Me Memli Krasniqin PDK kurrë nuk vjen në pushtet, opozitë e përjetshme!

Opinione

Me Memli Krasniqin PDK kurrë nuk vjen në pushtet, opozitë e përjetshme!

Nga: Faton Mehmeti Më: 29 tetor 2023 Në ora: 16:12
Autori Faton Mehmeti

Aktualisht partia e dytë në Kosovë, PDK udhëhiqet nga një kryetar partie që nuk është lider në vetvete. Duke kujtuar këtu thënien e John Maxwell se "Liderët bëhen të mëdhenj, jo për shkak të fuqisë së tyre por për shkak të aftësisë së tyre për t’i fuqizuar të tjerët", përligj më së miri prologun e këtij shkrimi. Me të ardhur në krye të partisë, Memli Krasniqi ka krijuar përçarje në parti. Ka pasur pakënaqësi të mëdha e të cilat janë të pritshme kur dihet se ardhja e tij s’ka të bëjë me ndonjë kontribut të madh, apo ndonjë arritje për punën e tij si ish-ministër apo shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Garda e vjetër e PDK-së në krye me Xhavit Halitin, Sami Lushtakun, nuk janë të kënaqur me Memlin, të cilit se herë pas here i doli kundër edhe Ganimete Musliu si dhe dorëheqja e Ramë Bujës. Memlit i mungon guximi për tu distancuar nga gabimet e së shkuarës, ka mungesë vizioni për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Memli nuk ka peshë të madhe politike nga mungesa e sukseseve të tija nuk mund të gëzojë simpatinë as të vet anëtarëve të partisë.

Si ministër ka qenë jo i suksesshëm, është edhe vet pjesë e gabimeve që kanë bërë ish liderët e partisë të cilët i “adhuron”, çka e bën pothuajse të pamundur reflektimin nga ana e tij. Nisur nga kjo mund të themi me bindje se Memli Krasniqi e ka të pamundur të vjen në pushtet aq më tepër që standardi për tu bërë kryeministër është rritur në masë të madhe që nga ardhja e Albinit në këtë pozitë.

Dy gjëra kryesore duhet të bëjë Memli për të vu në binare PDK-në, reflektim dhe reformim. Reflektimi nënkupton dy gjëra: Kërkim falje për të shkuarën dhe zotim për ndryshim, derisa reformimi nënkupton sjelljen e figurave të reja në pari e rrjedhimisht largimin e të keqes nga parti. Derisa këto nuk ndodhin, s’mund të pritet as të ketë opozitarizëm të fortë nga PDK dhe aq më pak të pritet se do të vjen në pushtet edhe për kohë të gjatë, mbase asnjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat