Bojkotimi i seancave të Kuvendit të Kosovës nga grupi parlamentar i VV-jes, është një akt i shëmtuar i partisë në pushtet..!?

Opinione

Bojkotimi i seancave të Kuvendit të Kosovës nga grupi parlamentar i VV-jes, është një akt i shëmtuar i partisë në pushtet..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 26 tetor 2023 Në ora: 20:55
Kuvendi i Kosoves

Ta lëshosh dhe bojkotosh seancën e Kuvendit, d.m.th. ta sabotosh punën e organit më të lartë juridik dhe legjislativ të shtetit, siç po vepron me muaj të tërë Grupi parlamentar i VV-jes, si mazhorancë në pushtet, pa marrë parasysh se cilat mund të jenë shkaqet dhe arsyet, nuk ka asnjë dyshim, një veprim i tillë është tepër skandaloz, kur kihen parasysh detyrat dhe obligimet kushtetuese që i ka mazhoranca parlamentare brenda Kuvendit.

Pra, nuk mund të ketë kurrfarë rendi të ditës, draft-ligjor, apo çfarëdo teme qoftë për debat, që grupin parlamentar të partisë në pushtet do ta detyron që  t’i bojkotojë seancat e Kuvendit, ngase me Kushtetutë dhe Rregullore të punës së Kuvendit, partia në pushtet, gjegjësisht grupi i saj parlamentar në Kuvend, ka obligim dhe detyrë primare që ta ruaj rolin kushtetues të Kuvendit, t’i ruaj interesat e popullit në Kuvend, nga i cili i kanë marrë votat. Pra, mazhoranca parlamentare e ka obligim kushtetues, para opozitës, që ta çojë përpara shtetin dhe shoqërinë, e jo t’i bojkotojë seancat e tij, veprim ky të cilin nuk e ke parë ndonjëherë në asnjë parlamentet evropian dhe botëror.

Mbase, grupi parlamentar i partisë në pushtet, në këtë rast i VV-jes, i cili aktualisht e ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës (63), ka përgjegjësi kushtetuese për mbarëvajtjen e punës në Kuvendin e Kosovës, si dhe për aprovimin e ligjeve pa procedura të stërzgjatura, për inicim dhe shqyrtim të gjithanshëm te të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me interesat e shtetit, të popullit si dhe me zhvillimin e gjithanshëm ekonomik të vendit. Pra, grupi parlamentar i mazhorancës ka obligim dhe përgjegjësi substanciale për funksionimin normal të punës dhe seancave të Kuvendit, e jo si grup kryesor parlamentar, të bëhet pengesë në mbarëvajtjen e seancave si dhe për punën e Kuvendit, ku miratohen ligjet, dekretit, vendimet dhe rezolutat e ndryshme, nga të cilat drejtpërdrejt varet shtet-ndërtimi dhe zhvillimi ekonomik, politik, kulturor dhe sportiv i vendit.

Andaj, për shkak të bojkotimit të seancave të Kuvendit nga grupi më i madh parlamentar, ai i VV-jes, duke shkaktuar mungesë të kuorumit në Kuvend, nuk dyshim, se po e dëmton rënd përmbushjen e funksionit të këtij institucioni më të lartë shtetëror, e që në fakt, me këto veprime kjo mazhorancë e ka marrë rolin e plotë të opozitës, gjë që nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë mënyrë.

Kjo sjellje e grupit parlamentar të VV-jes, në fakt po e pengon zbatimin e agjendës së Kuvendit, sepse pikat më të rëndësishme për diskutim nuk po mund të miratohen me kohë, duke u bartë në seancat e radhës me vonesa shumë të mëdha, madje shumë sosh nuk po arrijnë të futën fare në rendin e ditës së Kuvendit.

Pra, është e qartë se kemi të bëjmë me papërgjegjësinë e plotë të deputetëve të partisë në pushtet, të VV-jes, të cilët me bojkotimin e seancave të Kuvendit po e shkelin rënd besimin e votuesve të tyre, por edhe rolin prej deputetëve të zgjedhur me votën e popullit, duke mos e çuar në vend amanetin dhe kërkesat e votueseve, siç është nxjerra dhe aprovimi i sa më shumë ligjeve dhe akte normative, me të cilat u lehtësohet jeta dhe puna, kudo që ata jetojnë dhe punojnë, në fshat, në qytet, në fabrikë, minierë, etj.

Pra, të gjithë deputetët janë të obliguar që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, qoftë sipas Kushtetutës, qoftë sipas ligjit për deputetët si dhe Rregullores së punës së Kuvendit, duke e kryer si duhet dhe me përgjegjësi politike dhe kombëtare punën dhe detyrat e delegatit në Kuvendin popullor, për çfarë edhe e kanë marrë besimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat