Berisha, viktimë e Ramës dhe e vetes?

Opinione

Berisha, viktimë e Ramës dhe e vetes?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 31 tetor 2023 Në ora: 08:32
Xhevat Mustafa

Ajo që po ndodh këto ditë me familjen Berisha, më shumë me dhëndrin, biznesmenin Jamarber Malltezi, logjikshëm apo shqiptarisht, është bërë gjerësisht subjekt bisedash dhe debatesh edhe mes shqiptarëve të thjeshtë, brenda dhe jashtë atdheut, të gjitha anësive apo bindjeve partiake e "të pavarur", nënkuptohet aq sa mund të jenë vërtetë të pavarur shumica e shqiptarëve. Nga deklarime dhe shkrime të plot prej tyre, sidomos në rrjete sociale, motivuar hapur apo me kujdes nga zhgënjimet ose alergjia personale ndaj Sali Berishës si ish president dhe ish kryeministër, shprehet hapur e kuptohet lehtë qëndrimi kundër tij dhe pro Ramës, që në këtë rast "e ka fshehur dorën" fare pak tek...SPAK!

Pjesa tjetër, opozitarë dhe vërtetë të pavarur, gjykojnë sipas bindjeve dhe vizioneve të veta, çka i ka ndihmuar të kuptojnë strategjinë dhe prapavijën politike të fushatës së re anti Berisha. Ndryshe nga ata që jetojnë në Shqipëri dhe që i dinë mirë se ç’kanë bërë në të vërtetë të dy palët, se cila palë është ndjeshëm më e korruptuar dhe shumë më e pasur gjatë 32 viteve të pas 1990-tës, ata në emigracion edhe mund të mirëkuptohen për rënien viktima të propagandës mashtruese nga Tirana qeveritare dhe struktura apo “banda” komisarësh, spiunësh, patronazhistësh...të saj në diasporë.

Shumica e tyre nuk mund ta dinë me saktësi se sa kate të tërë, apartamente, pallate, kulla, saraje, kompani biznesesh, vetura luksoze të shtrenjta...në qytete dhe plazhe kanë politikanët dhe pushtetarët më të lartë socialisto-rilindas personalisht dhe familjarisht si dhe oligarkët komunisto- socialistë e ata, me fjalë përbetuese, “të pavarur” nga Surreli dhe çdo lloj tjetër “çengeli”. Duke menduar që të lë sa më pak hapësirë për keqkuptim se po bëj avokati për Berishën e dhëndrin e tij, kur nuk ma kanë fare nevojën, më duhet të kujtoj për lexuesit, sidomos për ata “të majtë” se në plot shkrime gjatë rreth 32 viteve nuk e kam kursyer Sali Berishën si kryetar të PD-së, si president, si kryeministër e në këta 10 vjetët e fundit, për "gabimet", fajet, përgjegjësitë, që i kanë kushtuar shtrenjt shumicës së shqiptarëve dhe vendit...

Është pozitiv fakti që shumicën e gabimeve dhe të përgjegjësive të tij në PD dhe në qeverisje, sidomos për ligjin 7501, për firmat piramidale, 1997- tën, për disa figura "mishra të huaj në trupin e saj", luftëtarë për poste sa djathtas dhe majtas dhe të prekur nga "virusi" i korrupsionit...,Berisha ka pasur kurajën t'i pranojë disa herë edhe publikisht. Disa prej këtyre gabimeve mund të kenë ardhur edhe nga presioni i mbi dhe nëndheshëm i trashëgimisë dhe koniunkturës së viteve të parë të qeverisjes nga PD. Dihet se në atë periudhë, PD pati fatin e keq të kishte shumicën e popullit me bindje majtas si dhe pushtetin ekonomik dhe juridik të rrëmbyer me paramendim apo sipas skenarit ramizian “fluturimthi” nga "e majta enveriste", nga janari 1991 deri më 22 mars 1992.

Si rrjedhojë, qeverisja demokratike kishte në masë të ndjeshme vetëm pushtetin politik, kuptohet të vështirësuar jo pak, po sipas këtij skenari, nga “trarët dhe gurët e mëdhenj” apo kopilët e lënë në derë nga PS-ja. Sidomos në mandatin e parë 1992- 1996, PD dhe Berisha treguan tolerancë të tepruar ndaj ish pushtetarëve dhe zyrtarëve të regjimit komunist, përfshirë edhe ata të Sigurimit enverian, detyruar edhe nga "këshillat" dhe presioni i diplomatëve dhe pushtetarëve të lartë amerikanë dhe evropianë-perëndimore, për të mos ndërmarrë reforma dhe vendime të motivuar nga dëshira për "hakmarrje politike", për të "respektuar të drejtat e njeriut" dhe për "demokraci të gjerë"! Paradoksalisht, janë diplomatë dhe pushtetarë të lartë po nga këto vende, që prej 10 vitesh shprehin qëndrime mbështetëse ose sy e gojëmbyllje ndaj nëpërkëmbjeve të shpeshta e të hapura nga Rama-qeveria të lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe për nivelet e larta të korrupsionit, pastrimit të parave të pista, kanabizimit dhe të trafiqeve të drograve të tjera! Tendencioziteti politik i proceseve Berisha-Malltezi shprehet edhe në një fakt tjetër të freskët!

Jamarber Malltezit iu bë sekuestrimi i pronave dhe pasurive menjëherë,pas arrestimit. Ndërsa për Pëllumb Gjokën, mikun e disa politikanëve dhe pushtetarëve të lartë dhe lokalë edramistë, vendimi për sekuestro merret rreth 2 muaj më vonë, më 27 tetor 2023. Kuptohet se kjo kohë e gjatë e falur i ka shërbyer Pëllumbit socialisto-rilindas t'i fshehë dhe "pastrojë" me nge të gjithë "thesaret"...! Nga shumë veprime, vendime, deklarime, detaje...nuk është fare e vështirë për t’u kuptuar se ky sulm i ri kundër Sali Berishës ka synime politike, të hershme e të reja, përfshirë edhe hakmarrjen për rolin e tij në disa dështime të mëdha politike të Rama-qeverisë, në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Ai erdhi vetëm një ditë më vonë, pasi Berisha paralajmëroi publikisht protesta masive kundër Rama- qeverisë!”

Disa nga qytetarët debatues, mbështetës të vendimit të SPAK- ut dhe GJKKO-së, kapen tek argumenti se këto institucione po veprojnë sipas një liste të gjatë. Domethënë, sipas tyre ai ka vendosur një rradhë, pa e fshehur, edhe “të konsultuar në DASH”...Lidhur me rradhën që mund të zbatohej për politikanë, pushtetarë dhe ish pushtetarë të lartë, mund të thuhet pa gabuar e pa subjektivitet se në këta 10 vjet, de facto ajo ka ndërruar krerë apo vende. Rama me shokë e shoqe, me vëllezër e motra e të tjerë të afërm, me ortakë, oligarkë apo "investitorë strategjikë" të vërtetë apo formalisht vetëm si emra, që blejnë kulla edhe në AMERIKË, ia kanë kaluar ndjeshëm e me kohë dy fëmijëve dhe dhëndrit të Berishës. Janë pasuruar aq shumë sa 5.4 milionë euro apo 6 milionë dollarë, për aq sa akuzohet Jamarber Malltezi, i kanë sa për të ndërtuar një pallat me 6-10 kate. Për më tepër, disa "nga vitet e tepërt dhe skleroza" ndoshta nuk i mbajnë mend mirë si numër se sa pallate kanë ndërtuar apo sa apartamente, troje, vetura...zotërojnë...Gjithashtu, shpreh skenar dhe tendencë hakmarrjeje politike ndaj Sali Berishës edhe një fakt tjetër.

Ekzekutimi i vendimit të SPAK për masat kufizuese ligjore ndaj Berishës, pa pritur që kërkesa të diskutohej dhe miratohej në parlament, na sjell ndërmend se nga ky institucion u veprua ndryshe në rastin e Arben Ahmetajt! Kjo mund të shpjegohet me ndryshimin në urdhërat dhe dëshirat nga lart apo nga shumica në SPAK. Nëse në rastin Arben Ahmetaj SHEFI ishte i interesuar për zvarritje dhe fitim kohe(ditësh), pa përjashtuar që Ahmetaj ta shfrytëzonte kohën e falur për arratisje, në rastin Sali Berisha duhej shpejtuar, për të mos i lënë orë për protesta masive...!? Edhe fare më troç: objektivi i këtij skenari është dhënia e goditjes finale dhe shkatërruese OPOZITËS, pluralizmit dhe DEMOKRACISË në Shqipëri, nëpërmjet eliminimit ligjor e politik të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, në këtë rast viktimizuar si “kokë turku”...! Për Sali Berishën, për këto ditë të vështira e për këtë dramë që po përjeton, mund të thuhet se vlen shprehja e moçme popullore dhe filozofike: koka bën, koka pëson! Me ato që bëri keq e nuk bëri fare gjatë 13 viteve si president dhe kryeministër, duke ia pranuar shumicën e gabimeve si krejt pa dashur, paradoksalisht, ai i ka shërbyer më shumë të majtës se sa të djathtës. Këtë e shpreh shumë qartë, edhe për të verbrit nga të dy sytë, plot pushtetizimi dhe plot pasurimi i Edi Ramës me shoqe e shokë në qeverisje, në oligarki, në drejtësi, shendetsi...Po kështu, shprehje apo dëshmi të gabimeve të tij të hershme apo të më vona gjenden edhe në dukurinë se për arrestimin e Jamarber Malltezit dhe masat kufizuese për Berishën po shprehin kënaqësi, mirënjohje dhe anësi mbështetëse ndaj veprimeve të SPAK, domethënë edhe ndaj Edi Ramës, edhe plot figura partiake dhe deputetë të PD- së së vulës! Kjo është e pritshme dhe jo befasuese.

"Demokratët" e këtij brumi, lloi, soi..., qysh nga mezi i vitit 1991 dhe deri në shkrimin e dt.25 tetor 2023, botuar në "Panorama", me titullin "Rilindja" e Enver Hoxhës, "kryevepra e Edi Ramës" i kam cilësuar "kuaj dhe pela Blloku dhe Sigurimi" dhe "mish të huaj" në PD! Fatkeqësisht, shumicën e tyre i futi nga "dera dhe dritaret" vetë Berisha. Për më keq, i mbajti gjatë në gjirin e PD- së edhe pse i njihte mirë për nga dosjet, pseudonimet, abuzimet, mëkatet, viktimat...! Të tjerë i futi me tufa Lulzim Basha, nga korriku 2013, pasi "iu dhurua" nga Berisha kryetarllëku i PD- së. Prandaj, këto ditë Sali Berisha mund të jetë edhe vetë i bindur se është, në raport të përafërt viktimë e Edi Ramës dhe e...vetvetes!?

Paradoksalisht, kur ishte në pushtet dhe me mbështetje më të madhe, liderit të PS- së, edhe pse me përfolje masive për vitet parizienë e 20%-shin për çdo leje ndërtimi për pallate dhe saraje kompanishë biznesesh me shumë kate, ai i bëri jo pak "dhurata", me më të madhen e “më të kushtueshmen” politikisht, marrëveshjen për Kodin Zgjedhor(2008). Këto e ndihmuan të rrëmbente pushtetin më 23 qershor 2013 e ta mbajë shumë gjatë dhe me plotfuqishmëri sulltani, perandori, diktatori..., sa nuk mund të përcaktohet me saktësi deri kur dhe se si mund të detyrohet të largohet nga froni...!? Për më tepër e më keq, këto gabime, veprime dhe mosveprime të Berishës, kanë sjellë rrjedhoja shumë të rënda jo vetëm për atë individualisht dhe familjarisht, por edhe për PD, OPOZITËN, DEMOKRACINË, DREJTËSINË, SHTETIN LIGJOR, MIRËQENIEN, për SHQIPËRI e KOMB, për të sotmen dhe të ardhshmen...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat