Për kënd po punon Edi Rama

Opinione

Për kënd po punon Edi Rama

Nga: Skender Musliu Më: 6 tetor 2023 Në ora: 15:54
Foto ilustrim

Që nga ardhja në pushtet të Edi Ramës, ai me sjelljet, veprimet dhe vendimet e tij, u karakterizua si një person enigmatik dhe kontrovers, që ndikuan negativisht, së pari, në varfërimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga Shqipëria, dhe së dyti, në degradimin e subjektivitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Aktiviteti subverziv i Ramës ndaj Kosovës, pasi që ishte dakordësuar paraprakisht me Hashim Thaçin, filloi që në takimi i tij me Vuçiqin në vitin 2016 në Nish, kur edhe filloi ta trasojë rrugën dhe strategjinë, për ndarjen e Veriut të Kosovës përfshirë Trepçën dhe Ujmanin.

Viteve të fundit, veprime anti Kosovë, por edhe antikombëtare, Rama ka patur me bollëk, por unë në vazhdim, sa për ilustrim, shumë shkurt do t’i përmendi, vetëm disa nga ato.

1. Nisma e Mini Shengenit, më vonë Ballkanit të Hapur, që filloi në Tetor të vitit 2019 në Novi Sad, me iniciativën e Vuçiqit, që u përqafua nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kurse u refuzuan nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosna dhe Hercegovina. Kosova kishte refuzuar të bëhet pjesë e kësaj nisme, sepse konsideronte se ajo ishte në kundërshtim me interesat ekonomike dhe politike të Kosovës, e në veçanti kryeministri Kurti konsideronte se më e rëndësishme ishte Procesi i Berlinit që u iniciua nga ish kancelarie e Gjermanisë, Angela Merkel. Ballkani i hapur mbajti disa mbledhje, dhe në çdo takim, pa përjashtim, Edi Rama në mënyrë të paskrupullt e kritikonte vetëm kryeministrin Kurti për mospjesëmarrje, e jo edhe Malin e Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinën.

2. Muaj më parë, Edi Rama kishte propozuar një draft Statut për « Asociacionin » (kush e di se cila qendër ia kishte hartuar) që ia kishte dërguar BE-së, SHBA-ve, Francës dhe Gjermanisë, duke insistuar në se këtë draft, palët nuk duhet ta refuzojnë. Shtrohet pyetja se, a është normale që Rama të « përgatitë » Statut për një çështje kaq serioze, pa dijen dhe konsultime me kryeministrin e Kosovës ?! Sigurisht se jo, sepse bëhet fjalë për një asociacion, që është hapi i parë drejt formimit të një Republike serbe në Kosovë.

3. Shqipëria respektivisht Edi Rama i parapriu vendosjes së sanksioneve Kosovës, duke e anuluar në momentin e fundit, pa arsye dhe njëanshëm, mbledhjen e dy Qeverive që duhej mbajtur në Gjakovë. Në vend që Edi Rama ta kritikonte BE-në për masat e padrejta ndaj Kosovës, të cilat bëheshin gati t’i vendoseshin Kosovës, Rama i pari e bëri këtë!

4.Po ashtu ky tip, Rama kohë më parë, institucioneve relevante ndërkombëtare iu kërkoi organizimin e një Konference ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, madje siç thoshte ai, duke i mbyllur palët deri në arritjen e një marrëveshje. Në mënyrë indirekte, Rama po e mohon pavarësinë e Kosovës, që u fitua me gjak, e njohur nga 116 shtete, po e mohon edhe Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si institucion i OKB-ës, e cila në vitin 2010, shpalljen e pavarësisë së Kosovës e konsideroi në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare, po e mohon edhe integritetin territorial dhe po kërkon ri negociata. Konferencat ndërkombëtare mbahen kur palët janë në luftë dhe me qëllim të ndaljes së luftës, organizohen këto konferenca, p.sh, siç ishte mbledhja e Dejtonit, e cila mundësoi përfundimin e luftës në Bosnje e Hercegovinë, por fatkeqësisht hapi rrugën e ndarjes të Republikës serbe, që është në realizim e sipër. Organizimi i një konference të tillë do t’a vinte në pyetje subjektivitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, në të cilën do të përfshihej edhe Rusia.

5.Në kohën kur policia e Kosovës është duke e menaxhuar me sukses, si asnjëherë më parë, Veriun e Kosovës, ky matrapaz politik, Edi Rama, ditë më parë, në një konferencë për shtyp, pa konsultime me kryeministrin e Kosovës, por në harmoni me kërkesat e Vuçiqit, propozoi që Veriun e Kosovës t’a merr nën kontrollë KFOR-i, edhe pse kjo nuk është në mandatin e saj. Ky propozim i Ramës është i rrezikshëm, sepse, së pari, Kosova do t’a humbiste definitivisht kontrollin në Veriun e Kosovës, së dyti, Veriu do të vendosej nën protektorat ushtarak, që mund të zgjasë me dekada të tëra, edhe pse muaj më parë ai ishte deklaruar kundër prezencës së KFOR-it në Veri të Kosovës, sepse kështu do të formohej një republikë e KFOR-it.

6. Kur bota demokratike i ka vendosur sanksione Rusisë, Serbia refuzon ta bëjë këtë, Edi Rama është kujdesur, duke e luajtur rolin e avokatit dhe zëdhënësit të Vuçiqit, nëpër takime dhe konferenca ndërkombëtare, ta arsyetojë Vuçiqin për mos vendosjen e sanksioneve, me pretekstin e lidhjeve historike të Serbisë me Rusinë. Atëherë, pse Rama, jo për shkak lidhjeve tona historike, por për shkak se jemi një popull, një gjak nuk e merr në mbrojtje Kosovën !?

7.Sa i takon procesit të dialogut, as mos të flasim, sepse Rama ka qenë kujdestar i palodhur në kritikat brutale, të padrejta, tendencioze dhe arrogante ndaj kryeministrit Kurti, por gjithnjë duke iu dalur në krah Vuçiqit, Borrellit dhe Lajçakut.

8. Se sa budallaqet e Ramës nuk kanë fund, tregon deklarata e tij se, me kalimin e viteve, Veriu i Kosovës është shndërruar në tokë të askujt. A do të thotë kjo se Kosova nuk paska më nevojë për Veriun e Kosovës dhe tani t’ia falim Serbisë ?! Dua t’ia përkujtoj Ramës se, Kosova nuk ka tokë për të dhënë dhe se shteti i Serbisë është themeluar dhe frymon mbi tokat shqiptare.

9. Pas agresionit të grupit terrorist mbi Kosovën, Rama nga faktori ndërkombëtar kërkoi sanksione simetrike ndaj Serbisë ! Kjo kërkesë e Ramës është skajshmërish e papranueshme dhe absurde, si mund të krahasohen sanksinet e padrejta ndaj Kosovës, që po kritikohen nga euro deputet, senator dhe kongresmen amerikan, dhe opinionistë të dalluar ndërkombëtar, si të gabuara, me sanksione të një agresori, që është akt lufte ndaj një shteti sovran, duhesh të jesh i krisur për t’i ngatërruar këto gjëra.

10. Ky person, Rama, që në Samitin e tretë të Komunitetit Politik të Evropës të 47 shteteve që mbahet në Spanjë, shkon me basketa të bardha, jashtë çdo protokolli, në një konferencë për shtyp deklaroi se, Kosova duhet të jet më konstruktive në dialog me Serbinë, që sipas tij kjo do të thotë, se Serbia edhe përkundër sulmit terrorist, na qenka ende palë konstruktive, kurse Kosova problemi i dialogut !!! Po ashtu në këtë konferencë, Rama nuk po kërkon përgjegjësi prej Serbisë për agresionin terrorist mbi Kosovën, por po kërkon përgjegjësi nga Serbia, sepse ajo ka mbajtur një ditë zie për terroristët e vrarë !!!

11. Gjatë vizitës së parë të Vjosa Osmanit në cilësinë e presidentes së Kosovës, në Kuvendin e Shqipërisë, ajo mbajti një fljalim rasti, që Edi Rama edhe pse ndodhej në Shqipëri, qëllimisht e bojkotoi.

12. Mos të harrojmë se Edi Rama ka qenë sponzorues i formimit të Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Duke marrë parasysh faktin se Shqipëria është anëtare e të gjitha organizatave relevante ndërkombëtare, Edi Rama është dashur që këtë ta shfrytëzojë për favorizimin, sensibilizimin dhe fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, mirëpo, fatkeqësisht siç po shihet, ai ka vepruar kundër interesave të Kosovës, duke e favorizuar Serbinë.

Nga ajo që ceka më lartë, edhe pse ato janë të panumërta, shihet qartë sjellja prepotente, paternaliste dhe arrogante e Ramës ndaj shtetit të Kosovës.

Edi Rama, kompleksin e injorantit e mbulon duke krijuar personazhe të ndryshme, me qëllim që të jet në qendër të aktualitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat