Cila është gjeneza e konfliktit dhe e luftës izraelo-palestineze..!?

Opinione

Cila është gjeneza e konfliktit dhe e luftës izraelo-palestineze..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 tetor 2023 Në ora: 18:59
Ilustrim

Vërtetë, është për t’u habitur kur dëgjon debate, lexon komente dhe shkrime kushtuar luftës aktuale mes palestinezëve dhe Izraelit, në të cilat nuk pasqyrohet drejtë, sakët dhe as objektivisht gjeneza e këtij konflikti 75 vjeçar, meqenëse siç duket, analistët shqiptarë nuk i njohin mirë rrjedhat si dhe shkaqet esenciale që këta dy popuj semit i kanë çuar në konfliktit dhe luftë të përgjakshme që nga viti 1948 e deri më sot.

Hamas-i nuk është organizatë terroriste, por Lëvizje e rezistencës islame (lexo: arabe) për çlirimin e Palestinës, حركة المقاومة الإسلامية)), e cila në emërtimin e saj origjinal në gjuhën arabe përmban këto synime: (“حركة إسلامية سياسية سُنية فلسطينية مسلحة مقاومة للاحتلال الصهيوني): “Lëvizje islamike, politike, synite, e armatosur dhe e rezistencës kundër okupimit cionist” të Palestinës. Kështu që etiketa si është një organizatë "terroriste" i është ngjitur nga Izraeli dhe shtetet e Perëndimit pro-izraelite, prandaj kur flitet për këtë çështje, mendoj se mediat dhe politikanët shqiptarë duhet të flasin nga pozicioni neutral për konfliktin mes këtyre dy popujve, e jo të mbajnë qëndrime pro-njërit-Izraelit, dhe kundër tjetrit-Palestinës, siç po bëjnë shumë analistë dhe politikanë shqiptarë.

Palestinezët ka 75 që po luftojnë për liri dhe pavarësi të tyre nacionale, dhe jo për ta zhdukur Izraelin, siç po gënjen Izraeli dhe disa të tjerë, ngase me Rezolutën e OKB-së të vitit 1948, Nr. 181, territori i Palestinës është ndarë në dysh, dhe atë në favor të Izraelit (51/49%), me të cilën Rezolutë është nxjerr vendimi që të ngritën dy shtete paralele, ai Izraelit me Jerusalemin perëndimor si kryeqytet, dhe ai i Palestinës me Jerusalemin lindor si kryeqytet, por e gjithë bota e dinë, se këtë vendim e ka shkelë brutalisht Izraeli në maj të vitit 1948, duke e pushtuar me forcë pjesën e tokave që iu lanë palestinezëve, si dhe duke i asgjësuar mbi 400 fshatra dhe dëbuar mbi 750 mijë palestinezë nga tokat dhe shtëpitë e tyre.

Pra, është Izraeli ai që nuk lejoi të formohet shteti palestinez afër tij, tokat e të cilit deri më sot i mban të okupuara, pra territore të cilat përgjatë 75 viteve, së pari i ka shpopulluar nga palestinezët dhe pastaj i ka populluar me me izraelitë, duke bërë masakra ndaj popullit palestinez, siç ndodhi edhe në luftën e vitit 1967, kur do e okupoi pjesën e tokave që i takonin popullit palestinez, e okupoi e tërë Sinajin egjiptas, siç do e okupoi edhe tërë rrafshnaltën e Golanit sirian dhe pjesën e Jordanit perëndimor, toka të cilat edhe sot po i mban të okupuara si në rripin e Gazës dhe Bregun perëndimor të Palestinës.

Izraeli kurrë nuk do mund t'i pushtonte tokat e Palestinës, sikur pas tij të mos qëndronin Amerika dhe shtetet e Evropës perëndimore, Anglia, Franca, etj., andaj duhet pasur kujdes kur japim mendime dhe vlerësime për luftën dhe konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, ngase jemi ne shqiptarët e Kosovës që e kemi një histori të ngjashme me popullin e okupuar palestinez si dhe me tragjeditë e përjetuara sikur ata.

Po ashtu, KS i OKB-së në vitin 1948 miratoi rezolutën nr. 194 me të cilën u vendosën principet për zgjidhjen e këtij konflikti si dhe kthimin e gjithë refugjatëve palestinezë në shtëpitë e tyre, pastaj pasoi rezoluta e vitit 1967, numër 242, për zgjidhjen finale të çështjes palestineze, duke e formuar shtetin e pavarur të Palestinës, por e cila nuk u realizua kurrë deri më sot.

Më pas, del Raporti i sekretarit të OKB-së mbi gjendjen e të drejtave njerëzore në territorin e okupuar palestinez që nga viti 1967, kurse me 15 nëntor 1988 OÇP-ja me në krye me liderin e saj Jaser Arafatin në Algjeri, do ta shpallin shtetin e pavarur të Palestinës, dhe i cili pas arritjes së marrëveshjes së Oslos në vitin 1993 mes Izraelit dhe OÇP-së, kjo e fundit në qytetin Ramallah të Palestinës do ta formoi qeverinë e saj, kur shtetin palestinez një vit më vonë do ta njohin afër 130 shtete të botës, si shtet sovran dhe i pavarur, përveç Amerikës, Anglisë, Izraelit dhe shteteve aleate të tyre. Ndërsa, Palestina me 29 nëntor 2012 e mori statusin e vëzhguesit në OKB-së, të cilin status e ka edhe sot.

Kështu që, pranë shumë rezolutave, qindra dokumenteve, dekreteve, deklaratave dhe raporteve të shumë organizatave humanitare, përmes të cilave dënohej rënd okupimi izraelit i tokave palestineze, siç ishte p.sh. Raporti i Amnesty International, me titull; „Izrael’s apartheid against Palestinians: a cruel system of domination and crime against humanity” (Apart-hejdi izraelit kundër palestinezëve: sistem mizor i dominimit dhe krimeve kundër njerëzimit) i publikuar në muajin shkurt të vitit 1988, etj..

Po ashtu, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me shumicë dërrmuese të votave do e ka nxjerr Rezolutën me të cilën hedhet poshtë vendimin amerikan për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, më pas, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me 31 dhjetor 2022  do ta miraton edhe Rezolutën me të cilën i bëhet thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) që ta japë opinionin e saj për pasojat ligjore të pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli si dhe për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Pra, shteti izraelit me dekada e ka shkelur brutalisht të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe formim të shtetit të pavarur, dhe, sipas statistikës së OKB-së, sot në botë ka mbi 6 milion refugjatë palestinezë, shumica e të cilëve jetojnë në kampet që gjenden në Bregun perëndimor dhe rripin e Gazës, në Jordani, Siri, në Liban, në vendet e Evropës perëndimore, në Amerikë e deri në Australi.

Kjo ishte në vija të trasha gjeneza e konfliktit palestinez-izraelit, si dhe fati tragjik i këtij populli përgjatë 75 viteve plotë me vuajtje, vrasje, burgosje, dëbime masive, persekutime, luftëra dhe mohim total të së drejtës për jetë dhe shtet të pavarur, rast ky unik në botë i cili  konsiderohet si më tragjiku që i ka ndodhur ndonjë populli pas Luftës së Dytë Botërore, kur ndaj një populli të tërë janë bërë dhe ku edhe sot po bëhen zullume dhe gjenocid ndaj tij në sytë e tërë botës, siç po ndodh në 20 ditët e fundit në Gaza, ku një popull i tërë gjendet para zhdukjes, derisa në anën tjetër, bota dhe njerëzimi po e admirojnë me duar kryq tragjedinë e popullit të pafajshëm palestinez !    

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat