Dy “studentët” e Ballkanit përballë komisionit të gjashtë “profesorëve” evropianë!

Opinione

Dy “studentët” e Ballkanit përballë komisionit të gjashtë “profesorëve” evropianë!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 28 tetor 2023 Në ora: 08:08
Kryeministrit Kurti përballë kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni, presidentit të KE-së, zotit Borrell e zotit Lajçak

Një fotografi e kryeministrit Kurti përballë kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni, presidentit të KE-së, zotit Borrell e zotit Lajçak ka tërheq vëmendjen e opinionit publik dhe është komentuar në forma e me ngjyra të ndryshme. Por jo vetëm kaq! Qëndrimin e “autoriteteve të Prishtinës” e ka përshëndetur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë “mjaft më me kërcënimin e paqes” dhe se “tani është koha të pranohen marrëveshjet”! Ndërsa këtë deklaratë dikush e ka interpretuar si “pranimi nga Kurti i variantit të Ramës të asociacionit që u paraqit nga pesëshja euro-amerikane”!  

Në të vërtetë ka dy prirje: - Njëra prej tyre që ta mohojë fitoren e Albin Kurtit dje në Bruksel, ose së paku t’ia faturojë atë pjesërisht edhe Edi Ramës. Këtë po bëjnë disa eksponentë të opozitës në Kosovë. Tjetra prej tyre lidhet me hiperbolizimin e asaj që ndodhi dje në kryeqytetin e BE-së, duke e quajtur pamjen e lartpërmendur si skenë ku Kurti është mësuesi e gjashtë apo shtatë të tjerët nxënësit e tij. Ose si skenë ku Kurti bën heroin e kështu me radhë. 

Që në fillim duhet thënë se kryeministri Kurti ia arriti më në fund që projektet euro-amerikane t’i sjellë në nivelin e pranueshëm prej Kosovës. Kështu ndodhi edhe me variantin e modelit të asociacionit pa kompetenca ekzekutive. Ai rezistoi dhe rezistencën e tij kundërshtarët e Kosovës e miqtë e Vuçiçit e kritikuan ashpër. Madje e bënë atë fajtor dhe i vendosën edhe sanksione. Miqtë e Beogradit u bashkuan, u lidhën ngushtë me njëri-tjetrin dhe i detyruan edhe miqtë e Kosovës që për momentin të pranojnë ndëshkimin e Kurtit. Më së shumti në këtë vendim ndikoi kryeministri i Shqipërisë, i cili qe i pari që paralajmëroi “sanksione” evropiane dhe vetë filloi aplikimin e tyre ende pa u marrë një vendim i tillë, kur anuloi mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive në Gjakovë.  

Tani ky Rama me cicërimat e tij në Twiter duket se dëshiron të marrë rolin e protagonistit. Megjithatë, nëse do jetë i sinqertë në qëndrimet e tij pro-Kosovës, duhet përshëndetur. Por nuk duhet harruar se gjithçka ai bën edhe për Kosovën ka motive krejt personale, asgjë patriotike, asgjë njerëzore, Ndryshe Rama do duhej të miratonte në parlament e ta njihte në qeveri genocidin serb në Kosovë. Vetëm ky akt e bën atë disi të çlirohet nga kthetrat e Aleksandër Vuçiç! 

Ndërsa duke u rikthyer te fotografia e Kurtit përballë shtatë përfaqësuesve të BE-së, mendoj se aty zoti Kurti ishte si të thuash para një komisioni provimi. Në atë komision ishin anëtarë dashamirë të tij e të Kosovës, skeptikë ndaj tij, si dhe kundërshtarët e dëshmuar në shumë prova tjera. Kryeministri i Kosovës e dha provimin me rezultat të shkëlqyer. Kryetari i Komisionit, Scholz, u ngrit në këmbë dhe e përshëndeti me përzemërsi. Dy francezët, Macron dhe Michel, u befasuan, sepse e kishin paragjykuar vazhdimisht nga ankesat e Vuçiç dhe të Edi Ramës për Albin Kurtin. Ndaj filluan të shohin nga njëri-tjetri. Meloni ishte disi indiferente dhe dukej e patrazuar. Ishte gjithashtu hera e parë që përballej me “studentin” ne fjale, kryeministrin e Kosovës. Ndërsa dy protagonistët e dialogut, Borrell dhe Lajçak, u mërzitën. Ndoshta kishin pritshmëri që zoti Kurti të mos e kalonte provimin dhe mos i surprizonte për mirë një president dhe dy kryeministra evropianë. Ata ishin ne siklet, sepse Kurtin e kishin servir si problemi i zgjidhjes! 

Kjo ishte arsyeja pse Borrell refuzoi të vendosë notën dhjetë për Albin Kurtin. Në deklaratën e tij ai sërishmi i tha opinionit se “Palët parashtruan kushte, të cilat pala tjetër nuk i pranoi”! Nuk tha se presidenti serb e refuzoi edhe Marrëveshjen e Brukselit të Shkurtit, si dhe Aneksin e miratuar në Ohër dhe kerkoi ndryshimin e tyre. Nuk tha edhe se Vuçiç refuzoi të nënshkruajë ato dy marrëveshje, ndërkohë që Kurti ishte i gatshëm ta bënte këtë. Sepse nuk donte që “studentin” e tij të preferuar e priveligjuar, tashmë kryetar i shtetit serb, ta poshtëronte e ta kritikonte. Ndaj dhe refuzoi notën jo kaluese për mikun e tij, Alsksandër. Lajçak ia la topin në dorë Borrellit e nuk foli. Nuk e deklaroi notën për asnjërin prej “studentëve” që ishin dje në Bruksel. 

Kjo është ajo pamja që unë e lexoj në fotografinë e zotit Kurti përballë gjashtë përfaësuesve të BE-së! Kurti dha një performancë të shkëlqyeshme, bazuar në të drejtën europiane dhe ndërkombëtare. Vuçiç vazhdoi të mbrojë tezat nacionaliste të Serbisë së Madhe. Tani është radha e “profesorëve” në atë komision të heqin masat ndëshkuese për Kosovën dhe të vendosin sanksione për Serbinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat