Zoti i myslimanëve nuk di shqip!

Opinione

Zoti i myslimanëve nuk di shqip!

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 29 tetor 2023 Në ora: 20:58
Foto ilustrim

Zoti i myslimanëve nuk di shqip! Lutjet i kupton vetëm arabisht. As pas qindra vjetësh, nuk e mësoi gjuhën tonë, ndërsa hoxhallarët na thonë se zoti i myslimanëve e urren flamurin shqiptar, kombin tonë, Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë.

“Gjuha shqipe është gjuhë e Perëndisë”, shkruanin të mrekulluar rilindësit e mëdhenj, ndërsa përpiqeshin të shkëputeshin nga robëria pesëqind vjeçare osmane. Por, hoxhallarët, Bashkësia Islame e Kosovës, me bashkësitë simotra në Shqipëri, Maqedoni e Kosovën Lindore duan të na bindin se Zoti nuk di shqip. Sipas islamikëve, Zoti (Allahu) e kupton vetëm gjuhën arabe, prandaj të gjitha lutjet, ritualet dhe ceremonitë mortore bëhen në gjuhën arabe.

Kundër bindjeve të ngulitura thellë në etnopsikologjinë shqiptare se filani është i biri i filanit, hoxhallarët ditën e varrimit të vdekurin e thërrasin në emër të nënës, duke ia vënë në dyshim atësinë! Në këtë mënyrë ata e përdhosin traditën shqiptare. Emërtimet e festave fetare janë në gjuhën turke, por kurrsesi në gjuhën shqipe. Kështu Festës së Flijimit abrahamaik ata i thonë turqisht Kurban Bajram, ndërsa të gjithë shqiptarët besimtarë e jobesimtarë e përsërisin me papagalli në të njëjtën mënyrë. Festës së madhe myslimane i thonë Fitër Bajram. Dikur popullata këto dy festa i quante Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël, pra festa e madhe dhe festa e vogël.

Hoxhallarët dhe kleri mysliman vazhdojnë të na fyejnë ndjenjat kombëtare, e fyejnë intelektin tonë e krenarinë kombëtare, duke na bindur se gjuha shqipe është gjuhë e rendit të dytë, është gjuha e mëkatit, prandaj nuk bën që lutjet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, por në gjuhën e beduinëve të shkretëtirës nga e morëm fenë. Shqiptarët në një shkallë më të lartë të qytetërimit e imitojnë traditën fetare të një qytetërimi që ende nuk ka dal nga mesjeta e hershme. Prandaj kjo fe e josh pjesën më të paarsimuar të popullit, prandaj është joshëse për shtresat më të varfra, që i kanë humbur të gjitha shpresat, ndërsa propagandistët fetarë të islamit ua ofrojnë mundësinë të dalin në sipërfaqe, të bëhen “faktorë”, por edhe të dalin nga varfëria, sepse pjesën dërmuese të tyre e paguajnë.

Jemi i vetmi komb evropian, që lutjet fetare myslimane i themi në një gjuhë të huaj, të cilën nuk e kupton askush nga popullata shqiptare, nuk e kuptojnë as pjesa më e madhe e klerikëve. Është e kotë që kushtetutat në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni apo Kosovën Lindore e sanksionojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përderisa nëpër xhami gjuha e vetme është gjuha arabe. Edhe mbishkrimet nëpër xhami janë në gjuhën arabe, thuajse jemi në Arabi. Lutjet brenda korridoreve të xhamisë po ashtu janë shkruar arabisht, megjithëse askush nga besimtarë nuk e kupton asnjë shkronjë të kësaj gjuhe. Diskriminimi i gjuhës shqipe bëhet ditë me diell dhe askush nuk reagon. Shpërfillja e shkronjave shqipe bëhet me qëllim, dhe askujt nuk i bëhet vonë. Disa thonë se shumica e atyre që shkojnë në xhami janë analfabetë apo gjysmanalfabetë, prandaj kot që ua vë mbishkrimet shqip, kur nuk dinë t’i lexojnë as shqip, as arabisht, por megjithatë e kanë shumë më lehtë të luten në gjuhën e nënës, sesa në gjuhë të huaj.

Njohësit e gjuhës arabe tregojnë se si besimtarët shqiptarë kur luten në gjuhën arabe, e shqiptojnë tmerrësisht keq këtë gjuhë, saqë në vend të lutjes drejtuar Zotit, u del ndonjë blasfemi a fjalë e pistë, ndërsa ata nuk e kuptojnë se janë lutur tmerrësisht gabim.

Naim Frashëri dikur bëri përpjekje që lutjet fetare t’i përkthente shqip, në mënyrë që të shkëputeshim nga ndikimi skllavërues oriental. Mirëpo, hoxhallarët e shitur këto lutje nuk i vunë në përdorim, përkundrazi i denoncuan hoxhallarët që predikonin shqip para okupatorëve turq e serbë. Rilindësi i madh synonte që shqiptarët myslimanë, sidomos pjesa e paarsimuar të shkëputeshin nga skllavëria shpirtërore turke e arabe, por një gjë të tillë nuk e duan ata që marrin para nga këto shtete.

Është fakt i ditur se hoxhallarët kurrë nuk e kanë vënë flamurin shqiptar nëpër xhami, kurrë nuk e kanë festuar ndonjë festë kombëtare shqiptare, por nuk kanë ngurruar ta ngulin flamurin arab apo turk si për inat të popullatës shumicë shqiptare, nuk kanë ngurruar ta madhërojnë ndonjë personalitet politik turk apo arab (diktatorët e dikurshëm Naserin, Asadin, Sadatin, Gadafin, Mubarakun apo sot Erdoganin).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat