Reciprocitet: “Njohje de facto”˝, “asociacion de facto”!

Opinione

Reciprocitet: “Njohje de facto”˝, “asociacion de facto”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 11:10
Xhevat Mustafa

Sipas gjykimit tim, subjektiv, edhe pse është një manovër diplomatike nga BE dhe DASH, si një “karrem” për të joshur dhe shtyrë të bien në “rrjetë” të dy palët, përsëri ndarja e njohjes së pavarësisë së Kosovës në dy "copa" apo dy faza, në de facto dhe de jure, është ngjashëm sikur t’i bësh Vuçiçit kërkesën: prano tani për tani njohjen de facto, atij apo të tjerëve, që do të vijnë pas teje, do t’u kërkojmë njohjen de jure! Përndryshe, popullorçe kësaj i thonë: prit gomar të mbijë bar...!

 Ose: prisni SHQIPTARË sa, edhe me ndihmën për "rilindje" të tij, nga Edi Rama, ta bëjmë Vuçiçin "politikan të arsyeshëm dhe të mbarë"! Pasi të rrëmbejë nga pala shqiptare asociacionin, siç e do, sa për sy e faqe apo për “naivët” shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe për mediat, Vuçiç, pas zgjedhjeve të fituara qysh sot, së bashku me Sheshelin, mund të falë të ashtuquajturën “njohje de facto”! Ndërsa e shtyn “njohjen de jure” sa të ketë ndërmend dhe dëshirojë, edhe përtej vdekjes së tij të largët politike dhe fizike apo për në “kalendat greke”, serbe, ruse, kineze...”.

Në këto kushte, deri sa Vuçiç nuk lëshon më shumë se "njohja de facto" edhe Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, për barazi dhe reciprocitet, nuk kanë pse të japin më shumë se asociacion pa kompetenca vetadministruese dhe me status provizor, me afat 1 vjeçar, në vartësi të korrektesës dhe të mungesës së problemeve dhe rreziqeve destabilizuese në zbatim! Më konkretisht, Kurti dhe Osmani mund të pranojnë një asociacion pa miratim përfundimtar e të përhershëm në parlament, të rishikueshëm prej tyre çdo vit, deri në të drejtën për ta revokuar dhe anuluar nëse provokon probleme dhe rreziqe bosnjizimi të Kosovës! Edhe kaq apo këtë lëshim mund ta bëjnë më shumë si shenjë e mesazh respekti dhe mirënjohjeje ndaj përpjekjeve shumëvjeçare të SHBA- së dhe BE- së, për arritjen e një marrëveshjeje për asociacionin, me shpresën se Serbia mund të joshet e të braktisë Rusinë dhe të lëshojë më vonë edhe njohjen e plotë, de facto e de jure?! Serbia i ka rrëmbyer shumë Kosovës, me ushtrira dhe luftra! Por, edhe me Planin Ahtisaari...!? Këtej e tutje i takon Serbisë të fillojë të pranojë e bëjë disa lëshime, për të nisur me sinqeritet dhe seriozitet shlyerjen e një pjese të borxheve të shumta që i ka Kosovës! Të mirëkuptohemi: kërkesës dhe presioneve të ca misionarëve diplomatikë evropianë dhe amerikanë ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, që të pranojnë apo "të lumturohen" nga "kocka serbe" e "njohjes de facto", ata janë të detyruar t'i përgjigjen me skepticizëm dhe mosbesim të plotë! Kjo edhe për faktin se ne shqiptarët jemi ndoshta populli që i njohim më mirë, "me dhëmbë e dhëmballë" fqinjët tanë serbë e grekë!

Lëshimet dhe "dhuratat" e tyre janë si "copa buke apo mishi të helmuara"! Historikisht, nga Beogradi mbretëror dhe presidencial Kosova, Shqipëria, shqiptarët, por edhe boshnjakët, kroatët, slovenët, vojvodinasit..., mbarë Ballkani dhe Evropa kanë përjetuar gjëma të paharrueshme! Në këto kushte si mund t'u besohet Vuçiçit dhe Brnabiçit se janë të sinqertë dhe se, ndryshe nga gjithë herët e tjera, me "njohjen de facto" do të jenë seriozë dhe fjalëmbajtës skrupulozë?! Për më tepër e më keq, si mund tu besohet kur do t'i ruajnë, forcojnë dhe investojnë edhe më shumë "synimet dhe planet e moçme gllabëruese apo aneksioniste si dhe "shpirtin blozë" ndaj viktimës së tyre shumëshekullore e të masakruar barbarisht, Kosovë...?

Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeffry Hovenier deklaroi më 9 nëntor, kryesisht në adresë të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani se "asociacioni është çështje urgjente..."? Përse është urgjente, kur Aleksandar Vuçiç nuk e shikon, vlerëson dhe trajton si të tillë?! Për më tepër e më keq, kur deklaron përditë e krejt hapur, me këmbëngulje e kokëfortësi, se nuk do ta shoqërojë kurrë me "njohjen de facto e de jure" të pavarësisë dhe të shtetit të Kosovës?! Pra, bëhet edhe më e qartë dhe më urgjente që shefat e Hovenier në DASH dhe drejtuesit dhe misionarët diplomatikë në BE, të kuptojnë dhe binden një herë e mirë se duhet ti bashkojnë dhe adresojnë të gjitha përpjekjet e tyre për të bindur Vuçiçin të ndërrojë mendje dhe qëndrim e të heqë dorë nga synimet aneksioniste serbomëdha ndaj Kosovës, Bosnjes, Malit të Zi...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat