterit të tij janë dashuria, fisnikëria, ndershmëria, guximi dhe kultura më e bukur e edukimit familjar, e cila demanton të gjitha paragjykimet primitive për një serb tipik.

Avokimi dhe sakrifica e tij primordiale, vetëmohuese dhe e guximshme për bashkëjetesën më të ndershme dhe më të pastër ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, duke respektuar të gjitha faktet historike që fajësojnë qartë shtetin serb për të gjitha tmerret dhe kalvarët që u ka shkaktuar shqiptarëve të Kosovës që nga koha e Grashaninit. Çubrilloviqit, Rankoviqit dhe Millosheviqit, e deri në kohën e Vuçiqit, është dëshmi se ky njeri është i veçantë në çdo aspekt.

Qëndrimi i tij i vendosur, i guximshëm, konstant dhe i palëkundur se vërtetimi dhe pranimi i fakteve historike që fajësojnë qartë shtetin serb për dyqind vjet vuajtje të paimagjinueshme të shqiptarëve të Kosovës, është parakusht për paqen e përjetshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, meriton tjetër dimension vlerësimi dhe nderimi nga populli dhe shteti i Kosovës.

Fakti që ai vazhdimisht thekson rëndësinë e pazëvendësueshme të pendimit të sinqertë të shumicës së serbëve që lejuan shtetin e tyre t'i shkelë shqiptarët si milingona, për të cilat krime ai u kërkon atyre falje kudo që është e mundur në emër të popullit serb, e ka burimin në faktin se ai vetë e ndjeu në lëkurën e tij dhimbjen e madhe nga një politikë kaq brutale kleriko-fashiste, kriminale dhe e dhunshme e shtetit serb, që e vendos patriotizmin e rremë nën çatinë e krimeve të tij më të tmerrshme ndaj serbëve dhe shqiptarëve.

Përkushtimi dhe sakrifica e tij vetëmohuese për paqen, barazinë dhe bashkëjetesën më të pastër e më të ndershme mes serbëve dhe shqiptarëve nuk përmban asnjë grimë taktike dhe strategjie politike, por vetëm një nevojë shpirtërore krejtësisht të hapur dhe të sinqertë për t'i parë ata si dy kombe vëllazërore.

Në atë rrugë të tij me gjemba, nga e cila i përgjakën këmbët si Jezusit, ai vazhdimisht është i ekspozuar ndaj rreziqeve të paparashikuara për veten dhe për familjen e tij, e cila është e ekspozuar gjatë gjithë kohës ndaj persekutimit të tmerrshëm nga regjimi i Vuçiqit.

Ky njeri, edhe sikur të mos bëhet kurrë president i Serbisë dhe të mos fitojë kurrë respektin e popullit të tij për shkak të dashurisë së tij fisnike dhe të ndritur kozmopolite për Zotin dhe për njerëzit e të gjitha kombeve, meriton gjithë respektin dhe dashurinë e popullit shqiptar.

Sepse vetëm bija dhe bijë të tillë serbë mund t'i japin popullit serb lavdinë e merituar tokësore dhe hyjnore, e jo bija dhe bij të tillë që i besuan gënjeshtrave djallëzore të Millosheviçit se serbët mund të bëhen një komb qiellor vetëm nëse kryejnë gjenocide të tmerrshme ndaj fqinjëve të tyre tokësorë dhe ua vjedhin atyre jo vetëm tokën nën këmbë, por edhe të gjitha të mirat materiale dhe shpirtërore që u takojnë.

Faleminderit zotëri Sanduloviq për gjithçka që bën për ne shqiptarët.

Edi Rama, Baton Haxhiu, Hashim Thaçi, Berat Buzhala e shumë të tjerë si ata duhet të turpërohen nga ti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat