Asociacioni - forma e re e Subsidiaritetit të “përkryer”

Opinione

Asociacioni - forma e re e Subsidiaritetit të “përkryer”

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 27 tetor 2023 Në ora: 21:35
Zejnullah Jakupi

Albin Kurti pas konferencës për media (më 27.10.2023) ka deklaruar se ishte i gatshëm të nënshkruante Draftin e propozuar nga BE. Por presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk e bëri. Drafti duhet t´i definojë disa përmbajtje; si do të quhet; Bashkësi komunash; në serbisht ‚Zajednicë’ ose në anglisht „association“ – federacion, të gjitha këto kanë të njëjtin përmbajtje. Drafti i Asociacionit edhe pse nuk është bërë akoma publik do të bazohej në përvojën e gjatë të Decentralizimit dhe do i përfshin 10 komuna. Supozohet se komunat do të jenë të lidhura mes tyre, pavarësisht rregullimit territorial- administrativ, edhe nëse komunat e Asociacionit nuk jane fqinje me njëra tjetrën.

Decentralizimi ishte i bazuar në parimin e ´subsidiaritetit´, duke ofruar konkretisht shërbime më të mira publike për qytetarët e këtyre lokaliteteve si dhe hapësirë të shtuar për vendimmarrjen nga autoritetet lokale“ në Kosovë dhe kjo fjalë ishte përmendur në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (2009-2011). Subsidiariteti e ka zanafillën në Ligjin e Qeverisjes, në Planin për Decentralizimin dhe në një mënyrë e përshkruan gjithë konceptin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 e tutje deri tek Plani franko-gjerman.
Subsidiariteti përcakton një renditje të përcaktuar saktësisht të përgjegjësive shtetërore dhe shoqërore duke përcaktuar vartësinë themelore të nivelit më të lartë: Detyrat, veprimet dhe zgjidhjet e problemeve të cilat duhet të ndërmerren sa më shumë që të jetë e mundur nga njësia më e vogël ose niveli më i ulët i një forme organizative, siç është komuna. Vetëm në rastet ose në fushat e politikave në të cilat kjo nuk është e mundur, atëherë, ndërhyrja e nivelit më të lartë e instancave qendrore nuk është vetëm fakultative, por shprehimisht e dëshirueshme.

Subsidiariteti është përkthyer si synonim i Planit të Decentralizimit në Kosovë. Pra, bëhet fjalë për Ligjin e përfolur mbi vetëqeverisjen lokale i hartuar nga Qeveria e Kosovës, ZNC (ICO) dhe faktorë të tjerë relevant. Këto mbeten dokumente bazike për udhëheqjen e implementimit të plotë të Decentralizimit në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Këto dokumente parashinin transferin e kompetencave nga qeveria qendrore tek qeveria lokale. Pra, marrja e përgjegjësisë dhe vetëqeverisjes nga kuvendet komunale.

Duhet thënë se Decentralizimi e ka mundësuar integrimin e qyetarëve serbë pa patur nevojë për ´Zajednicën´. Intervenimi në veri (pa i pyetur ndërkombëtarët) në korrik 2011 e ktheu në plan formimin e Asociacionit, të formës që e përmban sot dhe i cili e tejkalon Planin e Decentralizimit, pra i vë autoritetet qendrore në sprovë dhe tërë shtetin e Kosovës, por BE po jep garanci se nuk cënohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Tani na duhet një krahasim të kuptojmë se sa është i ngjajshëm Asociacioni me Decentralizimin dhe Planin e Martti Ahtisaarit dhe shtrohet pyetja se a do të ofrojë mundësi të barabartë për të gjitha pakicat etnike, apo vetëm për komunitetin serb, në kuadër të jetës sociale, ekonomike dhe politike të Kosovës? Implementimi i tij do të tregojë se a do mund të bëhet, përmes tij, fuqizimi i të drejtave të njeriut, i pluralizmit politik dhe se a do rritet pjesëmarrja demokratike politike e serbëve në Kosovë ose a do të ndihmojë implementimin e procesit të Decentralizimit në Kosovë dhe, në veçanti, a do e bëjë integrimin e pakicave serbe në shtetin e Kosovës, edhe pse Decentralizimi ka ofruar mbrojtje të gjerë për minoritetin serb përmes të drejtave të veçanta në parlament dhe qeveri si dhe në fushën e drejtësisë, arsimit dhe policisë, por edhe zona të mbrojtjes dhe të drejta të veçanta për manastiret dhe kishat mesjetare serbe.

Koncepti i autonomisë të pjesshme të komunave me shumicë serbe, në fakt u formalizua në marrëveshjen e 19 prillit 2013 edhe pse konflikti në veri në korrik të vitit 2011 ishte i papritur. Nga ajo kohë, Decentralizimi i cili kishte derivuar nga Pakoja e Martti Ahtisaarit, ka qenë, siç tham në fillim, një proces thelbësor, një përpjekje për ndërtimin e një strukture të qeverisjes dhe administratës qendrore dhe asaj komunale. Ky proces synonte të japte komuniteteve lokale më shumë kompetenca dhe përgjegjësi në administratën publike duke e bërë atë më të përshtatshme për nevojat specifike të tyre. Decentralizimi ishte plani që të synonte të përfshijë transferimin e pushteteve, resurseve financiare dhe përgjegjësive të qeverisës lokale dhe rajonale. Prandaj, Asociacioni dhe korniza e saj përmbjatësore do të bien ndesh me Planin e Decentralizimit. Kjo vije në shprehje në shumë pika.

S´pari, mbrenda Asociacionit me shumicë serbe do ngelë implementimi dhe respektimi i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare i cili është një obligim për komunat. Së dyti, natyrisht Asociacioni do ketë kapacitete të nevojshme për të menaxhuar kreditë dhe borxhet e jashtme. Sidoqoftë, një kompetencë e tillë është e paraparë edhe me Ligjin mbi Vetëqeverisjen – me fjalë të tjera, ligji i veçantë duhet të vendos ose përcaktojë hollësitë lidhur me atë se si komunat mund të aplikojnë për kredi dhe grante të tjera tek nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare.

S´treti, në pajtim me legjislacionin, komunat e Kosovës, janë në fakt autonome në ushtrimin e kompetencave të tyre ekskluzive dhe të deleguara. Në Ligjin Vetëqeverisës thuhet se MAPL është autoriteti i gjithmbarshëm mbikëqyrës për aktet e komunave.

Problem parësor do të jetë fakti se qeveria e Kosovës nuk do të mund të anulojë aktin komunal - legjislativ ose ekzekutiv – madje edhe nëse ato nuk janë në linjë me ligjin e Kosovës ose me Kushtetutën, e pse të jetë ndryshe me Asociacionin (serbisht:Zajednicën). Shkeljet e mundshme të Kushtetutës ose të ligjit nuk do mund të pezullojnë ekzekutimin e vendimit komunal ose të aktit tjetër në fjalë. Qeveria ka vetëm kompetencë ose mund të sjell çështjen tek Gjykata Kushtetuese.

Gjjiashtu do të ketë vështirësi kur thuhet se komunat duhet të ushtrojnë vetëqeverisjen dhe kompetencat e deleguara në pajtim me ligjin. A do të pranojnë komunat veriore me shumicë serbe që Ministria e Republikes së Kosovës të miratojë themelimin e një stacioni policor, në një komunë të caktuar veriore i cili do të vepronte vetëm brenda kufijve administrativ të asaj komune?

Gjithashtu probleme do paraqiten brenda Asociacionit, siç janë paraqitur edhe gjatë planit të Decentralizimit, kur komuna me shumicë shqiptare dështonte të investojë në vendbanimet me serbë dhe anasjelltas. E kjo përfshinë edhe investimet në sistemin e kujdesit shëndetësor ate të arsimit etj. Do bëhet siç ka ndohur në të kaluarën, kur të gjitha shkollat në gjuhën serbe në komunën e Asociacionit -´Zajednicës´ të paguhen nga shteti serb dhe do jenë të përgjegjshme vetëm para strukturave serbe të Republikës së Serbisë.

Komunat e Asociacionit me shumicë serbe nuk do investojnë në shkollat të cilat ndodhen në fshatrat me shumicë etnike shqiptare. Kjo nuk duhet të ndodhë as me komunat ku shumicë janë shqiptarët.

Pikëpyetje mbetet nëse institucionet qendrore (Ministria e caktuar e Republikës së Kosovës) mund të iniciojë, të zhvillojë dhe të zbatojë një planprogram të përbashkët, informimin e duhur në tre gjuhët, një planprogram arsimor, shendetësor etj, i cili do të përdorej anë e kënd territorit, në gjuhët përkatëse të të gjitha komuniteteve të cilat jetojnë në komunat ku janë shumicë serbët.

Me arritjen e pavarësisë së Asociacionit nga autoritetet qendërore kosovare, punonjësit mjekësorë, arsimorë, politik komunal serbë do mund të refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet qendrore në Prishtinë dhe natyrisht në çdo kohë do kenë mundësi, në kuadër të Asociacionit, të mos e njohin qeverinë, por as shtetin e Kosovës.

A do ndryshojë gjendja empatike e Komunave të Asociacionit ndaj institucioneve qendërore kur dihet dhe është e njohur mungesa e bashkëpunimit të deritanishëm? Ndjenja e përkatësisë ndaj shtetit serb do mbetet tutje evidente në këto komuna, nëse emërtohen si të tilla dhe, besimi dhe mungesa e besimit në institucionet e Kosovës vetëm do të rritet. Qytetarët serbë të integruar në sistemin e Kosovës do konsiderohen tradhtarë nga komuniteti serb, sikur deri tani.

Decentralizimi ua ka mundësuar që shumë qytetarët serbë, në komunat në jug të Kosovës, pa ndarje të këtill territoriale, të fokusohen në problemet e tyre të përditshme dhe kanë të involvuar në proceset e vendimmarrjes dhe u janë përkushtuar problemeve praktike. Ndërsa shpresohet se me aprovimin e Asociacionit nuk do jenë shumë të preokupuara me çështjet politike, duke iu shmangur përgjegjësive në administrimin e komunave karshi autoriteteve qendrore kosovare.

Pra, nga kjo që u tha deri tani kuptohet lehtë se Kosova është dashur ta implemtojë tutje Decentralizimin dhe vetëqeverisjen lokale pa bërë „shpikjen“ e Asociacionit. Pra, shumica dëshiron Autonomi Lokale për vetëqevrisjen e komunave, por jo Asociacion lidhje mes komunave me shumicë serbe.

Prandaj, me të drejtë, duhet të analizohet edhe njëherë me kujdes, Kushtetuta, ku përfshin Rregullimin territorial- vetëqeverisjen lokale, pra edhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, -(Decentralizimin) dhe natyrisht marrëveshjet e deri tanishme nga 19 prilli  i vitit 2013. Propozimi nga BE (aktuale) përmban po ato pika të 2013-tës dhe në disa raste zgjerim të tyre.

Pikëpyetje e madhe mbetet tutje: SI dhe PSE u shpik Asociacioni në vitin 2013 kur ishte i mjaftueshëm Decentralizimi? Askush nuk është kundër që komunat të kenë autonominë e tyre (edhe kur në to shumicën e banorëve e përbëjnë serbët), por jo edhe të lidhen komunat e tyre mes tyre. PSE të lidhen mes veti dhe tu jepet autonomi?

Rekomandimi që do të duhej ta jepte Gjykata Kushtetuese

Është i nevojshëm në draftin e ardhshëm të riformulohet ky emërtim. Në vend të shprehjes „Asociacion i komunave me shumicë serbe“ do të duhej shkruhet „Integrimi i komunitetit serb në komunat e Republikës së Kosovës“.
Asociacioni i emëruar si i tillë paraqet një sfidë, sepse aludon, herëdokur, në një përbashkim të tyre, prandaj në draft duhet të ketë një emërtim të ri. Në draftin që do ta bëjë qeveria e Kosovës gjithsesi duhet të ketë emërtimin adekuat duke e përjashtuar Asociacionin, Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. E në vend të saj do duhej të shkruhet: Drafti për "Integrimin e Komunitetit Serb në Komunat e Dezentralizuara të Republikës së Kosovës". Kështu ruhet, tërsia territoriale, pamundësohet "ndarja" ndërsa thekësohet integrimi i komunitetit serb, i cili kushtëzon integrimin në institucione të Kosovës dhe natyrisht lejon mundësinë e komunës t‘ i kultivojë lidhjet me komunat në Serbi, siç e bëjnë gjithë komunat tjera. Të mos harrojmë se Serbia që në vitin 2008 e ka refuzuar Decentralizimin e komunave në Kosovë, ndërsa  e ka pohuar se nuk është kundër ´Zajednicës´.
´Zajednica´- versus Asociacionit me kërkesat shtesë. Në draft duhet gjithsesi të specifikohet se Asociacioni nuk nënkupton bashkimin e komunave me shumicë serbe, siç e kërkon A. Vuçiç. Sepse kjo do mund të bëhet mollë sherri herëdokur dhe do i joshë përpjekjet e Serbisë për të ndikuar tek Asociacioni i Komunave Serbe.

Përfund: Ky Asociacion duhet ta ketë të sanksionuar të mos ketë të drejtë që ta shpallë „ndarjen" ose bashkimin me një shtet tjetër. Dhënia e një gjysmë autonomi lokale për Veriun do të thotë Vetëqeverisje por pa e sfiduar pushtetin qendror dhe vet shtetin e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat