Albin faleminderit!

Opinione

Albin faleminderit!

Nga: Ilir Levonja Më: 13 tetor 2023 Në ora: 22:49
Ilir Levonja

Albin faleminderit që erdhe. Paçka të tjerave ...., faleminderit që ia prishe qejfin monarkut shqiptar por edhe mendjeve të budallepsura që nuk ngelën pa postuar foto me fanellën e kombëtares, duke ia dedikuar fitoren e mbrëmshme 3-0 karshi Çekisë, Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

Jemi budallepsur aq shumë sa e shikojmë Edi Ramën me të njëjtin adhurim që vështruam Enver Hoxhën deri sa na e mori në botën e Halloweenit sëmundja e sheqerit. Edhe kur shënon një djalë shqiptar emigrant në Angli, a në Spanjë, marksistë-leninstët e Edi Ramës postojnë foto dhe ia dedikojnë këto pashait modern, monarkut absolut Edi Rama. Kaq shumë jemi budallepsur.

Ndaj atyre u duket krejt e çmendur që ti i hipën veturës dhe vjen në Tiranë për të parë kombëtaren e shqiptarëve. Nuk u duket çudi kur Edi Rama vishet me shallvare duke sfiduar botën e modës pavarsisht se është kryetari i një shteti me pagat më diskreminuese në rajon. Ti vjen të shohësh kombëtaren e shqiptarëve krejt normalisht pasi mund ta kesh patur ditën të ngarkuar por edhe si një qytetar i lirë shqiptar, megjithatë ata po të akuzojnë se ke tradhtuar kombëtaren e vendit tënd Kosovës.

Nuk e kapërdijmë dot nocionin komb ne. Kemi shumë frikë nga lëvizja e lirë mes vedit, por edhe e kemi strategji se jemi pjellë e internacionalistëve. Dhe strategjia jonë është që, nuk duam bashkim kombëtar. Nuk i ke dëgjuar kur bëhen nervozë kur thuhet kombëtarja e madhe, pasi aty ka djem nga të gjitha trevat shqipëfolëse, aty ku shqiptarët kanë jetuar dembabadem si i thonë llafit.

Paçka se kanë pasaporta të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Italisë, Gjermanisë, Anglisë e kudo. Mirëpo marksistë-leninistët e Tiranës plasin aq sa dalin studiove dhe bërtasin se përse marrim këta djem (nga Prishtina, Vushtria, Suhareka, Tetova, Shkupi etj) e nuk u japim hapësira vetëm atyre brenda Shqipërisë. Ne kemi dalë nga shinat komplet, jemi një tren që bërtet por vagonët i kemi bosh.

Ndonjë ditë tek ne do dali edhe ligji i Koresë së Veriut, ku qënieve të vendit dhe të huaja, kushdo që vjen në Shqipëri, i ndalohet me ligj të prishi qejfin e udhëheqësit. Po ti Albin, ardhsh përditë e sa herë të dojë qejfi. Se ne kemi pjerdhur, ne nuk dimë gjë tjetër, të rroj udhëheqësi Edi Rama dhe poadcast-i i tij tek bisedon me vipat. Ne, bar do hamë dhe kujt se ia shtrijmë dorën. Vetëm kur të na thotë Edi Rama, atëhere po. Majtas, tha ai, majtas ne. Djathtas, tha ai, djathtas ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat