A ka reperkusione nga mungesa e vendimeve prokuroriale për fillimin e procedurave penale?

Opinione

A ka reperkusione nga mungesa e vendimeve prokuroriale për fillimin e procedurave penale?

Nga: Feti Tunuzliu Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 20:25
Feti Tunuzliu

Në séancën plenare të 17 gushtit 2022, legjislativi kosovar pat miratuar Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (nr.  08/L-032, date 14 korrik 2022)  i cili, (përjashto pjesërisht nenin 25), hyri në fuqi më 17 shkurt 2023, pra, pas 6 muaj pushimi të ligjit (vocatio legis) dhe u publikua në “Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës”, nr. 24, datë 17 gusht 2022 për të cilin Kod, vijimisht do shërbehemi me shkurtesën: KPPK.

Duke ngritur në nivel parimi (principi) themelor, KPPK parashef nismën e procedurës penale ekskluzivisht me vendim prokurorial formalo-juridik kur plotësohen kushtet respektive ligjore.

“Procedura penale fillon vetëm me vendim të prokurorit të shtetit  kur ekziston dyshimi i arsyeshëm se  është kryer vepër penale ose kur është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejt sipas dispozitave të këtij Kodi”, përcakton prerazi norma juridike e nenit 6.2. KPPK.

Këtë zgjidhje ligjore të KPPK, e ka përvetësuar pothuajse pjesërisht Ligji për Prokurorin e Shtetit, nr. 08/L-167 (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës”, nr. 11, datë 17 maj 2023). Kështu,  veç tjerash, prokurorët kanë në juridiksionin e tyre edhe  “marrjen e vendimeve mbi inicimin, vazhdimin apo ndërprerjen e procedurës penale ndaj personave …” (neni 8. par. 1. nënpar. 1.7).

Përndryshe, është pikërisht dispozita e nenit 69 të KPPK, e cila saktëson shprehimisht se procedura penale ka gjithsej katër faza: 1) Hetimin; 2) Ngritjen e aktakuzës dhe deklarimin; 3)  Shqyrtimin gjyqësor dhe 4) Mjetin juridik.

Së këndejmi, mbështetur kryekreje në interpretimin e ngushtë (restriktiv) dhe logjik të normës së këtillë procedurale penale, vetëkuptohet se: vendimi prokurorial formalo-juridik për fillimin e procedurës penale i mbulon të gjitha fazat procedurale (1-4) të cilat veç e veç janë pjesë integrale të tërësisë së procedurës penale.

Gjithnjë duke iu atribuuar përmbajtjes së  dispozitës së mësipërme (neni 6.2. të KPPK),  procedura penale fillon me vendim prokurorial formalo-juridik, pra me vendim të shkruar, kur çmohet se ekziston njeri prej dy kushteve alternative: i pari - “dyshimi i  arsyeshëm” se është kryer vepra penale ose i dyti, kur është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejt.

Kushti i parë, i referohet togfjalëshit procedural-penal “dyshim i arsyeshëm” i cili përkufizohet në nenin 19 pika 1.8 të KPPK, ku tekstualisht theksohet: “Dyshimi i arsyeshëm – njohuri për informacionin që do të bindte një vezhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur, po ndodh ose ka mundësi të konsiderueshme që të ndodhë dhe se personi në fjalë mund të kryjë ose mund të ketë kryer veprën penale. Se çfarë mund të konsiderohet “e arsyeshme”  do të varet nga të  gjitha rrethanat.”

Kushti i dytë, i referohet sintagmës procedurale-penale “aktakuzë direkte” i cili përkufizohet në nenin 19 pika 1.33 të KPPK, ku tekstualisht theksohet: “Aktakuzë e drejtpërdrejt – aktakuzë e ngritur pa zbatimin e hetimeve siç përcaktohet me nenin 99 paragrafi 2 lidhur me nenin 234 paragrafi 1 të këtij Kodi”.

Sipas hulumtimeve tona modeste të praktikës prokuroriale kosovare del konstatimi se - nuk ka patur asnjë rast të vetëm sikundër gjatë praktikës tradicionale (sipas kodit paraprak procedural penal) ashtu edhe gjatë praktikës aktuale prokuroriale (sipas KPPK), ku ndonjë prokuror ka filluar procedurën penale me vendim edhepse ka ekzistuar dyshimi “i bazuar” (neni 6.2 i ish-KPPK), përkatësisht dyshimi i “arsyeshëm” (neni 6.2 i KPPK) se është kryer vepër penale ose është ngritur aktakuzë sipas KPPK. 

Mirëpo, gjithnjë  sipas këtyre hulumtimeve,  pason edhe konkludimi tjetër: se prokurorët kosovarë kanë filluar vetëm fazën e hetimit si fazë e veçant e procedurës penale me aktvendime (nenet: 101 -104 të ish-KPPK) kur ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm  (apo i bazuar !?) se kryesi ka kryer vepër penale dhe se pikërisht kjo praktikë vazhdon tutje (nenet: 99-102 të KPPK).

Për më tepër, KPPKka identifikuar edhe kushtet alternative kur procedura e filluar hetimore duhet detyrimisht të pushoi  (neni 156 dhe 158) apo procedura hetimore mund të pezullohet (neni 155), përkatësisht të zgjatet (neni 157).

Ndërkaq, KPPK rreth procedurës penale (si proces penal) ka paraparë zgjidhje ligjore të cilat janë specifikuar në dispozitat e Kapitullit XXI dhe i atribuuohen fazës së katërt, pra, fazës së fundit të procedurës penale: Mjetit juridik.

Është e qartë prandaj, se këto zgjidhje ligjore tangojnë procedurën penale si tërësi (pra, përtej hetimit në kuptimin e fazës së parë të procedurës penale). Kështu, zgjidhjet e këtilla ligjore fillojnë të shpërfaqen në dispozitën e nenit 383 të KPPK që i referohen bazave ankimore ku thuhet: “Ndaj aktgjykimit mund të ushtrohet ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale” (par. 1. nënpar. 1.1.).

Tutje, KPPK specifikon shkeljet esenciale të cilat njihen “sipas detyrës zyrtare apo propozimit të palëve” (neni 384). Ndërkaq, Gjykata e Apelit,“në séancë të kolegjit apo në bazë të shqyrtimit” (neni 391) vlerëson sipas detyrës zyrtare nëse janë shkelur apo jo dispozitat procedurale penale me aktgjykimin e ankimuar e të shpallur nga gjykata themelore (neni 394) dhe pastaj  kjo gjykatë instanciale merr vendim meritor formal juridik (neni 398), në trajtë aktgjykimi apo aktvendimi (nenet 399-403).

Ç’është e vërteta, përveç aktgjykimit, edhe aktvendimi mund të kundërshtohet për shkelje të dispozitave të procedurës penale (neni 415 i KPPK), si proces i tërësishëm, pra nuk bëhet fjalë specifikisht për shkeljet gjatë fazës së hetimeve penale si fazë në vete procedurale penale.

Përndryshe, përveç me mjet të rregullt juridik – ankesë, procedura penale e përfunduar me aktgjykim ose aktvendim të formës së prerë mund të analizohet n’aspekte të ndryshme edhe përmes parashtresave, përkatësisht mjeteve të jashtëzakonshme juridike: kërkesës për rishikimin e procedurës penale (nenet: 420-428); kërkesës për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit (nenet: 429-431) dhe kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë (nenet: 432-439). Për epilogun e kërkesave të pretenduara të palëve procedurale vendoset nga trupat profesional sipas kompetencave të tyre funksionale në kuadër të instancave gjyqësore.

Së fundmi, nën prezymimin se gjuha  legjislative juridike dhe ajo terminologjike reflektuar në  dispozitën e nenit 6.2 të KPPK janë të përpikta në pikëpamje semantike përkitazi me termet teknike  (termini technici), p.sh.: procedura penale, vendimi  dhe nën prezymimin se edhe gjuha legjislative juridike dhe terminologjike reflektuar në dispozitën e nenit 69 të KPPK poashtu është e përpikt  në pikëpamje semantike përkitazi me termet teknike, p.sh.: hetimi - pason pyetja kruciale: mungesa e vendimeve prokuroriale formale-juridike për fillimin e procedurave penale nëpër  lëndë konkrete penale ku janë nxjerrë aktvendime për fillimin e hetimit nëse mund të prodhoi apo jo pasoja dhe efekte juridike procedurale që nga hetimi deri te ekzekutimi i vendimeve gjyqësore  ?  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat