Dy racat dominante dhe Shqipëria

Opinione

Dy racat dominante dhe Shqipëria

Nga: Ilir Levonja Më: 24 tetor 2023 Në ora: 14:03
Ilir Levonja

Në gjithë këtë debatin e madh që është futur Shqipëria askush nuk ka vënë re dy racat dominuese që po e vdesin pikërisht, Shqipërinë. Dy aleancat e bajate që sot janë konsoliduar aq natyrshëm pavarsisht së shkuarës me tendenca shfarosje karshi njëri-tjetrit. Raca e parë është ajo e komunizmës, pavarsisht kapitalit, ekonomisë së tregut etj., ata po dominojnë me propagandë. I kanë të gjitha, kapitalin, drejtësinë, shtypin, burgjet, (përfshi këtu edhe arsenalin e dikurshëm, edhe atë të kampeve të internimit)..., kanë tokën apo botën, qiellin, detin. Por prapë nuk ngopen. Diçka e kanë të pezmët dhe vazhdojnë të dominojnë me dhele të dhunshme. Nuk e mendojnë kurrë rrotacionin, kurrë. Raca e dytë është ajo e ish Berishëve, apo ish Berishët. Sot janë në një aleancë të paparë me qeverinë pasi për një mijë e një arsye Berisha që dje ishte gjeniu i demokracisë, sot është kryekomunisti më i madh.

Biles më fashisti, më nazisti, më diktatori etj. Por unë nuk do merrem me Sali Berishën, pasi ai i del zot vetes edhe kur drejtësia vepron njësoj si në Rusinë e Putinit dhe në Turqinë e Erdoganit etj. Saliu ka hedhur në gjyq edhe vet Amerikën dhe pavarsisht moshës e ka vitalitetin t'i bëj ballë të gjithëve. Jam marrë me 'të kur ishte në pushtet, kur ndryshonte Kushtetutën bashkë me Edi Ramën, sidomos në uljen e përqindjes për pragun zgjedhor etj. Atëhere ishte një kor i tërë hienash që të mbysnin, nuk të linin gurë shtëpie pa ta shkërdhyer. Edhe nga puna të hiqnin, nuk e kishin problem të degdisnin edhe në kurbet. Këta ish Berishët janë sot raca dominante që paralelisht me pushtetin, të shesin gjithë këtë zallamahi për arritje të reformave në drejtësi.

Në fakt kjo është një luftë e pastër e të fuqishme në vendin tonë. Shqipëria e mjerë ka histori me grupe të fortish në qytete, ai lagjes së urës dominonte gjysmën e kazasë dhe gjysmën tjetër e dominonte ai i lagjes së stacionit të trenit. Eshtë pikë për pikë i njëjti skenar i adoptuar edhe në kupolën e lartë. Të gjithë rrjedhin nga pallatet me kontribute vullnetare një apo dy dhoma me guzhinë ku gatimin e bënin në banjo me furnelë vajguri etj. Sot i keni po njësoj, veçse jo më me hyrje pallati nga ndërmarjet, por me vila. Prandaj në tridhjetë e kusur vite demokraci është instaluar kultura e të fortit dhe jo e ligjit dhe e të drejtave të njëriut.

Këto dy raca aleate, komunizma dhe ish Berishët, duke i plotësuar qokat njëri-tjetrit nuk është se po vendosin ligjin, shtetin e së drejtës etj., asesi. Thjesht vulosën dominancën e tyre, madje edhe për një mandat tjetër 10 vjeçar. Po lum kush e kupton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat