Sot - Njëqind vjet Republika e Turqisë!

Opinione

Sot - Njëqind vjet Republika e Turqisë!

Nga: Prof.Dr. Enver Bytyçi Më: 29 tetor 2023 Në ora: 15:45
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sot Turqia feston 100 vjetorin e Republikës. Pas gati 700 viteve perandori, shteti turk ndërroi formën e qeverisjes dhe u bë para një shekulli i pari vend në Ballkan dhe në Evropën Juglindore një Republikë sekulare. Edhe Shqipëria asokohe ishte Republikë Parlamentare, madje anëtare e Lidhjes së Kombeve. Por ajo ishte ende në anarki dhe për më tepër revolucioni i qershorit 1924 do të shënonte de facto rënien e Republikës Parlamentare. Sepse Noli dhe pasuesit e tij erdhën në pushtet me anën e revolucionit dhe pasi rrëzuan qeverinë e mëparshme legjitime të Ahmet Zogut, nuk pranuan t’i nënshtroheshin verdiktit të sovranit. Nuk bënë zgjedhje për të konfirmuar vullnetin e shqiptarëve!

Edhe në Turqi u bë një revolucion nëntë muaj para revolucionit të qershorit 1924 në Shqipëri. Por ai revolucion përfundoi me krijimin e institucioneve të lira, të cilat dolën nga vullneti i popullit turk. Udhëheqës i revolucionit dhe më pas shtetit legjitim, që gjeti përkrahje në botën e Perendimit, ishte Mustafa Kemal Ataturk. Ataturk erdhi në skenën turke të politikës dhe historisë para Ëinston Çurçillit e krahas Gandit të Indisë. Ishte dishepulli i parë në historinë evropiane që bëri një epokë. Jo vetëm themeloi Republikën e Turqisë, por e udhëhoqi atë për më shumë se 15 vite radhazi.

Revolucioni turk i vitit 1923 pati dy lëvizje të mëdha: - E çliroi Turqinë nga pushtimi grek në zonat e Stambollit, Izmirit e më gjerë, si dhe ndryshoi sistemin e qeverisjes. Çlirimi nga pushtimi grek ishte premise e parë, pa të cilën nuk mund të krijohej dhe ndërtohej një shtet modern i Turqisë pro-evropiane. Ndërsa shpallja e vendit si Republikë sekulariste ishte kthesa historike e këtij revolucioni. Imagjinoni se sa e vështirë është të ndryshosh me një revolucion si ai i Ataturkut para 100 vitesh gjithë sistemin e mëparshëm dhe botëkuptimin e tij ideologjik e fetar të shtatë shekujve më parë! Imagjinoni se sa e vështirë ishte që Turqia e bazuar në vlerat dhe shtetin e Sheriatit e Sulltanatit brenda një kohe relativisht të shkurtër ta ndryshonte atë sistem vlerash dhe të pajtohej me sekularizmin si parim themelor i republikave moderne evropiane!

Babai i kombit turk, Mustafa Kemal Ataturk ia arriti kësaj sfide që gjithkush do ta konsideronte si të pamundur. Krijoi pra Turqinë moderne, Turqinë e Shekullit të XX! Atë Turqi që pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhej anëtare e NATO-s dhe pjesë e sistemit demokratik euro-atlantik. Atë Turqi që sot ka arritur të konkurrojë vendet më të industrializuara të botës dhe ndodhet e dinjitetshmme në mesin e 20 vendeve më të industrializuara e më të fuqishme të Globit. Atë Turqi që sot është bërë zëri i të vërtetës në mbrojtje të së drejtës dhe jetës së njerëzve të dhunuar e masakruar kudo në botë e sidomos në Azinë e Vogël. Atë Turqi e cila sot luan me virtuozitet lojën diplomatike të saj në mbrojtje të paqes e sigurisë në Evropë e në botë. Atë Turqi, e cila ka peshë ushtarake më të madhe se çdo vend tjetër, veç SHBA-ve, ndër vendet anëtare të Aleancës! Atë Turqi që nuk përfaqëson vetëm fatin e saj në mesin e kombeve, por edhe fatin e shumë kombeve të tjera!

Turqia e Mustafa Kemal Ataturkut nuk e pati njohur për disa vite Mbretërinë Shqiptare të Ahmet Zogut, me justifikimin se “Një Republikë nuk mund të pajtohet me shpalljen e një monarkie në Ballkan”! Por megjithatë Ataturku pas vitit 1933 kontribuoi me gjithçka mundi në dobi të shtetit e kombit shqiptar. Është e vërtetë se në vitin 1937 nënshkroi me Mbretërinë Jugosllave marrëveshjen e pranimit të myslimanëve (edhe shqiptarëve) që vinin nga ish-Jugosllavia. Dhe ngjarje të tilla kanë qenë të dhimbshme për fatin e dhjetëra dhe qindra mijë shqiptarëve. Por në historinë 100 vjeçare të Republikës së Turqisë nuk gjen asnjë rast tjetër, kur ky vend dhe autoritetet e këtij shteti të kenë vepruar kundër ineresave të shqiptarëve.

Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kufij tokësorë më Republikën e Turqisë. Për pasojë nuk kanë pasur e nuk kanë asnjë problem politik që të bëhet pengesë në marrëdhëniet midis dy popujve, dy kombeve dhe dy shteteve. Turqia ishte vendi i dytë në botë që njohu pavarësinë e Kosovës. Është vendi që më shumë se shumica e vendeve të perëndimit e ka ndihmuar Kosovën. Të gjithë liderët turq, përfshirë dhe presidentin Rexhep Tayp Erdogan, kanë qenë dhe janë miq të kombit shqiptar! Prandaj dhe besoj se miqësia, bashkëpunimi, partneriteti dhe besimi reciprok midis dy vendeve, dy kombeve dhe shteteve tona është jetike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat