“Mizën buall” për Malltezin, “trarët” e vet nën hundë “nuk i shohin”...!?

Opinione

“Mizën buall” për Malltezin, “trarët” e vet nën hundë “nuk i shohin”...!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 28 tetor 2023 Në ora: 11:05
Xhevat Mustafa

kur u bë publik arrestimi me vendim apo urdhër të SPAK-ut i Jamarber Malltezit, biznesmenit, më së shumti nga prona të trashëguara si nip i familjes së njohur Begeja si dhe dhëndër i Sali dhe Liri Berishës si dhe me firma dhe vula të Edi Ramës, si ish kryetar i bashkisë së Tiranës, në statuset, komentet dhe reagimet në forma të ndryshme, më së shumti tendencioze dhe paragjykuese të plot “të majtëve” apo anuesve dukshëm nga ky krah, bie në sy mania, ligësia, dëshira dhe kënaqësia për t’ia shumëfishuar pasuritë dhe përfitimet. Shprehur edhe më qartë, për t’ia bërë mizën buall dhe qimen apo degën tra e duke “harruar” me pa stivat me “trarë të trashë” apo të panumërt tek partia dhe qeveria e tyre e zemrës, tek pushtetarë të saj të dy niveleve më të larta e tek bosë biznesesh, oligarkë ndërtimi, turizmi, prodhimi, tregtie..., “investitorë strategjikë”, inceneratoristë të saj.

Për t’ua ndalur pak hovin apo ulur ca dozën e histerisë dhe të ekstazës, sidomos duke ia zbrazur dhëndrit të gjitha mëritë apo pakënaqësitë ndaj Sali Berishës si ish president(1992-1997) dhe si ish kryeministër (2005-2013), na ndihmojnë disa informacione fare të freskëta apo të disa viteve më parë. Këto janë publikuar në të gjitha llojet e mediave dhe në rrjete publike, flakë për flakë dhe lënë në harresë, siç është “traditë e moçme” në Shqipëri, pas 3-5 ditëve nga rastet apo skandalet e tjerë të ngjashëm të korrupsionit masiv e të pafre, në të gjithë nivelet e piramidës së Rama-parti-qeverisë.

Kështu, krahas mediave të tjera, gazeta “Shekulli”, njoftonte më 3 qershor 2018 se biznesmeni i ndërtimit, Vladimir Çilotaj, ishte shpallur në kërkim për pastrim parash më 10 maj 2018. Në vijim të këtij informacioni shkruhej se pronari i laboratorit të drogës të gjetur rreth mes majit 2018 në Fier, ishte zotërues i miliona eurove, 94 apartamenteve, 31 makinave dhe trojeve nga Saranda në Tiranë. Ai dyshohej edhe për pastrim parash nëpërmjet “Exchange” dhe se kishte krijuar një laborator kanabisi në fshatin Mbrostar. Çilotaj nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2001, administratori i shoqërisë “Lladi 2008” Vladimir Çilotaj, ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Fierit në vitin 2011, bashkë me shefin e postës së policisë Patos, Gerjan Kondi.

Po kështu, mund të kujtohet edhe arrestimi në fillim shkurt 2023 i Alda Klosit, ish këshilltare e ish zv.kryeministrit dhe ish ministrit Arben Ahmetaj, nën hetim paraprak për veprat penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale. Siç dihet në familjen e pastrueses së saj, Rozeta Dobi, u gjetën rreth 500 mijë euro dhe bizhuteri të shtrenjta, në dyshek dhe në tubin e ajrimit, vjedhur në apartamentin e Alda Klosit. Por, ish këshilltarja dhe ish bashkëpunëtorja e Arben Ahmetajt e ky për disa vjet “dora e djathtë” e Edi Ramës, ishte pronare edhe e disa apartamenteve dhe trojeve në Tiranë dhe Shëngjin...Këto ajo i paraqiti më vonë si “dhurata” nga xhaxhai dhe nusja e xhaxhait, meqenëse, edhe me rrogën e lartë dhe përfitimet e shumta, na qenkësh “e varfër”!? Rasti fare i freskët është ai i publikuar më dt.26 tetor 2023, lidhur me ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, padyshim një nga “më të begatat” për abuzime korruptive me dosjet e pronave dhe disa orë para ndalimit, e punësuar në kadastrën Kamëz-Vorë, Rajmonda Dashi dhe 3 bashkëpunëtorë të saj, të cilët, sipas njoftimit të SPAK-ut, trafikonin drogë në Belgjikë dhe investonin në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Po sipas këtij burimi, Gjykata e Posaçme vendosi “arrest në shtëpi” për Dashin, ndërsa për tre personat e tjerë B.R; L.R dhe A.M u vendos masa ”arrest me burg”. GJKKO vendosi sekuestrim të 12 apartamenteve në Fier, 4 apartamenteve në Tiranë, 3 garazhe në Tiranë, 27 llogari bankare; një shoqëri tregtare dhe 2 automjete. Nëqoftëse gjykohet me paanësi partiake dhe pa subjektivizëm personal, nga këto shifra të publikuara deri tani, ky grup është plotësisht “i denjë” për t’u krahasuar me Jamarber Malltezin. Gjithashtu, mund të nënkuptohet lehtë se Rajmonda Dashi ka pasur favorizim dhe mbështetje nga miq e mikesha në parti për t’u emëruar në këto vende pune “të arta”! Lista me raste apo skandale të ngjashme, më të mëdhenj apo pak më të vegjël, gjatë rreth 10 viteve të Rama-qeverisjes, është e gjatë dhe me emra e fytyra, që nuk harrohen lehtë e nuk zhduken shpejt nga faqet e para të mediave të çdo forme...! Pa ia ngrënë dhe shtuar hakën, mund të thuhet se biznesmeni Jamarber Malltezi nuk është as i pari dhe as i fundit në “brigadën apo divizionin” e biznesmenëve në Shqipëri gjatë këtyre rreth 32 viteve gjase pas komunizëm, gjase demokraci e gjase kapitalizëm. Më parë, njëherazi apo pas atij mund të kujtojmë se si janë bërë bosë apo oligarkë, brenda 30 viteve apo më pak dhe se sa apartamente, pallate, vila, troje, kompani, skafe, vetura, fuoristrada shumë të kushtueshme; miliona euro, dollarë, sterlina, sfr...kanë plot nga bashkëpunëtorët dhe miqtë e vjetër të kryeministrit Edi Rama, prej kohësh “të suksesshëm” në të gjitha frontet apo fushat e bizneseve.

Lista e oligarkëve që janë në “zemrën e madhe” të Rama-qeverisë është e gjatë e prandaj nuk mund t’i përmendim me emra dhe mbiemra dhe me pasuri e prona të shumta dhe gjithëfarllojshme, sa vështirë t’i mbajnë mend mirë edhe ata vetë! Për këta nga SPAK mund të hetohet për korrektesën ligjore të disa vkm- ve, PPP- ve, koncensioneve, tenderave..., që kanë përfituar nga Rama-qeverisja “bujarisht” e sipas një tradite shqiptare rreth 32 vjeçare, nënkuptueshëm jo krejt gratis, pa asnjë pikë mirënjohjeje...! Natyrisht, jo krejt rastësisht shumica e këtyre oligarkëve janë de facto apo dalin “pasi iu hiqen petët e sipërme byrekëve me miliona euro, me qindra tonelata beton, plehra, me dhjetra kuintalë kanabiz”, me lidhje të hershme apo të reja, të hapura apo të mbuluara shpejt e shpejt me "gjethe fiqsh" me Rama- qeverisjen e të tre niveleve...!? Apo si “tifozë” dhe financues “duarlëshuar” të kandidatëve rilindas në betejat dhe “fitoret e pastra” zgjedhore...si dhe për “veprimtaritë madhështore festive” pas tyre, ku janë derdhur lumë milionat dhe pijet shumëngjyrëshe ekstazuese apo tërbuese... Gjithsesi, pa i paragjykuar për nga ana e bindjes apo partishmërisë, është mirë që të jemi objektivë ndaj të gjithëve, për gjithçka kanë bërë me korrektesë, pastër, ndershmërisht dhe jo sy, veshë e gojë mbyllës ndaj kujtdo, që ka abuzuar me ligjet dhe pasuritë shtetërore dhe publike, pa u kompleksuar apo pa keqdashje nga përkatësia partiake dhe nga lidhjet e ngushta me ish dhe aktualisht pushtetarë të lartë! Kjo nënkupton se jemi shumë të vonuar që slogani i moçëm “Ligji është i njëjtë për të gjithë” të mos vazhdojë të përjetohet më në Shqipëri, nga viti 2023 e përgjithmonë, si “përrallë” apo si një shprehje e “drejtësisë së kulluar” dhe në teori, në tekstet universitarë të fakulteteve juridikë, nëpër mure korridoresh dhe zyrash të Ministrisë së Drejtësisë dhe nëpër salla gjykatash...! Kjo do të ndihmonte ndjeshëm edhe që SPAK dhe GJKKO, duke u pastruar urgjentisht nga enveristo-edramistët “e përjetshëm”, të bëhen shpejt dhe me vepra të përjetueshme, ashtu siç duan shumica e shqiptarëve, INSTITUCIONE DREJTËSIE TË VËRTETË, TË PAVARUR PLOTËSISHT nga asnjë “çengel” partiak, qeveritar, shtetëror, diplomatik...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat