Liria për të besuar është gjithashtu liri nga besimi

Opinione

Liria për të besuar është gjithashtu liri nga besimi

Nga: Aurel Dasareti Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 18:15
Foto ilustrim

Në politikë dhe fe, çdo gjë mund të shfrytëzohet. Ajo që nuk mund të përdoret mund të keqpërdoret. Pa kontradikta, nuk ka përparim. Tërheqja dhe zmbrapsja, mendimi dhe veprimi, dashuria dhe urrejtja janë të nevojshme për ekzistencën njerëzore. Por çdo gjë ka homologun e saj. E vërteta qëndron diku mes kontrasteve.

***

Një pengesë kryesore në rrugën drejt realizimit të idealeve patriotike, demokratike dhe iluministe të Rilindjes ishin fetë, që iu imponuan shqiptarëve nga pushtuesit e huaj. Institucionet fetare dhe kleri reaksionar bënin lodrën e pushtuesit të fuqive imperialiste e shoviniste. Mjaft rilindës, si dijetarë, nuk ishin të dhënë pas fesë. Nga ana tjetër, si politikanë, ata e shihnin se ndasitë fetare u shërbenin armiqve. Prandaj ishin kundër keqpërdorimit të fesë. Pashko Vasa hodhi parullën e famshme: “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria”, në të cilën u shpreh në formën më të prerë kombëtare qëndrimi i rilindësve ndaj fesë. Ai goditi si përçarës “kishat e xhamiat”.

Thjeshtë, për rilindësit: Liria për të besuar ishte gjithashtu liri për të mos besuar. Disa prej tyre ishin besimtarë, disa jobesimtarë. Por pavarësisht nga këto ndryshime, në një gjë bashkoheshin rilindësit: ata e vinin Kombësinë mbi Fenë. Pra, të gjithë, pa përjashtim, pavarësisht disa ndarjeve, kanë qenë shqiptarë më parë.

Karakteristikë për ta qe një tolerancë fetare e madhe. Kjo i shpuri që, në programet e tyre politike për ardhmërinë e atdheut, të ishin për ndarjen e kishës e xhamisë nga shteti dhe të shkollës nga feja, siç kërkonte Sami Frashëri.

Puna e tyre e palodhur ishte për përhapjen e dritës së diturisë, të arsimit e shkencës. Ata mendonin se, pa dituri, nuk mund të vihej në jetë as edhe një prej ëndrrave të tyre, të fitohej apo të gëzohej liria, të shpëtohej vendi prej kaq të këqijave. Programet e tyre ishin të një mendjeje: ata synonin një vend të qytetëruar, që do të delte nga errësira mesjetare në dritë. Arsimit e kulturës i jepnin rëndësi në kuptim të përgjithshëm shoqëror, po sidomos duke i vlerësuar si armë të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, si mjete të domosdoshme për t`i siguruar popullit një të nesërme të lumtur.

Dhe ne, pasardhësit e tyre, tani si komb i arsimuar e qytetëruar, nuk duhet të tolerojmë propagandën e disa minjve të kanalizimeve, mercenarëve e antikombëtarëve (qoftë politikanë, gazetarë, analistë, priftërinj të krishterë apo hoxhallarë) që të na bëjnë budallenj trushpëlar.

Askush nuk lind si besimtar (fetar). Askush nuk lind si mysliman. Askush nuk lind si katolik. Askush nuk lind si ortodoks.

Feja është një bindje personale, dhe rreshtohet shumë prapa Kombësisë. Personi mund të besoj në një fe - ose të mos besoj fare.

Shkombëtarizimi (denacionalizimi) i një Kombi është shumë më i rrezikshëm se okupimi i atij Kombi. Në trojet shqiptare kjo direkt bëhet nga keqpërdorimi i fesë ortodokse dhe myslimane. Pas çdo pushtimi, herët a vonë do të vijë çlirimi, kurse denacionalizimi është një proces që do të zgjasë përgjithmonë nëse nuk i kundërpërgjigjemi me njohuri, të vërtetën, drejtësinë por edhe forcën.

Aktivitetet fetare, sipas ligjit, janë vetëm çështje private/personale dhe lejohen të funksionojnë vetëm brenda 4 mureve shtëpiake dhe në “Shtëpinë e Zotit”. Mjerisht shumica e këtyre janë shndërruar në “Shtëpi të Dreqit” ku ekstremistët islamik dhe ortodoks, të paguar nga Shërbimet Sekrete të huaja (armiqësore) bëjnë tru shpëlarjen e anëtarëve, tjetërsimin e tyre në grek, turk, arab, sllavo-ortodoks. Duhet ndaluar rreptësishtë politizimin (antikombëtar) të fesë në tokat arbërore. Duhet të ndalohet rreptësishtë financimi i xhamive dhe kishave nga të huajt.

Neutraliteti fetar në shkolla, rrugë, institucionet shtetërore dhe komunale nuk nënkupton mungesën e vlerave fetare, por theksin në vlerat e përbashkëta përkundër dallimeve të natyrës fetare.

Çelësat për dritën janë në errësirë. Drita që ju nevojitet ekziston, shqiptarët duhet ta kërkojnë dhe zbulojnë. Por disa duan të jenë në errësirë. Aty e gjejnë sigurinë, për të mos u parë. Dhe meqenëse nuk e shohin njëri-tjetrin, humbasin, bien në grackën e tyre.

Sa më e madhe të jetë fuqia, aq më e rrezikshme është keqpërdorimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat